“Po ndërtohet një Besë shumë e fortë”, kapiteni Perja zbulon “sekretet”: Trajneri ka refuzuar 3 lojtarët prej moshës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2023 | 22:45

“Po ndërtohet një Besë shumë e fortë”, kapiteni Perja zbulon “sekretet”: Trajneri ka refuzuar 3 lojtarët prej moshës

Besa ka ndërruar strategji. Ndërtimi i skuadrës ka shkaktuar gjithnjë zhurmë mediatike, por jo këtë vit. Edhe pse rivalët po “vlojnë” me prezantimet në merkato, verdhezinjtë po qëndrojnë të heshtur. Por kjo duket se është vetëm fasadë, pasi një klub nuk po qëndrojnë duarkryq.

Perja Besa

Presidenti Nexhat Bizhdili dhe trajneri Lorenc Pashja po punojnë për një superkip. Këtë paralajmërim na e jep kapiteni i kavajasve, Skerdian Perja. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësit zbulon edhe disa sekrete.

“Në çdo pragsezoni, fusha jonë ka qenë gjithnjë e mbipopulluar. Falë njohjeve me menaxherë, por edhe ndërhyrjeve pranë presidentit e stafit teknik, vërshonin tek ekipi ynë. Është e kuptueshme që pozicioni gjeografik i Kavajës, emri i saj, tërheqin mjaft futbollistë. Nuk përbën më sekret fakti se te Besa nuk ka asnjë presion gjatë kampionatit, edhe atëherë kur vërtet rezultatet meritojnë një kritikë të ashpër, pse jo edhe ndëshkime.

Besa Perja

Presidenti dhe stafi kanë preferuar që me futbollistët të zgjedhin gjuhën e qetë duke i imponuar kujtdo reagimin personal. Janë këto arsyet përse Kavaja kurrë s’e ka pasur problem rindërtimin e grupit. Me sa kam biseduar me Bizhdilin, Besa e këtij sezoni do të jetë shumë herë më e fortë. Janë piketuar emra konkretë dhe me katër prej tyre është gati firma.

Nuk jap shumë detaje, por tre vijnë nga Kosova dhe një nga Superiorja. Di gjithashtu, se trajneri ka refuzuar tre lojtarë. Përtej përvojës, nuk kishin moshën disi të madhe. Pashja ka deklaruar prerë se pranon vetëm ata futbollistë, të cilët vrapojnë, që kanë ambicie për karrierën e tyre, që e çmojnë si fat veshjen e fanellës së Besës. Gjykoj se në fillim të korrikut do të mësoni mbi 80 për qind të grupit dhe do të befasoheni nga emrat”, përfundoi 32-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"