“Po hedhim bazat e sezonit të ri, dua rinovimin”, Hallaçi “sms” Gjicit: Ky sezon shumë i bukur për t’u… parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 22:17

“Po hedhim bazat e sezonit të ri, dua rinovimin”, Hallaçi “sms” Gjicit: Ky sezon shumë i bukur për t’u… parë

Me emërimin e Hallaçin në krye të Kukësit, situata duket se ka ndryshuar te verilindorët, që po kalonin një moment të vështirë, duke përfunduar në vendet e fundit të renditjes, ndërkohë që tashmë gjërat po i rikthehen normalitetit.

Hallaci

Trajneri i kuksianëve, Rrahman Hallaçi në një intervistë për News 24 ka thënë se po hidhen bazat për edicionin e ri, sakaq sa i përket qëndrimit apo jo në pankinë, Hallaçi dëshiron rinovimin.

Hallaçi, jeni ekipi me rendimentin më të mirë në fazën e tretë, të vjen keq që nuk ishit në krye të Kukësit që në fillim të sezonit? Me këto shifra do ishin në garë për titull?

Kemi bërë mirë në këtë pjesë të rëndësishme të sezonit. Jam munduar bashkë me stafin për të bërë rrugën e duhur. Ndeshjet janë të vështira dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të bëjmë një mbyllje të mirë.

Këtë periudhë ke folur vetëm për mbijetesë, kanë ndryshuar tani objektivat, jeni vetëm tre pikë larg vendit të tretë?

Duke qenë se ekipin e kemi marrë në vështirësi, gjithmonë e kemi shprehur që duhet të jemi të kujdesshëm dhe të dalim nga situata e vështirë. Nuk do shikojmë më lart, por skuadrat që kemi mbrapa.

Më në fund, një armë e fortë është kthyer edhe stadiumi i ri i Kukësit, këtë të shtunë prisni Egnatian, një rival direkt, çfarë pret nga kjo sfidë?

Më bëhet qejfi shumë që publiku është rikthyer në stadium. Egnatia është një skuadër e organizuar. Do mundohemi që të marrim maksimumin, ne do punojmë shumë për këtë.

Keni një plan për sezonin e ri, keni diskutuar me Gjicin, po për të ardhmen tënde, keni diskutuar? Do të pëlqente të ndërtoje një herë të vetme ti ekipin, të merrje dhe përgjegjësitë në fund?

Patjetër që po. Rëndësi ka që të mbyllim sezonin sa më mirë. Duam që të qëndrojë 70% ose 80% e ekipit, nuk duam më të bëjmë ato gabime. Dëshira është shumë e madhe që të jem në krye të skuadrës.

Hallaçi, tani i ke parë në aksion të gjithë ekipet, por dua një mendim për këtë garën për titull, kë sheh si favorit, Partizanin apo Tiranën?

Është e vështirë të thuash, të gjitha skuadrat po bëjnë mirë. Është e vështirë të thuash pasi skuadrat e fundit kanë pak diferenca me vendet e para. Ky sezon është shumë i bukur për t’u parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"