“Pioli hodhi në kosh punën”, Saki sulmon ashpër kampionët e Italisë: Milani s’po luan më, Interi s’kishte rival në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 21:30

“Pioli hodhi në kosh punën”, Saki sulmon ashpër kampionët e Italisë: Milani s’po luan më, Interi s’kishte rival në derbi

Arrigo Saki futet drejt e në temë kur i duhet të analizojë. Aq më tepër një ndeshje si derbi, ku hendeku taktik mes ekipeve ishte i llahtarshëm. Mendimet e tij, ish-trajneri i Milanit, i pasqyroi në një intervistë për “La Gazzatta dello Sport”.

Saki2

Në çfarë konkluzionesh dilni pas asaj që patë në derbi?

Që Milani nuk është më skuadër dhe që Interi nuk luajti kundër një rivali, por ndaj një ekipi si ato të kategorive të ulëta, që bëjnë miqësore me klubet e mëdha. Pashë një Milan që vetëm sa ndiqte rivalët, e që në shumicën e rasteve ishte me vonesë. Presingu nuk ekzistoi, ndërsa markimet ishin formale.

Çfarë po ndodh me kuqezinjtë?

Kalimi në mbrojtje me pesë fshiu punën e viteve të fundit. U anulua çdo ide loje dhe për pasojë porta rivale s’u godit kurrë. Interi dominoi pa shumë mund. Interi ka lojtarë cilësore e me përvojë dhe mund ta mundësh vetëm duke i luajtur si skuadër, gjë që Milani nuk e bëri.

Cilat janë fajet e Piolit?

Puna e madhe që ka bërë ndër vite nuk duhet harruar, por me zgjedhjet në derbi fshiu çdo gjë. Gabimi ishte ndryshimi i skemës. Vërtet Zhiru e Hernandez janë të shtrydhur si limona nga Botërori, por nuk mjaftojnë si arsye për ndryshim moduli.

Pioli tha se dëshironte të mbulohej më shumë…

Po, por ka mënyra të tjera. Mund të përdorte tre mesfushorë për të kompensuar faktin që Leao e Zhiru nuk mbrojnë. Rreshtimi me pesë mbrojtës është si deklaratë dorëzimi dhe Milani m’u duk i frikësuar.

Çfarë problemi ka atëherë?

Për të bindur skuadrën trajneri duhet të jetë vetë i bindur në idetë e veta. Kur ndryshon skemë është si të pranosh gabimet. Mesazhi që merr skuadra është negativ dhe kjo pasqyrohet në rezultate.

Cilët ishin lojtarët më të mirë të derbit?

Lautaro Martinez bëri një paraqitje të shkëlqyer. Goli ishte shumë i bukur. Bën një lëvizje perfekte, kthen mbrapa për t’u larguar nga markimi dhe godet me kokë. Shumë mirë edhe Nikolo Barela që nuk tradhton kurrë. Por, e përsëris, Interi luajti në dishezë, sepse Milani i lejoi gjithçka.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"