Pike: Barça e Reali shpejt jo konkurrues, futbolli të ndryshojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 10:21

Pike: Barça e Reali shpejt jo konkurrues, futbolli të ndryshojë

Askush më i mirë se Xherard Pike, një nga njerëzit që ka ditur më së miri se si të kombinojë sportin dhe industrinë e argëtimit, nuk mund të fliste më qartë për të ardhmen e futbollit dhe perceptimin e këtij sporti nga të rinjtë. Ai krahasoi edhe modelet sportive evropiane dhe amerikane dhe nuk parashikoi një të ardhme të mirë për Barcelonën dhe Realin e Madridit.

PIKE INTERVISTA

FUTBOLLI KUNDËR “NETFLIX” (Netfliksit) – “Është e qartë, mendoj se dikush nga Dortmundi e tha se rivali ynë nuk është Reali i Madridit, rivali ynë është ‘Netflix’-i. Në fund të fundit është argëtim. Futbolli duhet të shkojë më shumë drejt argëtimit. Njerëzit kanë kohë që kërkojnë të shohin më shumë argëtim. Futbolli tani është në konkurrencë të madhe me platforma si ‘Netflix’ dhe me rrjetet sociale. Njerëzit shpenzojnë orë e orë të tëra në këto lloj platformash. Është e qartë se futbolli po konkurron për të gjitha këto”.

FORMATI I “KINGS LEAGUE” – “Sporti po shkon drejt garave më të shkurtra dhe më unike. Shembulli i qartë është ‘NLF’ ‘Liga Amerikane’, ku në katër muaj garë vendi është i paralizuar. Arrihen rekorde të audiencës. Mendoj se futbolli duhet të shkojë drejt kësaj rruge. Tetëdhjetë ndeshje në vit janë shumë. Jo vetëm kaq po madje niveli sportiv bie”.

SUPER LIGA EUROPIANE – “Jam kundër saj, për një arsye të thjeshtë, se ajo është e mbyllur. Një Super Ligë me 14, 16 ose 30 skuadra nuk është zgjidhje. Ka shumë klube që do të lihen jashtë. Po marr shembuj, Aston Vila, Uest Hem, Betis, Sevilja, Roma… e gjithë vlera e këtyre skuadrave zerohet. Dhe këto liga nuk do të ekzistonin më, në fund të mëdhenjtë do të fitonin shumë vlerë, por do të shkatërronin një pjesë të rëndësishme të futbollit, që janë skuadra ndoshta të nivelit të dytë, por kanë një masë të jashtëzakonshme ndjekësish dhe nuk do të ekzistonin në afatgjatë. Meritat sportive duhet të mbizotërojnë dhe kjo është arsyeja pse unë jam kundër Super Ligës”.

SPORTI AMERIKAN – “Më pëlqen më shumë, është më tërheqës se ai europian për t’u parë. Por më pas e çon në nivelin ekonomik dhe kupton se është i strukturuar më mirë për ekskluzivitetet. Në nivel europian është gjithçka ndryshe. Barça dhe Madridi në afatgjatë nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë, kjo është e qartë. Në Shtetet e Bashkuara paratë shpërndahen në mënyrë të barabartë midis 30 ekskluziviteteve, ata do ta strukturojnë atë në një mënyrë që ekskluzivitetet të jenë shumë i mbrojtur. Nëse shohin që biznesi nuk është i strukturuar mirë, ata futen në grevë dhe fitojnë sërish. Në Europë çdo ligë është e rregulluar ndryshe. La Liga për shembull ka një rregullore ‘Fair Play’ financiar shumë të rreptë dhe kjo i vë në vështirësi klubet spanjolle me të tjerët. Kështu siç janë situatat do të përfundojmë me Barcelonën dhe Madridin që nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë në Europë pas 5-6 vitesh”.

FUTBOLLI EUROPIAN – “Në momentin që të gjitha klubet nuk janë të rregulluara nga të njëjtat rregulla, atëherë kjo ç’ekuilibron gjithçka. Pse po konkurrojnë Barça dhe Madridi? Sepse po hyjnë në borxhe. Ata do të detyrohen të bëhen një shoqëri anonime, Madridi do të marrë më shumë kohë, sepse është më mirë financiarisht”.

LIGA MË E MIRË – Konteksti europian ka shumë vite që ekziston dhe është e vështirë ta ndryshosh atë. Në Shtetet e Bashkuara ligat tashmë kanë lindur kështu. Meqenëse në çdo vend ka ligje të ndryshme, kjo e ndërlikon shumë situatën. Të gjitha ligat, UEFA, FIFA… duhet të ulen bashkë dhe kjo nuk është e realizueshme.

TË RINJTË – “Janë dy gjëra të ndryshme, njëra është se si mund të konkurrojnë skuadrat spanjolle dhe tjetra se si të rinjtë e konsumojnë futbollin. Janë mësuar të konsumojnë dy-tre ekrane në të njëjtën kohë dhe janë në rrjetet sociale. Dhe ata shkojnë në rrjetet sociale. Duke pasur gjithë këtë informacion është e pamundur që ju të mbylleni në një dhomë për 90 minuta duke parë një ndeshje futbolli. Edhe unë kam ndryshuar zakonet e mia, nuk jam i mbyllur për 90 minuta duke parë një ndeshje. Më parë, ju e shikonit atë në tërësi, sepse nuk kishte asgjë tjetër. Tani një i ri mund ta shohë këtë në pesë minuta në celular. Nuk do të thotë që futbolli ka humbur aftësinë e tij për të tërhequr ndjekës, problemi është se ata e konsumojnë në një mënyrë krejt të ndryshme”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"