Pikantet e Skënderbeu-Partizani/ Nderime për Shehin dhe Takaj “paqeruajtës” pas sherrit, korçarët djegin shallet e kryeqytetasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 21:37

Pikantet e Skënderbeu-Partizani/ Nderime për Shehin dhe Takaj “paqeruajtës” pas sherrit, korçarët djegin shallet e kryeqytetasve

Skënderbeu-Partizani në Korçë është gjithmonë nga ato takime që krijon atmosferë në stadiumin “Skënderbeu”, por edhe momente tensioni, nervozizmi, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në tribuna. I tillë ka qenë edhe ky takim i fazës së tretë të kampionatit, ku gjithçka ka nisur disa orë para ndeshjes për t’u pasuar më tej edhe gjatë dhe pas takimit të mbyllur me fitoren e korçarëve.

bandicam 2024-02-25 18-58-28-383

Më shumë se 3000 tifozë kanë ndjekur nga afër këtë takim, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë që në shumë momente ka kaluar edhe limitet e etikës. Gjithçka ka nisur disa orë para ndeshjes, kur tifozët korçarë kanë pikasur ultrasit e Partizanit duke futur shallet dhe mjete të tjera në stadium. Kaq ka mjaftuar për të marrë më pas një pjesë të bazës materiale të tifozërisë së kuqe dhe për t’i djegur gjatë ndeshjes në shenjë revolte. Ja pikantet që gazeta sjell për lexuesit.

shehi gvozdenovic

* Krejt ndryshe ka qenë në fillim loja në tribunat qendrore, ku trajneri Orges Shehi është pritur me duartrokitje, përshëndetje dhe ovacione nga korçarët për të gjithë kontributin që ka dhënë te bardhekuqtë si lojtar dhe më pas si trajner. Mirënjohje, që është kthyer në të njëjtën monedhë edhe nga trajneri i të kuqve.

* Starti i ndeshjes ka sjellë përqendrim në të dy pankinat e ekipeve respektive. Nga njëra anë Ivan Gvozdenoviç, që kërkonte përqendrim dhe balancë në dy fazat e lojës, kryesisht nga lojtarët e krahut për të qenë më të organizuar në veprimet e tyre dhe nga ana tjetër me Orges Shehin, që kërkonte thellësi nga sulmuesit dhe saktësi në mesin e fushës për të mos i dorëzuar topin kundërshtarit. Me epërsinë e Skënderbeut në pjesën e parë duke marrë në kontroll lojën, Shehi ka bërë gjithçka për të ndryshuar balancat, duke kërkuar nga Murataj dhe Rrapaj të ishin më të vëmendshëm te topi i dytë.

* Dëmtimi i Mensah duket se prishi planet e të kuqve, teksa Skënderbeu fiton terren dhe arrin të gjejë golin e avantazhit me Liçon. Hezitim fillimisht nga stoli për të caktuar gjuajtësin e penalltisë, por vetëbesimi i Liços ka bindur pankinën, që ka shpërthyer në festë pas ekzekutimit në mënyrë të saktë.

* Në pjesën e dytë Partizani ndryshon shumëçka për të gjetur reagimin, por Skënderbeu reziston dhe në kundërsulm shkakton panik në prapavijë. Me kalimin e minutave tensioni vjen në rritje si në fushë, edhe në shkallët e stadiumit. Rrapaj dhe Janaqi dalin me karton të kuq. Vlonjati godet mesfushorin e Skënderbeut pas një faulli të shkaktuar dhe më pas ka përplasje. Dy pankinat mundohen të qetësojnë gjithçka, por tensioni është i lartë dhe mbartet edhe në tribunë. Tifozët korçarë, të ndodhur në tribunën “A Gold” debatojnë me disa tifozë miq, që ndodheshin në tribunën “VIP”. Debatet vijojnë për disa minuta, aq sa duhej ndërhyrja e forcave të rendit, por edhe e presidentit Takaj, që çohet për të qetësuar atë pjesë të tifozëve korçarë, të cilët ishin tejet të revoltuar.

takaj demi

* Me kalimin e minutave te Skënderbeu përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum çdo sekondë dhe e bëjnë këtë edhe duke vonuar topat anës fushës. Gjyqtari Florian Lata e vëren këtë dhe ndal lojën për t’i kërkuar një prej zyrtarëve të Skënderbeut që topat të kthehen menjëherë, pa vonesa të panevojshme.

* Nuk kishte si të mbyllej në qetësi ky takim, pasi në fund të ndeshjes Alia konfliktohet me Buxhelajn. Mbrojtësi i Partizanit i kërkon llogari gardianit të Skënderbeut për vonesën e lojës dhe mosrespektimin e lojës “fair-play”, por merr përgjigje të ashpër nga portieri. Kaq mjafton për të nxehur gjakrat, aq sa kryesori ndëshkon Alian me karton të verdhë.

* Dhomat e zhveshjes kthehen në një arenë festimesh dhe brohorimash për një tjetër fitore ndaj të kuqve, që nuk i kanë mposhtur asnjëherë këtë sezon.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"