Pikantet e Skënderbeu-Dinamo/ Tension pas ndeshjes, Bardhi “kapet” me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 14:06

Pikantet e Skënderbeu-Dinamo/ Tension pas ndeshjes, Bardhi “kapet” me tifozët

Interesim i madh i tifozëve korçarë për këtë takim të prapambetur të kampionatit ndaj Dinamos. Në stadiumin “Skënderbeu” kanë qenë më shumë se 2500 tifozë që kanë ndjekur nga afër skuadrën e tyre në ndeshjen e rëndësishme përballë bluve. Ja momentet më pikante të “Panorama Sport” për këtë përballje.

Tensioni në tribunë pas ndeshjes, ku shihet presidenti Bardhi që debaton me tifozët korçarë

Tensioni në tribunë pas ndeshjes, ku shihet presidenti Bardhi që debaton me tifozët korçarë

* Nis menjëherë me “ulërima” takimi mes Skënderbeut dhe Dinamos. Vetëm 10 sekonda kanë mjaftuar që Gvozdenoviç të kërkojë më shumë përqëndrim dhe gatishmëri nga të tijët në “luftë” për topin e dytë. Kjo erdhi menjëherë pas aksionit të parë të Dinamos që iu afrua golit. Pas britmave të kryepankinës korçare ekipi duket se u shkund disi duke marrë frenat e lojës në dorë dhe duke krijuar raste të shumta për shënim.

* Trajneri i Dinamos, Mehmeti ka qënë kritik veçanërisht ndaj Denisonit i cili zbriste shumë në thellësi për të marrë top sepse hapësirat ishin bllokuar në gjysëmfushën e Skënderbeut. Disa herë Mehmeti i ka kërkuar lojtarit që të jetë më lart në fushë dhe të presë në gjysmëfushën kundërshtare pasimin nga të tijët. Kjo edhe për shkak se rrezikshmëria në atë moment është më e madhe.

* Dëmtimi i Frenklin ka qënë një “rrufe në qiell të hapur” për Skënderbeun. Goditje e cila ka ndikuar mjaft në mënyrën e lojës së korçarëve. Që në momentin e parë të dëmtimit të lojtarit, Gvozdenoviç ka parandjerë gjithça duke i kërkuar sulmuesit Ivan Xhantu që të ngrihej në nxehmje. Edhe pse Frenklin kërkoi të provojë sërish gjendjen e tij që rezultoi pa sukses. Mërzia u duk qartazi në stolin bardhekuq që humbën kështu një pikë të rëndësishme të ndërtimit të ofensivës.

* Shpërdorimi i rasteve të shumta të krijuara në veçanti gjatë pjesës së parë ka qënë një tjetër pikë e nervozizmit jo vetëm në stolin korçar, por edhe në tribuna. Stafi teknik dukshëm i nervozuar kërkonte më shumë saktësi në finalizim, por kontestime për mos përqëndrim vinin edhe nga shkallët e stadiumit veçanërisht tek rasti i Prençit dhe i Rashicës.

* Penalltia që vendosi ndeshjen e djeshme në Korçë u kontestua gjatë nga tifozët që ishin të pranishëm në stadium këtë takim. Akuzat drejt arbitrit dhe kërkesa për të riparë gjithçka në VAR zgjatën për disa minuta. Ndërkaq edhe në stolin korçar kishin dyshimet e tyre për këtë penallti të akorduar në atë dyluftim me Andonit dhe Ramosit në zonën korçare.

* Tensioni erdhi në ritje në momentin kur Gudiabi i Dinamos i ndëshkuar më herët me kartonin e verdhë ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Jurit. Korçarët kanë kërkuar gjatë kartonin e dytë të verdhë për lojtarin teksa për kryesorin ky moment ishte vetëm një faull në favor të Skënderbeut. Moment tensioni që mbarti me vete pretendimet e Skënderbeut për këtë rast.

* Presidenti i Dinamo City në përfundim te ndeshjes ka debatuar me tifozët korçarë. Këta të fundit të pakënaqur me arbitrimin e ndeshjes. Ka qënë Bardhi që është afruar për t’u sqaruar me tifozët e ndodhur në tribunën A Gold se kjo fitore ka qenë e merituar për Dinamon, por është përballur me revoltën e tyre që kontestuan ashpër penalltinë e dhënë në favor të bluve dhe kartonin e kuq të munguar për futbollistin e Dinamos disa minuta pas avantazhit të miqve.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"