Pikantet e Partizani-Kukësi/ Devolli “huton” arbitrin, Hamiti u shpjegon penalltinë kuksianëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2024 | 10:50

Pikantet e Partizani-Kukësi/ Devolli “huton” arbitrin, Hamiti u shpjegon penalltinë kuksianëve

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të sfidës së djeshme mes Partizanit dhe Kukësit e fituar pastër me shifrat 3-0 nga “demat” në stadiumin “Arena e Demave”.

PARTIZANI

* Rreth 450 tifozë ndoqën ndeshjen nga shkallët e stadiumit. Pavarësisht situatës pozitive që Partizani po kalon prej dy vitesh, tifozët vijnë gjithnjë në tkurrje e sipër. Një “grusht” mbështetësish të Kukësit kishin zbarkuar gjithashtu në “Arenën e Demave”.

* Trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, është si një eksploziv në pankinë dhe gjithë kohës në lëvizje, duke korrigjuar dhe inkurajuar të tijtë. Në një moment të pjesës së parë Murati po ekzekutonte një rivënie anësore dhe trajneri shkon dhe e inkurajon me dy shuplaka në fytyrë, si për ta zgjuar.

* Tërësisht të qetë në pankinën e Partizanit, ku në këmbë qëndron vetëm trajneri Shehi, i cili herë pas here në lojë të ndaluar thërret lojtarët e tij për të dhënë udhëzime të reja.

* Mario Beshiraj dhe Franci Lala, të cilët nuk u grumbulluan në këtë ndeshje nga trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, e ndoqën sfidën nga tribuna. Në “Arenën e Demave” u shfaq edhe mbrojtësi i Egnatias, Edison Ndreca. Ky i fundit ishte i pezulluar për skuadrën e tij dhe përveç ndeshjes së rrogozhinasve me Dinamon, ka nxituar për të ndjekur nga shkallët edhe këtë sfidë. Ai ka luajtur pak muaj me “demat”, teksa ka lënë shenjë me fanellën e Kukësit.

* Nderim Nexhipi, ish-kapiten i Partizanit dhe ish-drejtor i Kukësit, ndjek përballjen nga tribuna “VIP”. Gjithashtu, Agim Ibrahimi, ishkapiten i Kukësit, ka udhëtuar për të ndjekur ndeshjen direkt nga stadiumi.

* Bledar Devolli proteston vazhdimisht dhe tërheq vëmendjen e gjyqtarit Bastari, i cili i afrohet për ta paralajmëruar. Në anën tjetër, Partizani vijon lojën dhe i afrohet zonës. Tifozët i tërheqin vëmendjen kryesorit, i cili më pas kthen kokën dhe fërshëllen për të ndaluar lojën. Nuk mungon as një shishe me ujë e hedhur drejt arbitrit në atë moment.

* “Qetë mo shpirti dajës, qetë”, dëgjohet Tafas në një moment kur një prej shokëve i ktheu topin me mjaft forcë.

* Zëvendëstrajneri i Kukësit, Oltjon Kërnaja, dhe zyrtari i Kukësit, Ronaldo Gjici, pas ndeshjes ndalen të bisedojnë rreth momenteve të dyshimta me asistentin e Bastarit në VAR, Eldorjan Hamitin. Gjyqtari nga Lezha shihet teksa shpjegon me gjeste penalltinë e akorduar.

* Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, pas ndeshjes zbriti në dhomat e zhveshjes për të biseduar me ekipin.

* Fitorja nuk festohet aspak në kampin e Partizanit. Tunelet pas ndeshjes ishin tërësisht të heshtura, me lojtarët dhe stafin, që nxituan t’u bashkoheshin familjeve të tyre. Nisur nga mënyra sesi e manifestuan këtë fitore, më së shumti u duk si detyrë shtëpie e kryer si duhet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"