Pikantet e Partizani-Egnatia/ Sherr në fund, arbitri Tejlor kapet me tifozin! Olsi Rama si Murinjo (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 21:01

Pikantet e Partizani-Egnatia/ Sherr në fund, arbitri Tejlor kapet me tifozin! Olsi Rama si Murinjo (E PLOTË)

Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të ndeshjes Partizani-Egnatia, ku të pranishëm në “Air Albania” ishin 11 mijë tifozë.

WhatsApp Image 2024-05-27 at 09.09.01

* Një nga arbitrat më të mirë të dy dekadave të fundit në vendin tonë, Lorenc Jemini, ishte i pranishëm për të ndjekur finalen. Teksa bëhet gati të hyjë në stadium një tifoz e ndal dhe e thërret: “Ku je o Enea Jorgji”. Jemini me e merr me sportivitet këtë ngatërresë.

* Ish të kuq, Eneo Bitri, Egzon Belica, Lorenc Trashi, dhe Eraldo Çinari shfaqen gjithashtu në tribunën kryesore. Eros Grezda po ashtu ndoqi nga shkallët e stadiumit finalen. Jasir Asani, ylli i Kombëtares sonë dhe ish-sulmues i Partizanit ndjek nga afër finalen e madhe.

* Presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk humb rastin as për të parë nga afër këtë përballje.

* Kjo ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe sigurisht ka pasur një interesim të madh nga të gjithë. Këtu bëhet fjalë edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Silvinjo. Ai e ndoqi sfidën nga tribuna së bashku me drejtorin teknik të FSHF-së, Fluvio Pea, por edhe me stafin e tij (Doriva, Zabaleta, Bulku, Salihi). Gjithashtu braziliani është parë edhe duke u takuar me presidentin e Federatës, Armand Duka.

* Në tribunën kryesore nuk munguan as artistë siç ishte këngëtari Shpat Kasapi i veshur me fanellën e Partizanit.

* Që në fillimin e takimit, u hodhën disa kapsolla të fuqishme në fushë, por që nuk sollën pasoja te lojtarët.

* Minuta e 6-të dhe reshjet e shiut fillojnë shtohen ndjeshëm.

* Entoni Tejlor ka kohë të merret edhe me një tifoz në tribunën kryesore, pasi ky i fundit i bërtet fort për një faull të dhënë kundër Partizanit dhe anglezi teksa e dëgjon, i kthehet duke i thënë “Çfarë”, e shoqëruar me veprim me duar, si edhe me një buzëqeshje.

* 18’ Kreu i FSHF-së Armand Duka ngrihet nga vendi tij dhe shkon te dhomat e sipërme të stadiumit.

* Loja nxehet dhe një aksion i Partizanit me Carën që bie në tokë. Tejlor lejon avantazh, por të kuqtë e humbasin për pak topin, ndërsa gjyqtari e jep faull. Protestë nga Zejnullai dhe Aleksi drejt arbitrit të Premier Ligës, por që kartonët u kursyen.

* Rrapaj shkakton faull dhe në nerva e sipër godet topin te tabelat anësore, ndërsa Tejlor e ndëshkon me karton të verdhë.

* Para se të mbarojë pjesa e parë, ka një përplasje kokë më kokë mes Sotës dhe Xhemajlit, teksa kryesori i sfidës thërret ndihmën mjekësore në fushë. Fatmirësisht asgjë serioze.

* Orges Shehi, përgjithësisht i qetë në pankinë, humb durimin në të 67-ën në një rast të humbur të Taipit, që u ndal nga Sherri në momentin e fundit. Trajneri përplas me forcë shishen e ujit që mbante në dorë.

* 76’ Stafi i FSHF-së sjell podiumin ku do të vendoseshin Kupa dhe medaljet, por ishte pak shpejt, pasi podium pengonte disa tifozë që të shihnin ndeshjen. Pas kësaj, ata morën podium dhe u larguan.

* Cara zëvendësohet në të 84-ën dhe për të kursyer kohë del nga ana tjetër e fushës. Teksa ecën përqark, i bie shkurt të flamujt e këndit dhe futet pak metra në fushë. Nga ana tjetër i bie Murataj që po ashtu zëvendësohet. Teksa kalon mbrapa portës së Egnatias, merr me vrap një top dhe i jep Sherrit për të ekzekutuar rivënien fundore dhe mos humbur kohë.

* Rezart Rama teksa pret që të kryejë rivënien anësore, disa tifozë të Partizanit e lagin me ujë dhe e qëllojnë me gota plastike. Një prej gotave, anësori e godet me finte.

* Minutat e fundit emocionuese te Egnatia. Mesfushori Arbin Zejnullai i cili u zëvendësua në fund, priste vërshëllimën e fundit i ulur në gjunjë pranë stolit. Teksa Tejlor sinjalizoi fundin e takimit, të gjithë stoli dhe lojtarët shpërthyen në festë.

* Maget Gueje duket i shkatërruar pas ndeshjes. Të gjithë shokët futen në dhomat e zhveshjes dhe në fund mbetet vetëm senegalezi.

* Qindra tifozë të Partizanit qëndrojnë edhe gjatë ceremonisë së nderimit të kampionëve. E kanë me Aleksin, të cilin e ofendojnë në kor.

* Treshja e gjyqtarëve angleze priste momentin e medaljeve në fushë. Në atë kohë, Sembene kapet me Montenegron dhe Entoni Tejlor vrapon menjëherë dhe i ndan.

* Olsi Rama kopjon Murinjon. Teksa portugezi priti në tunel gjyqtarin anglez pas finales Roma-Sevilja për t’i kërkuar shpjegime, të njëjtën gjë bëri edhe drejtori i Partizanit, teksa bënë një replikë të vogël, kur gjyqtari ishte duke u larguar.

* Në fundin e takimit, disa persona kërkonin që të zbrisnin nga tribuna në fushë, teksa ndeshën para rojet e sigurisë që nuk po i linin të kalonin. Ndërkohë situata agravohet dhe ka edhe përplasje fizike, duke u shtyrë, teksa një person tenton të godasë shefin e “Security”-t përgjegjës në stadium. Më pas, rojet e sigurisë tërhiqen dhe personat zbresin në fushë.

KRISTI SEJATLLARI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"