Pikantet e Partizani-Dinamo/ Lojtarët e kuq i lënë jashtë, stadiumin e mbushin… turistët
Ndeshja e së shtunës mes Partizanit dhe Dinamos, e fituar nga “demat” me shifrat 2-0, u ndoq nga një numër i kënaqshëm spektatorësh, rreth 2500. Ra sërish në sy prania e konsiderueshme e turistëve, të paktën në tribunën kryesore. Mesa duket janë pikërisht të huajt që po mbushin stadiumet tona, në një kohë kur vendësit e kanë humbur frikshëm besimin dhe rrjedhimisht interesin.
* Hadroj kryen seancën e radhës rikuperuese para startit të ndeshjes. Mbrojtësi nuk ia doli të jetë gati për këtë derbi dhe e ndoqi ndeshjen nga sektori “VIP”.
* Ndeshja nis me një nderim për ish-punonjësin e klubit, Luan Gjini, që humbi jetën në moshën 52-vjeçare disa ditë më parë për shkak të luftës së gjatë me sëmundjen e diabetit. Barjamaj sinjalizon edhe mbajtjen e një minute shtesë.
* Lorenco Vila kryen një ndërhyrje të ashpër ndaj Gjelbrim Taipit në minutën e parë. Barjamaj e fal dhe i bën me shenjë se përfitoi vetëm për shkak se ndeshja sapo kishte nisur.
* Për herë të parë në këtë sezon Partizani merr masa që edhe në tribunën përballë tifozët të konsumojnë birra, duke vendosur një mini-birrari.
* Partizani shënon në minutën e 30-të. Lojtarët e Dinamos pretendojnë për një faull gjatë aksionit dhe përpiqen të marrin sa më shumë kohë. Behiratçe mban topin në dorë dhe refuzon ta dërgojë në mesfushë për të rinisur lojën.
* Turistë të shumtë në tribuna, që vijnë për të ndjekur derbin. Në momentin që shënon Partizani zgjedhin të brohorasin për të kuqtë. I qëndrojnë besnikë deri në fund dhe hyjnë ndjeshëm në atmosferën e ndeshjes.
* Sembene dhe Qirko mundohen të hutojnë Denisonin në momentin e penalltisë. Mbrojtësi refuzon t’i japë topin, ndërsa portieri ia heq nga pika e bardhë. Në fund portieri i gjen krahun dhe ia pret 11-metërshin.
* Drejtori Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Fulvio Pea, ishte i pranishëm për të ndjekur derbin nga shkallët e stadiumit. Presidenti Demi e ndoqi ndeshjen nga zyra e tij.
* Disa nga lojtarët e Partizanit, që nuk ishin të grumbulluar në këtë ndeshje, mbeten jashtë stadiumit në pushimin mes pjesëve. Oficerët e sigurisë nuk i lejojnë ata të hyjnë pa bileta. Bytyçi, Janjeva dhe Tahri qëndrojnë thuajse 10 minuta në pritje. Fillimisht hyn mbrojtësi dhe pas disa çastesh edhe të tjerët.
* Në fund të ndeshjes Skuka dhuron fanellën e tij për një vajzë të vogël në tribunë. Në momentin kur ai po ja jepte, një tjetër tifoz ndërhyn dhe e merr me forcë fanellën. Më pas Skuka nuk e lejon, duke ia dhënë fanellën tifozes së vogël. Zotëria më pas i kërkon falje Xhulios.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"