Pikantet e Kukësi-Erzeni/ Revoltë për humbjen, tifozët pushtojnë fushën dhe sulmojnë arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 22:38

Pikantet e Kukësi-Erzeni/ Revoltë për humbjen, tifozët pushtojnë fushën dhe sulmojnë arbitrat

Revoltë në Kukës, me tifozët që nuk pranojnë rezultatin dhe futen në fushë, duke detyruar gjyqtarin që të ndërpresë ndeshjen pas golit të dytë të Erzenit në minutën e 64-t. Skuadrat dhe gjyqtarët futen në dhomat e zhveshjes për sigurinë e tyre.

bandicam 2024-02-25 15-12-18-092

Në ato momente shihet që sende të forta hidhen drejt gjyqtarëve dhe policëve, ku njëri prej tyre goditet në kokë. Pas diskutimeve, nga delegati i ndeshjes jepet urdhri që loja duhet të rifillojë pas zbrazjes së tribunave pas portave, një vendim i cili është ndeshur edhe në kampionatet europiane, ndërsa rrallë e shohim në Superiore. Tribuna mbrapa porte, aty ku qëndrojnë ultrasit, por edhe ajo ballore me qendroren më pas duhet të boshatisen.

Kështu e pësojnë edhe tifozët e Erzenit, të cilët policia i largon të parët për arsye sigurie. Sfida rinis pas plot 25 minutash, në minutën e 64-t të sfidës, aty ku edhe u ndal. Sakaq, pas ndalimit të lojës, tifozët vendës e kanë me federatën duke thërritur “turp-turp” dhe ofenduar në kor.

Situata me dhunimin e fushës nuk është diçka e re për Kukësin, sepse pati ndodhur edhe më herët, ku kulmoi edhe me Partizanin pak javë më parë në momentin e goditjes së penalltisë në fundin e sfidës. Ja momentet më pikante që sjell “Panorama Sport” nga ndeshja në Kukës.

* Ende pa nisur mirë ndeshja, nisin problemet për ekipin e Erzenit për shkak të dëmtimeve. Fillimisht Skerdi Bejzade pati llogaritur për në formacion sulmuesin Marzuk, por ai është dëmtuar gjatë nxehmjes. Në këtë mënyrë në lojë e nisi si titullar Redon Mihana, i cili luan vetëm 45 minuta dhe nuk lë gjurmë.

* Terreni i “Kukës Arena” nuk ishte në ditët e tij më të mira, ku herë pas here lojtarët patën probleme në qarkullimin e topit, duke bërë edhe gabime të shpeshta.

* Tensioni nis që në minutën e 10-të ku Kacbufi kapet me Rivasin, për një goditje me këmbë të futbollistit të Kukësit ndaj atij të Erzenit jashtë vijave kufizuese. Një situatë që tregon edhe presionin e ekipeve në fushë, në një kohë që kryesori e zgjidh me një këshillim për të dy.

* Mbarak has vështirësi për të gjetur shokë të zbuluar dhe shpesh herë u flet që të gjejnë hapësira, pasi nuk ka se ku të dërgojë topin.

* Kahrimanoviç shihet shpesh të kërkojë llogari te gjyqtari për çdo rast të dyshimtë apo për vonesat e lojës së kundërshtarit. Situata në të cilat arbitri i zgjidh duke ia sqaruar vendimet.

* Shokët e skuadrës nervozohen me Maliqin për një goditje që kreu drejt portës dhe nuk preferoi të pasonte te një tjetër lojtar të zbuluar.

* Abdou dhe Rivas përpiqen të vënë në presion Kahrimanoviç në momentin e penalltisë, duke i ushtruar “presion”.

* Beshiraj përpiqet që të qetësojë Tafasin dhe i thotë të mos dorëzohet, duke parë që kapiteni ishte i pezmatuar pas golit të dytë të miqve.

* Tifozët e Kukësit nuk e lënë në baltë skuadrën edhe pas përjashtimit nga ndeshja, pasi qëndrojnë jashtë rrethimit të stadiumit dhe mbështesin ekipin e tyre në minutat e mbetura.

* Në fund ka lot në kampin blu, me lojtarët që shtrihen në fushë, pasi kjo humbje praktikisht i le me një këmbë në Kategorinë e Parë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"