Pikantet e Dinamo-Vllaznia/ Tifozët humbën 45 minuta, Di Biaxhon e tërboi një top. Koçi “kërcënoi” Memellin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 19:20

Pikantet e Dinamo-Vllaznia/ Tifozët humbën 45 minuta, Di Biaxhon e tërboi një top. Koçi “kërcënoi” Memellin

Për të ardhur keq kur sheh një stadium krejtësisht të boshatisur, me dy ekipe si Dinamo dhe Vllaznia, që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar. Në këtë ndeshje të luajtur dje në stadiumin “Elbasan Arena”, nuk numëroheshin më shumë se 300 të pranishëm. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e takimit.

385512272_811092977692049_311152602936493785_n

* Ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare, nuk i ndahet Dinamos në stadium, teksa Di Biaxho e sheh edhe si hajmali. Për fat të keq, mbrëmjen e djeshme nuk u solli fat dinamovitëve dhe trajnerit italian.

* Luixhi di Biaxho, që në startin e ndeshjes ka diçka me gjyqtarin e katërt, Juxhin Xhaja. I bën me shenjë me duar dhe gjyqtari e dëgjon. Edhe Memelli i nis shumë shpejt pretendimet e tij te Xhaja.

* Zv.trajneri i Dinamos, Ledian Memushaj, është në plot kuptimin e fjalës një ndihmës për Di Biaxhon. Thuhet kështu, pasi jo në pak raste italiani ulej në pankinë, qetësohej dhe ishte shqiptari që jepte udhëzimet. Më pas stafetën e merrte sërish Di Biaxho.

* Migen Memelli tërbohet me Eslit Salën, pasi ky i fundit nuk përdor këmbën e majtë. Trajneri i Vllaznisë ia sqaronte që ndonjëherë edhe duhet ta përdori të majtën, edhe për shpejtësi dhe jo të presë vetëm nga e djathta. Shansi i keq i lojtarit që në këtë ndeshje luajti nga halli i mungesave në skuadër, pikërisht si mbrojtës i majtë në pjesën e parë, pasi pozicioni i tij natyral është mesfushor qendre.

* Pas dëmtimit që mori në kokë në një përplasje, mbrojtësi i majtë i Dinamos, Ilir Allmuça, luajti me kokën të fashuar deri në fund.

* Ultrasit e Vllaznisë vijnë vetëm në fundin e pjesës së parë në stadium dhe i japin pak atmosferë ndeshjes. Mesa duket ishin bllokuar në trafikun e kryeqytetit dhe praktikisht e humbën pjesën e parë.

* Në fundin e pjesës së parë, Memelli pret mbërritjen e arbitrit Andi Koçi për t’u sqaruar për disa vendime që nuk i kanë pëlqyer, në një kohë që u ndëshkua me të verdhë në minutën e 39-të për protesta. “Nëse e bën edhe një herë, do të dalësh jashtë”, iu drejtua arbitri trajnerit.

* Në minutën e 18-të, arbitri Koçi pengon pa dashje në një aksion mesfushorin e Dinamos, Bakari Gudiabi. Më pas senegalezi tërbohet me veten e tij, ku mjaftoi një top i gabuar për të nxjerrë gjithë dufin dhe bërtitur me të madhe.

* Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, acarohet jashtë mase me mbrojtësin e Dinamos, Ali Samake, pas një ndërhyrjeje të këtij të fundit në minutën e 20-të.

* Stadiumi “Elbasan Arena” do të mbyllet për pak javë, pasi do të mbillet bari i fushës. Në njërën nga portat hyrëse të impiantit dukeshin qartë edhe disa nga materialet që nevojiten për këtë proces.

di biaxho

* Di Biaxho mban në xhepin e tij një letër me stilolaps, të cilën e nxjerr nga xhepi në minutën e 60-të. Shënon diçka dhe e rifut sërish.

* “Na e hoqe trurin mo, do të bësh ndonjë ndërrim apo jo. Ngelëm duke u rraf çdo ndeshje”, ia behu një nga tifozët dinamovit nga tribuna që nuk po përtypte më këtë rezultat dhe gjendjen e skuadrës.

* Një pjesëtar i stafit, i ulur në pankinë, tërbon Di Biaxhon, pasi hedh një top në fushë. Trajneri shkon e merr dhe i kthehet: “Mund ta di çfarë dreqin bën”, në një kohë që Dinamo ishte duke u mundur.

* Bekim Balaj dhe Ledian Memushaj qëndruan bashkë në fundin e ndeshjes, duke diskutuar gjatë. Pranë tyre ishte edhe drejtori sportiv i Dinamos, Haris Fakiç. Mesa duket, dy lojtarët kujtonin periudhën kur ishin pjesë e Kombëtares, teksa u kualifikuan në Europianin 2016.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"