Pikantet e Dinamo-Skënderbeu/ Blutë iu “marrin” edhe picat korçarëve, një tifoz tërbon policët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2023 | 19:12

Pikantet e Dinamo-Skënderbeu/ Blutë iu “marrin” edhe picat korçarëve, një tifoz tërbon policët

Për të ardhur keq kur sheh tribunat e boshatisura. Në ndeshjen e djeshme në stadiumin “Elbasan Arena” mes Dinamos dhe Skënderbeut, që nisi në orën 17:00, nuk kishte më shumë se 100 të pranishëm. Madje, pjesa më e madhe e tyre u ulën në tribunën e medias. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e sfidës që përfundoi me fitoren e bluve.

gdh

* Dinamo ka pak të pranishëm në stadium që e ndjekin nga afër, por ndonjëri prej tyre është edhe i zhurmshëm. Për këtë arsye, për pak çaste policia nxjerr njërin prej tyre jashtë. Për pak kohë forcat e rendit e “instruktojnë” tifozin që të qëndrojë urtë. Ai rikthehet në stadium dhe vijon “avazi”, por kësajhere janë thuajse të gjithë të pranishmit aty pranë që bërtasin, me policinë që detyrohet të “dorëzohet” dhe lë të qetë tifozin.

* Sulmuesi i Dinamos, Luis Kaçorri, ka një gol me dedikim, teksa nxjerr fanellën e Redon Danajt. Dedikim kishte edhe Lorenco Vila, teksa pas shënimit bën me shenjë nga tribuna qendrore. Danaj ka pësuar një dëmtim të rëndë në javën e kaluar dhe do të mungojë gjatë.

* “Profe, bëje gati”, i thonë mjekët Mehmetit kur po nxirrnin nga fusha e lojës të dëmtuar Smaçin, i cili nuk mund të vazhdonte më.

* Kapiteni i korçarëve, Erlis Frashëri, ankohet te gjyqtari i katërt se kryesori po e ofendon. Ndal lojën për pak sekonda në minutën e 25-të dhe shkon ankohet te Klodian Prenga. Afrohet trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe e shtyn të futet në lojë dhe ta lërë me aq.

* Një tifoz dinamovit mërzitet për një moment me arbitrin dhe ia beh. “Po ça keme Dinamon mo arbitër, s’ekuptoj se çfarë ju ka bërë Dinamo…?!”

* Mesfushori i Skënderbeut, Dean Liço, tërbohet me një faull në sulm që i jep kundërgjyqtari, duke bërtitur. “Çfarë faulli ishte ky moooo!”, bërtiti jo pak me nerva lojtari korçar.

* Në fund ka një ngatërresësa u përket picave. Përpos fitores, Dinamo desh ia mori edhe picat… Skënderbeut. Dërguesi i picave i kishte çuar në dhomën e bluve, ndaj u desh që dikush nga stafi korçar të shkonte në sektorin e kundërshtarëve dhe të merrte picat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"