Pikantet e Bylis-Vllaznia/ Pak tifozë edhe me hyrje falas, por s’ka as shkodranë. Ja çfarë nuk u pa në TV
“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, ku Vllaznia fitoi me shifrat 0-2.
* Ndeshja Bylisi-Vllaznia nuk u ndoq në tribunën VIP nga drejtuesit shkodranë, të cilët munguan në këtë sfidë. Si zakonisht, në këtë sektor ishin të ulur presidenca e Bylisit me vëllezërit Kapllanaj.
* Një numër i paktë tifozësh, edhe pse presidenti i Bylisit lejoi hyrjen falas në tribunën ballore të stadiumit “Adush Muça”. E mbipopulluar ishte vetëm tribuna kryesore, ndërsa kanë munguar këtë herë tifozët fanatikë që ndjekin Vllazninë kudo në Shqipëri.
* Kanë debutuar dje me Bylisin dy afrimet e merkatos së janarit, edhe pse janë bashkuar me skuadrën në ditët e fundit. Vangjel Zguro dhe Kristi Kote janë aktivizuar në pjesën e dytë, ndërsa janë duartrokitur nga tifozët. Zguro mori një karton të verdhë në debutimin e tij.
* Shirat kanë qenë të shumtë në dy ditët e fundit në zonën e Mallakastrës, por fusha nuk e kishte humbur shkëlqimin. Lojtarët e të dyja skuadrave shfaqën potencialin e tyre në një fushë fantastike.
* Tifozët ballshiotë kanë shfaqur pakënaqësi ndaj gjykimit të kryesorit Dyrmishi, duke kontestuar atë në disa momente.
PANORAMASPORT.AL
