Pikante nga Flamurtari-Elbasani/ Rikthehen ultrasit, Idrizi kërkon të ndalen ofendimet. Barazimi kënaq Kasën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 15:45

Pikante nga Flamurtari-Elbasani/ Rikthehen ultrasit, Idrizi kërkon të ndalen ofendimet. Barazimi kënaq Kasën

Pas shumë kohësh mungese grupimi i ultrasve vlonjatë, “Flota Kuqezi”, rikthehet në stadium. Përpara nisjes së takimit lojtarët vendës përshëndesin ultrasit. Edhe tribuna qendrore ishte e tejmbushur.

flamurtari elbasani

– Trajneri Memushi përgëzon Oliveirën pas golit të Shkurtajt, ndërsa vlonjati tregon drejt tribunës logon e Flamurtarit.

– Memushi është parë të diskutojë shpesh me stafin, por edhe me delegatin dhe vëzhguesin për vendimet e gjyqtarëve. Zv.trajneri Andi Ribaj, pas përfundimit të pjesës së parë, shikohet të flas me gjyqtarët që po futeshin në tunel.

– Sinan Idrizi komunikon në telefon me përfaqësues të klubit që të kërkonin nga “Flota Kuqezi”, që të ndalnin ofendimet në kor.

– Trajneri Memushi nxehet me lojtarët, për rastet e humbura në sulm.

– Sinan Idrizi zbret nga tribuna në mbylljen e pjesës së parë dhe debaton me nëndrejtorin e Policisë së Vlorës, pasi largohet nga tribuna një zyrtar i klubit.

– Artim Pollozhani rikthehet në Vlorë. Ai ndjek ndeshjen përkrah Idrizit në tribunë.

– Stafi i Elbasanit bën lëmsh zëvendësimet. Trajneri kërkon që të ulet tabela pasi numrat nuk ishin të sakta. Pak minuta më vonë, hidhen në fushë Hasani dhe Hoxha.

Kasa: Na kënaq rezultati

Klevis Kasa realizoi një supergol dhe pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte një ndeshje e bukur dhe e luftuar. Duhet të bënim më mirë në disa raste, por përsëri jemi të kënaqur rezultatin. Me këtë ecuri po shkojmë drejt objektivit, që të çojmë në Elbasan titullin kampion. Golin ia dedikoj familjes, pasi ka qenë mbështetje për mua në çdo hap, por edhe ekipit dhe tifozëve tanë të mrekullueshëm”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"