Pësojnë më shumë se të gjithë, pushimi si ilaç/ Pritet analizë e thellë te klubi i Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 23:21

Pësojnë më shumë se të gjithë, pushimi si ilaç/ Pritet analizë e thellë te klubi i Kategorisë së Parë

Besa po kalon nga humbja në humbje. Verdhezinjtë po thellojnë rekordin negativ, për sa u përket golave të pësuar. Kanë marrë plot 17 në vetëm 7 javë dhe sikur të mos mjaftonin këto shifra, janë edhe të parafundit në renditje.

besa

Kanë vetëm 4 pikë në total nga 21 të mundshme dhe më këtë ecuri, mbijetesa bëhet e vështirë. Që diçka nuk shkon te ky ekip, kjo dihet. Edhe ndaj Flamurtarit prodhuan në disa fragmente lojë të mirë dhe raste, por jo vetëm nuk shpërblehet, por ndodh më e keqja. Ua dhuron vetë golat kundërshtarëve. Goli i parë i pësuar ishte i evitueshëm dhe aq më shumë i dyti.

Një grup që ka çfarë të korrigjojë që nga porta deri në majën e sulmit. Alternativat në stolin e Lorenc Pashjës janë thuajse pa asnjë peshë e mundësi për të ndryshuar gjërat në fushë në raste situatash. Në thuajse të gjitha ndeshjet e fundit, prapavija ka pësuar gola amatorë.

Trajneri do të deklaronte se ndaj Burrelit (kur Besa u mund 4-1), ekipi zhvilloi lojën më të keqe. Ndërkohë që edhe kur luan mirë (si ndaj Flamurtarit), përsëri ndëshkohen. Ndërprerja e kampionatit mund t’i shërbejë Besës, më shumë se kujtdo. Këto 10 ditë do të shfrytëzohen për të kryer një analizë të thellë dhe vendosur pikat mbi “i” në lidhje me situatën në të cilën ndodhen.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"