Pesë ndeshje pa humbje, Magani: Unë edhe Brazilin dua ta mund, jo më… Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2022 | 20:16

Pesë ndeshje pa humbje, Magani: Unë edhe Brazilin dua ta mund, jo më… Dinamon

Gugash Magani e di se çfarë kërkon. Njihet tashmë ambicia e tij si trajner, që ka dëshmuar kudo që ka drejtuar. Kjo duket qartë edhe këtë sezon te Besa. E nisi me një ekip që shfaqi luhatje të mëdha në start, por sot e sheh veten në vendin e tertë. U ngjitën si me “ashensor” dhe zyrtarisht kanë fituar statusin e pretendentëve.

MAGANI

Në prag të përballjes me Dinamos, peqinasi e pranon se është e paparashikueshme, por qartazi e thotë se do fitoren. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai përgjigjet kështu kur pyetet për pritshmëritë që ka nga ky 90-minutësh: “Çdo trajner ka dëshirë që ekipi i tij të fitojë, për të marrë frytet e punës. Unë edhe kundër Brazilit do të doja që ekipi im të fitonte. Tjetër gjë pastaj çfarë jep 90- minutëshi…”

PATHYESHMËRIA

Verdhezinjtë vijnë në këtë përballje me një vazhdimësi rezultatesh pozitive, kanë 5 ndeshje pa humbur dhe 3 pa pësuar. “Kemi arritur të harmonizojmë grupin. Përtej moshës fare të re, futbollistët po fitojnë më shumë përvojë. Sigurisht që nuk janë aty ku unë dëshiroj, por loja e tyre ka filluar të ka kënaqë. Kemi 3 ndeshje pa pësuar gol dhe për më tepër kemi marrë dy fitore në dy transferta të vështira.

Ndryshe nga Cërriku apo Tërbuni, Dinamo ka tjetër kostum e peshë. Ata janë 18 herë kampionë të Shqipërisë, ndaj e parashikoj të fortë. Por edhe ne kemi po aq emër e histori sa ata, ndaj prisni një ndeshje mes të barabartësh. Blutë me të drejtë synojnë rikthimin në elitë dhe mbeten një ekip i mirorganizuar dhe përballë do të kenë Besën që vijon të rritet e të bindë nga ndeshja në ndeshje. Kur luajnë të tilla ekipe, duhet të përgatitesh për tri rezultate. Kjo pasi si Dinamo ashtu edhe Besa janë të afta të të ndëshkojnë në gabimin më të vogël që bën”, theksoi 57-vjeçari.

KËSHILLAT

Tekniku pret një ekip cinik dhe sidomos kur bëhet fjalë për një ekip që prodhon vazhdimisht shumë, por shënon pak. “U kam kërkuar lojtarëve të mi të jenë të kujdesshëm gjatë gjithë ndeshjes, të sakrifikojnë nga minuta e parë e deri në të 90- ën. Veçmas pres që sulmuesi të jenë cinik, por edhe altruist kur duhet. Kuptohet që objektivi ynë mbetet trepikëshi, por preferoj që këtë t’ia lëmë më mirë fushës. Kush do të gabojë më pak, ai do të dalë i fituar”, përfundoi Magani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"