Personalitet dhe sakrificë, ja si Barça zbërtheu PSG-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 13:16

Personalitet dhe sakrificë, ja si Barça zbërtheu PSG-në

Të flasësh që tani për një kualifikim të Barcelonës në gjysmëfinale do të ishte një shkarje këmbe.

barca

Aq më shumë që goli në fushë kundërshtare nuk vlen si dikur. Por suksesi 2-3 në Paris në ndeshjen e vajtjes çerekfinale në Ligën e Kampioneve tregoi shumë gjëra pozitive për ekipin e Ksavit. Të martën e ardhshme, katalanasit do të kenë dhe një avantazh më shumë, se do të luajnë përpara publikut të tyre që pret prej vitesh një mbrëmje të madhe Champions-i. Barcelona fitoi në Paris, sepse thjesht luajti më mirë sesa PSG-ja. Madje, me pak kujdes mund të kishte bërë më shumë dëme.

PERSONALITET – Suksesi 2-3 në Paris është dëshmi se Barça ka më shumë futboll sesa u tha dhe se Ksavi ka arritur të ndërtojë një ekip që është i aftë të luajë me personalitet në një stadium të vështirë dhe që ka në radhët e saj lojtarin në modë (Mbape). Barça diti ta lexonte mirë ndeshjen. Është e vërtetë se ajo “dorëzoi” topin te kundërshtari, por nuk e humbi kurrë kontrollin e lojës.

SHFRYTËZIMI I HAPËSIRAVE – Ajo që ishte planifikuar dhe ekzekutuar në stërvitje për 10 ditë shkoi në mënyrë thuajse perfekte edhe në ndeshje. Barça kishte lëvizshmëri dhe lojtarët shkëmbeheshin në hapësirë. Edhe një herë, Rafinja tregoi se është lojtari më i mirë në topat pas mbrojtjes kundërshtare… dhe kështu shënoi dy gola, ishte lojtari më i mirë i ndeshjes dhe bëri paraqitjen e tij më të mirë me fanellën blaugrana.

INDIVIDËT U PËRGJIGJËN – Versioni mjaft i mirë kolektiv i Barçës bazohej në një nivelin shumë të lartë të individëve. Kunde eliminoi Mbapenë, Arauho shpëtoi në më shumë se një rast golin e tretë të Parisit, Kanselo vuajti, por e mbrojti mirë Dembelenë. Gyndoan shkëlqyeshëm, Levandovski i madh, De Jong dhe Pedri madhështorë në rikthimin e tyre. Kristensen në topin e parë që preku, shënoi golin e fitores.

KËMBËNGULJA – Europa tregoi edhe njëherë se mjafton të fikësh për një çast motorin dhe e gjen veten të zhytur në fund. Barcelona e provoi mbi kurriz, kur në 3 minuta shkoi nga 1-0 në 1-2. Por ndryshe nga herët e tjera, Në Paris skuadra nuk u dorëzua. Gjeti forcën e reagimit dhe përmbysi rezultatin.

SAKRIFICA – Ishin shtatë lojtarët e Barcelonës që rrezikonin ndeshjen e kthimit në rast ndëshkimi me karton. Dy prej tyre u dogjën, Serxhi Roberto dhe Kristensen. Edhe mund t’i kishin shmangur kartonët, por me faullet taktikë të kryer ata menduan për Barçën dhe jo për veten.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"