Përfundon “armëpushimi” mes Levës dhe Bajernit, polaku rebelohet dhe një herë për largimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 14:49


Përfundon “armëpushimi” mes Levës dhe Bajernit, polaku rebelohet dhe një herë për largimin

Robert Levandovski dhe Bajerni kanë rinisur luftën për të forcuar largimin e tij nga Bundesliga këtë verë. Sulmuesi i cili ka arritur akordin me gjigantët e La Ligës, Barcelonën, për të firmosur një kontratë 2-vjeçare me opsionin edhe për një tjetër sezon, sipas katalanases “Sport”, ka parë që ulja e toneve me klubin e tij nuk ka sjellë rezultat.

levandovski - bajern

Bajerni po refuzon të flasë me të, duke i kujtuar se ka edhe një vit kontratë dhe deri tani ka refuzuar çdo interes nga Barcelona. Dhe sipas “Sport”, sulmuesi polak do të dalë të flasë publikisht përsëri nëse ai dhe Bajerni nuk arrijnë në një marrëveshje për transferimin që këtë merkato.

Gjithnjë sipas burimeve të medias katalanase, 33-vjeçari e ka bërë të qartë se ai nuk do të prezantohet në ditën e parë të grumbullimit me skuadrën në 12 korrik dhe gjatë këtyre ditëve vazhdon të këmbëngulë që Bajerni të ulet në tavolinën e bisedimeve.

Një bisedë u mbajt mes tij dhe drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, në Majorka, ku ai këmbënguli edhe një herë se nuk ka ndryshuar mendje dhe pret që të arrijnë një marrëveshje për largimin.

Por Bajerni nuk e ka zbutur ende qëndrimin. Ata e presin atë në qendrën stërvitore në javën e dytë të muajit të ardhshëm. Java që vjen pritet të jetë vendimtare për të parë nëse Barcelona do të rikthehet me një ofertë të tretë apo do të vazhdojë të luajë me presionin që po bën vetë sulmuesi.

Bajerni deri tani nuk pranon asnjë ofertë më të ulët se 50 milionë euro. Ndërkohë që katalanasit janë ende 15 milionë euro larg asaj që kërkojnë rekordmenët e Gjermanisë.

“Historisë sime me Bajernin i ka ardhur fundi. Unë nuk mund të imagjinoj një bashkëpunim të mëtejshëm pozitiv. Shpresoj që ata të mos më pengojnë të largohem vetëm sepse munden. Transferimi është zgjidhja më e mirë për të gjithë”, tha sulmuesi pak ditë më parë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL