Përballja ndaj Dinamos, Lorenco Vila: Ndihemi mirë me Arapin, kemi shanse për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2021 | 11:43

Përballja ndaj Dinamos, Lorenco Vila: Ndihemi mirë me Arapin, kemi shanse për titull

Lorenco Vila është i bindur se Teuta i ka të gjitha shanset për të përsëritur suksesin e sezonit të kaluar. Në konferencën e djeshme për mediat, sulmuesi doli në krah të trajnerit Renato Arapi. Ai beson se skuadra do të bëjë kthesën, duke filluar nga ndeshja e sotme. Sipas 22-vjeçarit, blutë duhen vlerësuar maksimalisht për përbërjen që kanë.

LORENCO VILA

Lorenco, si është të kesh trajner Arapin, që deri pak kohë më parë ka qenë shok skuadre për ju?

Personalisht, si unë dhe i gjithë ekipi ndihemi mirë që kemi trajner Arapin, pasi para pak kohësh ka qenë kapiteni ynë. Edhe në dhomat e zhveshjes ka qenë kapiten, duke na dhënë këshilla, si atëherë dhe tani. Unë shpresoj të ketë sukses, ashtu si lojtar, që ka fituar trofe. Kam besim se do ia dalë dhe si trajner të bëjë të njëjtën gjë.

Ku mendoni se gabuat ndaj Vllaznisë?

Ndaj Vllaznisë mendoj se në momentin që kaluam në avantazh, nuk duhet të na ndodhë më që të tërhiqemi mbrapa, por duhet të dyfishojmë rezultatin për të qenë të qetë. Uroj që në ndeshjen e radhës mos t’i bëjmë më këto gabime.

Çfarë prisni nga ndeshja me Dinamon?

Dinamo është një ekip mjaft i mirë, që duhet ta vlerësojmë, pavarësisht disfatës së fundit në Laç. Teuta futet në fushë vetëm për tri pikët dhe kam besim se do ia dalim.

Është kjo ndeshja e duhur për të bërë kthesën e madhe?

Shpresoj shumë, prandaj dhe thashë që mendojmë vetëm tri pikët. I kemi të gjitha mundësitë të kthehemi te fitoret.

Ndiheni në 100 për qind të formës apo ju duhet ende kohë të merrni veten plotësisht pas rikthimit nga dëmtimi?

Të them të drejtën, besoj se dëmtimin e kam hedhur pas krahëve, pasi u bë ndeshja e pestë që luaj 90 minuta. Duhet të jap më shumë për ekipin dhe uroj që të kemi rezultate pozitive në vazhdimësi.

Sa shanse mendoni se keni për të përsëritur sezonin e kaluar?

Unë besoj se kemi shanse, sepse po ta mendosh, edhe një sezon më parë Vllaznia në dy fazat e para na ishte shkëputur 10 pikë. Mirëpo, ne arritëm t’ia dalim. Tani është ende herët, por kam besim se do të ndodhë e njëjta gjë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"