Përballja me Benfikën në çerekfinalen e Champions-it, Zaneti: Dinjitoze, Interi “I madh” si në ‘65-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 11:41

Përballja me Benfikën në çerekfinalen e Champions-it, Zaneti: Dinjitoze, Interi “I madh” si në ‘65-ën

Havier Zaneti ka qenë i pranishëm në Nion në hedhjen e shortit, aty ku goglat i kanë rezervuar si kundërshtar Benfikën në çerekfinalet e Champions League.

HAVIER ZANETI

Përballja që sjell në vëmendje finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1965, është një kujtim i ëmbël për zikaltrit që në atë duel të fituar në 27 majin e largët falë golit të Zhair shtuan trofeun e dytë të Kupës së Kampionëve në palmaresin e tyre dhe hynë në histori me atë që u quajt si “Interi i madh”.

“Kjo përballje është finalja e ‘Interit të madh’, një finale për të cilën kam pasur fatin dhe nderin të bisedoj me legjenda si Faketi, Suarez, Macola dhe Bedin. Shpresoj që edhe skuadra aktuale të jetë në lartësinë e emrave të tillë”, e nisi deklaratën e tij zëvendëspresidenti i Interit që më pas analizoi edhe kundërshtarin: “Ishte një short dhe një rival i rëndësishëm. Benfika është një skuadër e fortë që ka dëshmuar se është në lartësinë e të gjithë konkurrentëve. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por çdo kundërshtar me të cilin do të përballeshim në këtë pikë do të ishte i vështirë dhe i ndërlikuar”.

ITALIANET – “Kishte kohë që nuk kishte kaq shumë skuadra italiane në Champions? Është e vërtetë dhe kjo është një gjë e mirë. Ne jemi të lumtur që përfaqësojmë futbollin italian, duke pasur parasysh shortin, të gjithë kemi mundësi të mira. Shpresojmë të jemi në nivelin e duhur”.

PRITSHMËRITË – “Otamendi nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e parë? Do të mungojë një lojtar i rëndësishëm, e ka treguar këtë në Kupën e Botës. Ka karakter dhe përvojë të madhe, do të jetë një humbje e rëndësishme për ta. Për ne mund të jetë një avantazh, por ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe shumë të fokusuar te pjesa tjetër e ekipit. Ata kanë shumë cilësi dhe lojtarë që mund ta shpikin zgjidhjen e lojës në çdo moment. Ne do të luajmë lojën tonë dhe do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme”.

REAGIMI – “Këtë herë nuk pata mimika të veçanta kur u hodh shorti? Isha shumë i përqendruar dhe përveç të tjerave kisha në krah edhe përfaqësuesit e Benfikës. Kur u mësuan kundërshtarët, u përshëndetëm me Simaon”.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"