Përballja Besa-Butrinti/ Perja: Le ta shmangim turpërimin; Faslliu: Nuk dorëzohem kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 12:58

Përballja Besa-Butrinti/ Perja: Le ta shmangim turpërimin; Faslliu: Nuk dorëzohem kurrë

Besa kërkon që të shmangë turpin. Me Butrintin luhet vetëm për fitore, në të kundërt do ta fusnin veten në telashet e mbijetesës. Këtë e thotë edhe mbrojtësi Skerdian Perja për “Panorama Sport”:

Perja2

“Jam kavajas dhe çdo ditë në rrugë nuk mund t’u shmangem bashkëqytetarëve të mi, që na kërkojnë ‘llogari’ për gjendjen e Besës. Ngjitja iku, por të mos e lejojmë veten që të rrëshqasim në zonën ‘play out’. Të fitosh me Butrintin është gjëja më normale. Po në situatën që kemi arritur ne, fitorja merr të tjera vlera. Sarandjotët e kanë ‘trenin e fundit’ për të qëndruar në Kategorinë e Parë dhe ne për t’u shpëtuar telasheve.

Kemi folur me shokët e ekipit dhe të gjithë jemi në një mendje, fitorja është domosdoshmëri për të mos u turpëruar. Të dalë Besa në ‘play out’ do të ishte vërtet turp. Ndaj, gjykoj që nesër (sot) të bëjmë maksimumin tonë për të fituar. Kemi një grup më të mirë, luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë nëse nuk sakrifikon në fushë secili prej nesh.

Pas humbjeve radhazi, Butrinti ka zbritur në zonën e kuqe. E megjithatë, në Sarandë nuk i kanë humbur shpresat për të shmangur rënien direkte. Kur janë vetëm një pikë larg “play out”-it dhe në lojë janë edhe 4 ndeshje, gjithçka mund të ndodhë. Sot luajnë në transfertë me Besën dhe e vështirë do të jetë, por Adriatik Faslliu nuk e quan të pamundur. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri thotë:

Faslliu

“Nuk jemi dorëzuar! Ku dorëzohem unë? Vetëm se na duhet pak fat. Tani rëndësi kanë vetëm pikët, ndaj duhet të kemi më shumë kujdes. E kemi vlerësuar Besën. Skuadra është përgatitur mirë dhe gati. Kemi përballë një skuadër me traditë dhe që luan mirë futboll. Ne duhet të japim më të mirën tonë dhe me pak fat të marrim rezultatin pozitiv. Ka pak ndeshje, por kemi shumë shpresa se do ta lëmë zonën e rënies”. Sarandjotët kanë përfunduar përgatitjet dje paradite dhe më pas kanë udhëtuar drejt Kavajës, atje ku sot i pret Besa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"