Peposhi në prag të duelit me Partizanin: Pauza ndihmë, “demat” i surprizojmë në shtëpinë e vet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 19:59

Peposhi në prag të duelit me Partizanin: Pauza ndihmë, “demat” i surprizojmë në shtëpinë e vet

Në kuadër të javës së fundit të fazës së parë, Erzeni luan kundër Partizanit, në stadiumin “Arena e Demave”, fushë të cilën momentalisht e kanë si shtëpi pritëse.

ardit peposhi

Njëmbëdhjetë pikë të grumbulluara në vetëm tetë javë i detyrojnë shijakasit që të pretendojnë një rezultat pozitiv kundër “demave”, që të mos e vështirësojnë situatën e tyre në kampionat. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni i skuadrës, Ardit Peposhi, flet për ndeshjen kundër Partizanit, situatën e përgjithshme në ekip dhe faktin që sfidën do ta luajnë përsëri në një tjetër fushë.

“Ndeshja kundër Partizanit është një nga sfidat më të vështira, pasi luajmë përballë kampionit aktual. E kanë ekipin shumë të konsoliduar e që po bëjnë mirë dhe këtë sezon, por pavarësisht kësaj, ne fokusin e kemi te vetja jonë që të përmirësohemi vazhdimisht. Fitorja me Teutën na ka rikthyer qetësinë plus dhe pushimi na ka ndihmuar vërtet shumë, pasi disa nga lojtarët kanë qenë disi të ngarkuar nga ngjeshja e kalendarit. Besoj jemi çlodhur mjaftueshëm. Pjesa tjetër e lojtarëve që kanë qenë mangët me stërvitje, kanë marrë trajnim ekstra. Pra, besoj se do të jemi gati të gjithë për të luajtur kundër Partizanit. Shpresojmë për një rezultat pozitiv. Për sa i përket fushës, sigurisht që do të ishte shumë më mirë për ne që të kishim luajtur në Rrogozhinë, por duke qenë se kjo ishte e pamundur, jemi të detyruar të shtegtojmë përsëri. Tifozët me siguri nuk do të na e mohojnë mbështetjen. Uroj që të jenë të shumtë në numër, siç kanë bërë deri më tani”, deklaroi kapiteni i shijakasve.

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"