Pengu me Partizanin dhe Turbina, rrëfehet Laroshi: Shpëtojmë skuadrën nga rënia, më pas do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 0:10


Pengu me Partizanin dhe Turbina, rrëfehet Laroshi: Shpëtojmë skuadrën nga rënia, më pas do të…

Portieri dhe njëkohë sisht kapiteni i Turbinës, Vokli Laroshi, rrëfehet për “Panorama Sport” pas pauzës së kampionatit.

laroshi (1)

21-vjeçari nga fshati Shtërmen i Cërrikut, që nuk nxjerr vetëm peshëngritës kampionë, por edhe futbolliste me të ardhme, u rikthye te skuadra e zemrës për të dhënë një kontribut të rëndësishëm.

Në bisedën për gazetën, portieri flet për këtë moment të rëndësishëm të karrierës, pengun që ka pasur largimit nga Partizani, të ardhmen, por jo vetëm.

KARRIERA – Portieri shtatlartë, 1.89 metra, e ka nisur futbollin që fëmijë, në moshën 8- vjeçare. “Kam startuar këtë sport të bukur dhe të dashur me moshat e Turbinës. Më pas në moshën 15-vjeçare kam kaluar te Shkëndija e Durrësit, ku kam luajtur deri në nivelin e 19-vjeçarëve në Superiore. Jam grumbulluar një herë me Kombëtaren U-17 dhe dy herë tek U-19.

Më pas për një vit rresht kam qenë te Kombëtarja U-21. Pas Shkëndijës së Durrësit kam kaluar te Turbina, ku kam dhënë kontributin tim, duke e mbajtur në Kategorinë e Parë. Më pas një vit shkova te Partizani, ku nuk pata shumë hapësirë dhe u riktheva tashmë te Turbina.

Jam stërvitur me trajnerët më të mirë të portierëve të Shqipërisë, si Alfred Osmani, Xhevahir Kapllani, Bujar Gogunja, Ilir Bozhiqi, Elvis Kotorri, Bledar Malaj dhe Llazi Gjika, të cilët i falënderoj të gjithë shumë nga zemra”, ka thënë fillimisht Laroshi.

PENGU – Laroshi ka rrëfyer edhe për pengun te Partizani, kur ishte pjesë e “demave të kuq” për një vit, por që nuk luajti asnjëherë. “Më vjen keq që nuk luajta të paktën një ndeshje te Partizani. Ky është edhe pengu im. Partizani ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë. Gjatë 1 viti u mundova të jepja 100%-shin tim, për të treguar vlerat që kisha.

I vetmi peng që kam është që nuk m’u dha të paktën një mundësi të tregoja veten. Konkurrenca ishte shumë e madhe te kryeqytetasit. Vështirësia ishte shumë e madhe. Kjo nuk më trembi aspak, por më bëri të luftoja dhe të stërvitesha shumë çdo ditë. Besova shumë te projekti i klubit, i cili duhet të më jepte një mundësi për të luajtur”, tregon i riu.

TURBINA – Gjiganti cërrikas tashmë me të ardhme është rikthyer tek ekipi i vendlindjes, duke marrë dhe shiritin e kapitenit të Turbinës. “Është e vërtetë që u riktheva te të verdhët, pasi m’u kërkua si nga kryetari i bashkisë, Salla, ashtu edhe presidenti Gjoka. Pra, kisha oferta të tjera. Megjithatë, unë e pranova me kënaqësi ofertën e dyshes së klubit, duke parë edhe që ekipi kishte nevojë për një portier cilësor. Pra, një rikthim jo i dështuar për mua, pasi Partizani është një klub i madh dhe çdo lojtar e ka të vështirë në këtë skuadër.

Tashmë jam pjesë e Turbinës, ku po jap maksimumin tim, por për fat të keq jemi në një pozicion jokomod. Do të bëjmë çmos të gjithë bashkë për ta shpëtuar nga rënia ekipin, që ka një grup cilësor. Këtu jemi si një familje. Tifozët cërrikas i përshëndes, pasi më kanë mbështetur gjithmonë dhe unë nuk do t’i zhgënjej, pasi jam shtylla kryesore e ekipit dhe do t’i bëj”, shtoi talenti i Turbinës.

E ARDHMJA – E ardhmja e portierit cërrikas ende nuk dihet, por tani për tani është pjesë e Turbinës që është huazuar nga kampionët bjellorus të Shaktjor Soligorsk. “Po, është e vërtetë, kam kontratë me ekipin kampion bjellorus që më kanë huazuar te Turbina. Jam i fokusuar 100% tek ekipi i vendlindjes, duke dhënë gjithçka për këtë skuadër, që të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Kam pasur dhe kam akoma oferta të ndryshme, por për momentin nuk do t’i bëj publike.

Por unë jam përqendruar te Turbina dhe po stërvitem shumë, sepse na duhen rezultate pozitive për t’u ringritur në renditje. Kështu që për momentin jam fokusuar te Turbina. Nuk kam vendosur se ç’do të bëj më pas, pra le t’ia vazhdimësisë këtë. Kjo i përket klubit dhe menaxherit tim, pasi janë ata kryesorët”, përfundoi Vokli Laroshi.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL