“Pazar” në Korçë, konfirmohen tri afrime nga Skënderbeu te klubi i Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2023 | 21:49

“Pazar” në Korçë, konfirmohen tri afrime nga Skënderbeu te klubi i Kategorisë së Parë

Në Berat janë “dashuruar” me korçarët. Nuk kishte ndodhur më parë një prani kaq e madhe e futbollistëve korçarë te Tomori. Nëse deri vjet kishin vetëm Klevis Shaqen (i transferuar tashmë te Skënderbeu), këtë vit do të ketë tre.

Tomori

Që të gjithë të rinj në moshë, por me të dhëna të mira. Me bardhekuqtë që u ngjitën në elitë dhe hapësirën e paktë që e priste, është gjetur huazimi si zgjidhje për qendërmbrojtës 20-vjeçar Kevin Hysolli, mesfushori 18- vjeçar Erest Lamellari dhe qendërsulmuesi 20-vjeçar, Kostika Beçka.

Ata janë vënë nën urdhrat e Klodian Arbërit dhe këtë lëvizje e kanë një shans të mirë të marrë më shumë minuta dhe promovuar. Është Ismet Ajazi që konfirmon marrëveshjen mes klubeve. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, administratori ka folur me nota tejet pozitive për tre lojtarët e marrë nga Skënderbeu.

“Midis dy klubeve tona, ka një bashkëpunim të hershëm dhe të ndërsjellë në shkëmbime futbollistësh. Por përmend rastin e portierit Maksim Tole, mbrojtësit Tefik Osmani apo edhe Klevis Shaqe, i pari u bë pjesë e U-21 nëpërmjet Tomorit, i dyti gjeti elitën dhe për këtë e ndihmoi fakti që spikati në Berat. Pa harruar edhe sulmuesin Migen Memelli, ndonëse është pogradecar.

Të gjithë kanë pasur si të përbashkët ata që jo vetëm kanë qenë futbollistë dhe djem shumë të mirë, por edhe se te Tomori janë pritur ngrohtë dhe kanë fituar shumë në aspektin profesional. Jemi që të gjithë të bindur se kështu do të ndodhë edhe me treshen Hysolli-Beçka-Lamellari. Ata duhet ta vlerësojnë maksimalisht këtë moment. Kanë luksin që të punojnë me një skuadër dhe trajner profesionist”, ka përfunduar Ajazi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"