Pauza e Botërorit/ Prova Superiore për Dinamon, blutë e kryeqytetit miqësore me dy ekipet e elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 9:40

Pauza e Botërorit/ Prova Superiore për Dinamon, blutë e kryeqytetit miqësore me dy ekipet e elitës

Menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të Botërorit, të gjitha skuadrat janë vënë në kërkim të kundërshtarëve për ndeshje miqësore, në mënyrë që lojtarët të paktën të ruajnë formën që kishin.

dinamo

Dinamon kjo periudhë e ndihmon për rikuperimin e lojtarëve me probleme fizike, të cilët kanë qenë të shumtë, ndërsa miqësoret edhe për blutë janë të domosdoshme.

Drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë fiksuar tashmë datat dhe kundërshtarët për tri miqësore, që do të luhen gati në një javë, konkretisht më 26 nëntor, 30 nëntor dhe më 3 dhjetor.

MIQËSORET – Ashtu si dhe në periudhën e përgatitjeve verore, blutë kanë preferuar të ndeshen me skuadra të Superiores.

Dy nga tri miqësoret në program janë me kundërshtarë të elitës, si Kukësi dhe Teuta. Janë dy skuadra që qëndrojnë në fundin e tabelës së renditjes në fakt, ndërsa Dinamo kryeson Kategorinë e Parë, bashkë me Flamurtarin.

Këto teste, përveçse ndihmojnë lojtarët për të ruajtur formën, do të tregojnë edhe nivelin e bluve në raport me skuadrat e Superiores, ku kryeqytetasit pretendojnë të jenë sezonin e ardhshëm.

Testi i parë luhet të shtunën me Kukësin, kurse i treti me Teutën. Në mes, konkretisht më 30 nëntor, është një miqësore me Vorën e Kategorisë së Dytë, që drejtohet nga një ish-dinamovit, Artan Mërgjyshi.

Nuk është një kundërshtar për t’u nënvlerësuar, pasi Vora këtë sezon ka pretendime serioze për ngjitjen një kategori më lart. Për momentin, këto janë tri miqësoret e programuara nga klubi dinamovit, më pas mund të ketë edhe ndonjë tjetër.

KUPA – Dinamo ndeshet me Kastriotin në raundin e radhës të Kupës së Shqipërisë, kështu që miqësoret me dy skuadra të Superiores do të jenë edhe një barometër për blutë para sfidës me krutanët.

Kryeqytetasit e kanë Kupën në objektivat e tyre për këtë sezon, përveç kthimit në Superiore. Gjatë këtyre ditëve blutë janë stërvitur në kompleksin “Football Republic”, ndërsa grupi i lojtarëve ka qenë më i plotë.

MIQ (1)

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"