Pashja: Nuk ka vend për presion, luajmë për fitore ndaj Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2023 | 12:31

Pashja: Nuk ka vend për presion, luajmë për fitore ndaj Korabit

Besa bëhet gati për një tjetër transfertë. Pasi morën pikë në Fier, me të njëjtin mision udhëtojnë edhe në Peshkopi.

pashja

Lorenc Pashja e di që do të jetë e vështirë, por shpresat nuk i humb. Me deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” një ditë para ndeshjes, trajneri mundohet që të çlirojë lojtarët nga çfarëdolloj ngarkese.

“Ishim aq pranë fitores me Apoloninë. E vlerësuam maksimalisht si ndeshje, kaluam në avantazh, por në fund e pësuam dhe morëm vetëm një pikë. Nuk është se është keq, pasi në transfertë luanim, por shanset ishin më shumë. Na lind për detyrë që të jemi më të vëmendshëm kundër Korabit. Do të mundohemi të japim më të mirën dhe duhet të ngulisim në kokë pjesën që është thjeshtë ndeshja e radhës. Këtë e shoh si një formë për të larguar presionin nga djemtë, pasi siç dihet dhe e kam përmendur shpesh, janë të rinj. Është transferta e dytë radhazi për ne dhe e dimë që do ta kemi të vështirë, pasi e tillë është fusha e Peshkopisë. Por, nuk ka pse të kemi frikë e drojë. Ekipi është i plotë dhe mbi të gjitha gëzon gjendje të mirë fizike dhe psikologjike”, përfundoi numri një i pankinës së kavajasve.

Optimist para kësaj sfide është edhe një 18-vjeçar. Skerdi Puqja sheh pikë në fushën e dibranëve: “Ky kampionat nuk do të jetë aspak i lehtë dhe duhet të jemi të vëmendshëm. Korabi është një skuadër e fortë, sidomos në shtëpinë e vet. E megjithatë, ne do të luajmë për të dhënë dhe marrë maksimumin”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"