Pashja: Me maturi dhe luftë për çdo top, e mundim Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 12:13

Pashja: Me maturi dhe luftë për çdo top, e mundim Elbasanin

Besa sheh pikë përballë Elbasanit. Janë -7 nga kundërshtari, por aspak inferiorë. Edhe pse vijnë nga ajo humbje e kontestuar në Peshkopi, dëshira për kthesë nuk mungon. Pashja

Në fund të fundit luajnë në shtëpi (në të Luzit më saktë, pasi stadiumi i Kavajës është jashtë çdo funksioni). Veç fushës, presin që të kenë armë të fortë edhe tifozët. Nga 600 vende që kanë në dispozicion, vetëm 30 vende janë për miqtë. Lorenc Peshja e pranon forcën e verdhebluve, por qartazi kërkon fitoren. Paralajmëron për “Panorama Sport” se më këtë objektiv do të zbresin në fushën e lojës.

“Po flasim për një kundërshtar që kryeson Kategorinë e Parë, por ka afruar lojtarë me përvojë të gjatë në elitë. Kanë patjetër cilësi, por edhe ne jemi Besa. Për një moment më duket sikur është rikthyer ai duel i bukur në Superiore Besa-Elbasani. Janë të dy ekipe me traditë dhe që garantojnë futboll të bukur e spektakël për tifozët. Do të doja që kjo përballje të luhej ndoshta në një impiant me kapacitet më të plotë, por ju e dini që stadiumi ‘Besa’ tashmë është jashtë funksionit. Që të kthehem, te qëllimi i vërtetë. Së pari, luajmë para tifozëve tanë dhe ndeshjet e shtëpisë duhen fituar. E dyta, ne jemi në kuotën e 4 pikëve dhe pavarësisht se është vetëm fillimi, javët ikin dhe duhet të rikuperojmë. Së treti, ekipi po kalon formë të mirë dhe pse të mos kërkojmë maksimumin. Nuk kemi asnjë mungesë, gjë që më jep qetësi. Do të jetë patjetër përballje e luftuar dhe e barabartë, që mund të vendoset nga episodet. Ekipit i kam kërkuar të luajë me qetësi, siguri e maturi deri në minutën e fundit. Duhet të jemi të përqendruar në çdo top dhe të sakrifikojmë fort në fushën e lojës. Nëse ekipi bën atë që i kam kërkuar, atëherë besoj fort se t’i kemi mundësitë, kualitetet për të mundur Elbasanin”, përfundoi Pashja.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"