“Partizanin e ndalim edhe në shtëpinë e vet”, trajneri Deliallisi beson te Erzeni: Ia dimë pikat e dobëta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2023 | 10:30

“Partizanin e ndalim edhe në shtëpinë e vet”, trajneri Deliallisi beson te Erzeni: Ia dimë pikat e dobëta

Erzeni zhvillon sot si pritës në “Arenën e Demave” ndeshjen kundër Partizanit në orën 17:00. Përcaktimi i përballjes në fushën e kryeqytetasve erdhi si pasojë e mbjelljes së barit dhe punimeve të tjera në stadiumin e Rrogozhinës. Kjo sfidë është e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit, duke mbyllur kështu fazën e parë të Kategorisë Superiore.

deliallisi

Tekniku Alfred Deliallisi në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet se Partizani është një kundërshtar që meriton vlerësim maksimal dhe për këtë arsye përgjatë këtyre javëve është stërvitur bazuar në pikat e forta e të dobëta të tyre.

Ai gjithashtu tregon për gjendjen e ekipit dhe sesi përcaktimi i ndeshjes në “Arenën e Demave” nuk duhet të shërbejë si justifikim apo alibi. Së fundmi ai kërkon mbështetjen e tifozëve, si një domosdoshmëri të pashmangshme.

“Partizani padyshim është një kundërshtar i fortë. I pashë në ndeshjen kundër Tiranës, ku treguan që përveç ekipit që zbret në fushë, ka edhe një stol shumë të fortë. Ne e vlerësojmë historinë, pra atë që i kanë dhënë futbollit shqiptar dhe atë që ka dhënë në Kupat e Europës, ku kaloi tri ture. Pra po shkojmë, por jo duke u vendosur si nënvlerësues, por as si mbivlerësues, por si një grup që do të bëjë maksimumin për një rezultat pozitiv.

Gjatë kësaj kohe, përfshirë edhe pushimin, jemi stërvitur në bazë të kundërshtarit. Kjo do të thotë se i kam dhënë udhëzime se ku mund ta godasim në pikat e tyre të dobëta. Lojtarët gëzojnë formë shumë të mirë fizike dhe janë plot optimizëm e entuziazëm, gjë e cila do t’i ndihmojë në fushë.

Organikën e kam të plotë, po ashtu dhe Osmanllari, i cili është në fazën e fundit të rikuperimit, do të udhëtojë me ekipin, e do të jetë në skuadër. Për sa i përket stadiumit, që do të luajmë në fushën e tyre, mendoj se në të tilla ndeshje specifike nuk është mirë të gjejmë justifikime apo alibi, se pse po luajmë atje.

Janë kushtet dhe meqenëse nuk kishim fushë tjetër… Por edhe atje do të bëjmë lojën tonë. Ftoj të gjithë tifozët të na mbështesin, sepse kemi nevojë. Djemtë kanë nevojë për suport të vazhdueshëm”, përfundoi Deliallisi.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"