Partizani nis punën me të rinjtë, skuadra pritet të ketë një tjetër përgatitës atletik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2024 | 10:38

Partizani nis punën me të rinjtë, skuadra pritet të ketë një tjetër përgatitës atletik

Gjatë pasdites së djeshme ka marrë rrugë Partizani i sezonit 2024-2025, ku si fillim duhet të përgatitet për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.

partizani

Rrugëtimi i “demave” ka nisur pa bujë dhe me profil të ulët. Partizani i ka nisur përgatitjet me mungesa të shumta, ndërsa për përforcime as që bëhej fjalë të shikoheshin dje. Grupi i djeshëm ishte thuajse i gjithi prodhim vendi, pasi të huajt mesa duket e kishin me “bezdi” të ishin që në start nën urdhrat e stafit teknik. Pushimet e lojtarëve afrikanë nuk përfundojnë në të njëjtën kohë me vendasit, pasi ata nuk ishin prezent në seancën e djeshme.

Dy lojtarë munguan me leje, pasi janë të grumbulluar me Kombëtaren U-21, mbrojtësit Paolo Buxhelaj dhe Marcelino Preka. Dje ra në sy prania e disa futbollistëve që në sezonin e fundit kanë qenë pjesë e Partizani U-19. Rifa, Tafili, Malaj dhe Sula ishin disa nga lojtarët e skuadrës së të rinjve që dje u përgatiten me “demat”. Në vijim mbetet për të parë nëse këta lojtarë do të jenë pjesë e programit të ekipit të parë, apo ishim thirrur sa për të plotësuar numrin dhe siguruar prezencën e duhur për mbarëvajtjen e procesit stërvitor. Kjo javë e parë shikohet më shumë si fakultative, pasi përgatitja e mirëfilltë nis më 17 qershor, kur ekipi do të grumbullohet në Pogradec.

RISITË- Përveç afrimit të disa lojtarëve nga U-19, në seancën e djeshme pati edhe risi të tjera. Henri Zuna, mbrojtës i krahut të djathtë, dje u stërvit me skuadrën e parë. 21-vjeçari në sezonin e fundit ka qenë i huazuar te Kastrioti dhe me praninë e tij në seancën e djeshme la të kuptohet se ai është shkëputur përfundimisht me krutanët dhe është rikthyer te “demat”. Mesfushori Emiljano Vila, është përfolur si largim i mundshëm nga ekipi dhe në seancën e djeshme ai nuk ishte prezent.

Gjasat janë që aventura e Vilës te Partizani të ketë përfunduar. Risi ka pasur edhe në stafin teknik, pasi në seancën e djeshme mungoi përgatitësi atletik Vullnet Manushi. Me shumë mundësi Partizani do të ketë një trajneri të ri të përgatitjes fizike, emri i të cilët do të mësohet në ditët në vijim. Altin Bytyçi shikohet si një “blerje” brenda familjes. 23-vjeçari ka qenë i pafat në sezonin e shkuar, ku pësoi një dëmtim të rëndë që e çoi drejt operacionit. Qendërmbrojtësi shikohet gati për sezonin e ri dhe kështu që stafi teknik ka një alternativë më shumë në fazën difensive.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"