“Partizani është rritur”, ish-kapiteni Beqiri mesazh drejtuesve: Mehmeti të vazhdojë, klubi duhet të mos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2022 | 23:45

“Partizani është rritur”, ish-kapiteni Beqiri mesazh drejtuesve: Mehmeti të vazhdojë, klubi duhet të mos…

Ardit Beqiri, ish-kapiten i Partizanit, ekskluzivisht për “Panorama Sport” i ka bërë një analizë derbit, por edhe asaj që të kuqtë kanë bërë gjatë këtij sezoni.

Beqiri Partizani

Ish-mbrojtësi mendon se drejtuesit duhet t’i besojnë Mehmetit drejtimin e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm, teksa shprehet se derbin e vendosi dëshira për të mos humbur.

Si ju duk Partizani në derbi?

Partizani në derbi ruajti statusin e një skuadre, që ka arritur të rritet gradualisht në javët e fundit. Ka arritur ta ngrejë veten në njëfarë niveli sportivisht dhe psikologjikisht dhe pak a shumë e ruajti. U përball si i barabartë.

Cili nga ekipet doli më i kënaqur nga rezultati i derbit?

Mënyra se si u luajt derbi tregoi se qëllimi kryesor i të dyja ekipeve ishte të mos humbej. Jo se mungoi dëshira për të fituar, por kishte një kujdes të tepërt për të mos dalë pa gjë. Kështu që mendoj se kanë dalë të dyja të kënaqura.

Nga cili prej lojtarëve të Partizanit prisnit më shumë në derbi?

Kur del 0-0, gjëja e parë që të vjen në mendje është sulmi, që nuk ka arritur të shënojë nga të dy krahët. Por mund të jetë edhe rasti kur mbrojtja mund të jetë paraqitur mirë. Po të shohësh, Partizani i kishte marrë mirë masat për Seferin, ashtu si Tirana për Zhuniorin. Pastaj kishte edhe momente të veçanta si ai i Zhuniorit, që ishte më flagranti, ashtu si Tirana kishte mundësitë e saj për të shënuar me Xhixhën. Të dyja ekipet i kishin rastet e veta.

Mendoni se Partizani do të arrijë të kualifikohet në Europë?

Fakti se Partizani ka më shumë se një mundësi për të shkuar në kompeticionet europiane është pozitiv. Është në lojë në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Duke parë momentin e mirë që po kalon Partizani, por edhe faktin se ekipet e tjera nuk po shkëlqejnë për momentin, ka shumë shanse. Në Kupë edhe tri ndeshje janë dhe është rrugë më e shkurtër.

Ndryshime të mëdha në merkaton e verës dhe tani në janar. Si i komentoni këto lëvizje të shumta lojtarësh te Partizani?

Unë isha kundër ndryshimeve të mëdha, që u bënë në merkaton e verës, sepse ishin një ekip i konfiguruar. Sepse ekipin nuk mund ta bësh një herë në vit nga e para. Por ndryshimet e janarit ishin të nevojshme, sepse e pamë që shumë afrime ishin të dështuara. Në janar ishte i detyrueshëm për të rregulluar gabimet e bëra në merkaton e verës.

A duhet t’i besojë Partizani Mehmetit drejtimin e stolit pas fundit të këtij sezoni?

Dritani (Mehmeti) e mori ekipin në një moment të vështirë dhe deri tani ka treguar se di të bëjë mirë. Në një klub si Partizani, firma e një trajneri për një periudhë afatgjatë, pra 2 apo 3-vjeçare, nuk është një hap i lehtë dhe këtë e kanë konsideruar si një periudhë testi për Mehmetin, për të fituar besimin e klubit. Deri tani mendoj se provën e ka kaluar me sukses dhe gjasat janë që të vazhdojë kështu, por në fund të sezonit do të varet shumë edhe arritja e objektivave të klubit, për të vendosur nëse do t’i besohet Dritanit një kontratë afatgjatë.

ardit-beqiri

Pra, provimi për Mehmetin nuk ka përfunduar ende?

Te Partizani, që të marrësh besimin përfundimtar duhet të bësh shumë. E thamë se e mori ekipin në gjendje të vështirë dhe po punon në kushte të vështira dhe nëse në fund, ai lë një shije të mirë, nuk ka përse Partizani të mos bëjë atë që Tirana bëri me Orges Shehin. Unë mendoj se ia vlen të vazhdojë, duke qenë se ai ka nisur të hedhë themelet dhe për mënyrën se si luan ekipi, përse duhet të mendohet Partizani për t’i besuar një kontratë afatgjatë?

Në janar u largua Kaçe dhe erdhi një i ri si Skuka e të tjerë, që po bëjnë shumë mirë. Më parë kemi parë Edgar Çanin. Mos Partizani duhet të ndryshojë strategji, duke marrë lojtarë të rinj e të talentuar dhe të lërë mënjanë emrat e mëdhenj?

Nuk mendoj se strategjia e Partizanit janë emrat e mëdhenj. Unë mbaj mend vetëm Edgar Çanin dhe së fundmi Ergys Kaçen, të cilët fatkeqësisht kanë dështuar. Kur gazeta juaj më ka pyetur për Kaçen, kam thënë: “Dakord, le të vijë edhe përse nuk ishte në formë dhe vinte nga një dëmtim, por Partizani të mos harrojë eksperiencën me Edgar Çanin”.

Me veten time kam menduar se me Kaçen mund të përfundojë si me Çanin dhe për fat të keq ashtu shkoi. Te Partizani kanë ardhur edhe të panjohur, që kanë bërë mirë. Për shembull Mala, që tashmë është titullar i padiskutueshëm, dhe së fundmi Matondo. Me emrat e mëdhenj e pësoi një herë e dy dhe tani mendoj se e ka kuptuar se duhet të sjellë lojtarët që arrijnë të bëjnë mirë dhe plotësojnë kriteret e trajnerit, nuk është e domosdoshme të jesh emër i madh për të luajtur te Partizani.

Këtë sezon të kuqtë nuk i kanë besuar asnjë lojtari të akademisë debutimin në Superiore. Çfarë mendoni për këtë?

Te Partizani është përgjegjësi e madhe të luash. Jam dakord që duhet t’i jepet mundësia, por përpara kësaj, trajneri duhet të bindet se këta lojtarë janë në parametrat për të luajtur me ekipin e parë. Por duhet ta meritosh, nuk duhet të rrezikojë klubi objektivat për të afirmuar disa lojtarë të akademisë. Këtu mbase ndikon edhe fakti që Partizani nuk ka ambient të vetin dhe nuk i ka pasur në vëzhgim për t’i parë nga afër dhe evidentuar saktë. Një fjalë e vjetër popullore thotë: “Larg syrit, larg mendjes”.

ardit beqiri

Pse Partizani nuk ka shumë legjenda të klubit si pjesë e strukturave të veta?

Gjithçka do të marrë formë kur Partizani të ketë ambientin e vet. Edhe tani ka legjenda të klubit që punojnë aty, janë Ylli Shehu, Genc Tomori apo Ledio Pano. Partizani ka plot legjenda, por nuk ka ende një shtëpi ku të fusë kokën dhe të gjithë këta të bëhen bashkë dhe ta ndihmojnë klubin të rritet

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"