“Partizani del kampion pa diskutim”, Selmani rrëfen në “Panorama TV” premtimin për golin e parë: Më ka suprizuar Erzeni, më bukur kur ka rivalitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2023 | 20:44

“Partizani del kampion pa diskutim”, Selmani rrëfen në “Panorama TV” premtimin për golin e parë: Më ka suprizuar Erzeni, më bukur kur ka rivalitet

Remzifaik Selmani ka shënuar këtë fundjavë golin e tij të parë me fanellën e Partizanit. Sulmuesi i afruar gjatë merkatos së janarit e kishte parandjerë një gjë të tillë pasi në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” kishte premtuar se do të tundte rrjetën.

selmani

Diçka që e ka konfirmuar edhe në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, duke treguar se si e kishte përjetuar këtë gol të parë apo besimin që kishte se të kuqtë do të shpalleshin kampionë.

“Ndeshja besoj se shkoi mirë, ishte mirë që bëmë gola në pjesën e parë. U ndjeva shumë mirë. Goli gjithmonë është kënaqësi, por i pari është më i veçantë dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë.

Nga gazeta “Panorama Sport” më pyetën nëse do të vijë shpejt goli i parë, i thashë që do të jetë me Kastriotin dhe ia dola.

Nuk kam objektiv të caktuar personalisht për mua, shpresoj që të shënoj sa më shumë të ndihmoj ekipin dhe në fund të dalim kampionë se kjo do të ishte më e vlefshme për mua.

Po vazhduam këtë ritëm që po luajmë në ndeshjet e fundit, kam shumë besim te ekipi që do të arrijmë që të mos lëshojmë që nga tani e tutje vendin e parë.

Dueli me Tiranën është interesant, e bën kampionatin më interesant se shikoj që ka edhe ekipe të tjera cilësore në këtë kampionat dhe është shumë më i bukur kështu sesa kur ka shumë diferencë shumë të madhe nga vendi i parë në të dytin apo të tretin.

Trajneri pas ndeshjes na uroi të gjithëve për lojën, për pikët, për angazhimin, shpirtin luftarak dhe mentalitetin në fushë se nganjëherë ndeshje që mendon se janë të lehta me kundërshtarë që gjenden më poshtë në tabelë, nganjëherë del e kundërta. Është shumë e vështirë, duhet të tregosh mentalitet shumë të fortë si ekip. Ia dolëm në këtë aspekt dhe na uroi për këtë pjesë.

Nuk është se ka pasur ndonjë atmosferë negative në ekip, asnjë nga ne nuk është i kënaqur nga humbjet por objektivi dihet. Çdo pikë është e rëndësishme se ndeshjet po kalojnë. Nëse ngecim dhe humbim pikë, na dhemb të gjithëve se na largon nga objektivi ynë, titulli kampion. Por jemi profesionistë dhe sa më shpejt të marrim veten e fokusohemi te ndeshjet e radhës, duhet të bëjmë më të mirën.

Ishte një periudhë e shkurtër kur kishte një krizë të vogël tek ekipi, ndoshta edhe nga ndryshimi i lojtarëve në ekip. Por besoj se dalëngadalë po e marrim veten dhe po e tregojmë në ndeshjet e fundit.

Ndryshimi me Maqedoninë e Veriut është se këtu luhet futboll më shumë agresiv, me ritëm pak më të lartë dhe kampionati ka më shumë konkurrencë mes ekipeve.

Sipas meje, kampion do të jetë Partizani pa diskutim, por konkurrentë do jemi me Tiranën deri në fund.

Vllaznia? Për mendimin tim ka një ekip shumë të mirë, cilësor me lojtarë shumë të mirë, por kohën e fundit po kanë ngecje dhe tani probleme të tjera  me trajnerin dhe besoj se do të ndikojë pak negativisht te ekipi.

Në Shqipëri ka më shumë cilësi se në Maqedoninë e Veriut, duke u bazuar te infrastruktura, ekipet, cilësia e lojtarëve në ekipet në Shqipëri. Të gjitha këto mendoj se e bëjnë më cilësor kampionatin shqiptar.

Do të shtoja që këtu më ka surprizuar Erzeni. Tregon edhe renditja se nuk është e rastësishme, si ekip po bëjnë shumë mirë, po krijojnë lojë dhe po marrin shumë pikë.

Për të ardhmen të shohim, dua të jap më të mirën këtu nga vetja te Partizani, pastaj do të shohim nëse ka ndonjë ofertë nga ndonjë klub i jashtëm. Pse jo, do të mendohem. Do të preferoja Europën, si çdo futbollist.

Kombëtarja shqiptare apo e Maqedonisë së Veriut? Nuk diskutohet, normalisht që Shqipërinë”, tha ndër të tjera në fjalët e tij sulmuesi i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"