Pano Qirko: Koha për të bërë kthesën, do të vijnë edhe golat për Teutën. Askush nuk i diskuton cilësitë e sulmuesve tanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 21:57

Pano Qirko: Koha për të bërë kthesën, do të vijnë edhe golat për Teutën. Askush nuk i diskuton cilësitë e sulmuesve tanë

Pano Qirko ishte protagonist në barazimin pa gola që Teuta mori me Vllazninë fundjavën e kaluar. Me pritjet e tij, ai është bërë vendimtar, teksa gjatë një interviste të dhënë për gazetën ka treguar se Teuta e ka kaluar krizën dhe shumë shpejt do të vijnë edhe rezultatet. Durrsakët nuk kanë fituar ende asnjë takim në këtë start të kampionatit, por të gjithë presin kthesën në takimin e radhës përballë Egnatias.

qirko

Gjashtë javë pa fitore, çfarë nuk po funksion?
Të gjithë jemi përgjegjës dhe të gjithë po punojmë për të korrigjuar gabimet e bëra dhe për të rritur nivelin e paraqitjeve tona. Unë po mundohem të korrigjoj gabimet e mia, shokët e tjerë të skuadrës po bëjnë të njëjtën gjë. Por në futboll duhet dhe pak fat, e deri më tani ai nuk ka qenë me ne.

Dakord, fati është pjesë e lojës, por pikët mungojnë?
Natyrisht, por është vetëm fillimi. Kampionati nuk mbaron në javën e gjashtë. Sezoni pritet të jetë shumë i gjatë dhe na duhen shumë pikë. Jemi në një zonë në renditje të diskutueshme, por besoj se nga java në javë po përmirësohemi.

Ishit vendimtar në ndeshjen kundër Vllaznisë me disa pritje të rëndësishme. Dukeni në formë maksimale apo prisni më tepër nga vetja?
Roli i portierit është që ta mbajë portën e paprekur. Pastaj pjesa tjetër i takon sulmit e mesfushës. Unë mundohem që mos të gaboj dhe të jem pika kryesore e ekipit. Asgjë nuk është e çuar dëm. Kam besim te ky ekip.

Cili është çelësi i suksesit të paraqitjeve të mira?
Përkushtimi, pasioni, puna e palodhur e profesor Rizvanit është kryesorja. Ai gjatë gjithë kohës kërkon shumë nga ne portierët.

Për të fituar duhen golat. Të gjithë presin shumë nga Lorenco Vila dhe Rubon Hebaj…
Mund të qëllojë që lojtarët e sulmit të kenë ndonjëherë dhe një ngërç, por askush nuk i diskuton cilësitë e tyre. Jam ibindur se shumë shpejt edhe golat do të vijnë. E rëndësishme është se ata po punojnë shumë. Goli është çështje kohe.

Në javën e parë në Laç dhe të pestë ndaj Tiranës keni pësuar më tepër. Si e shpjegoni?
Gjatë këtyre gjashtë javëve kishim ndërthurje pozicionesh. Të dyja ndeshjet që kemi pësuar më shumë gola nuk është vetëm te mbrojtja, por edhe te skuadra në përgjithësi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"