Pankina dhe aksionet, ditë vendimtare për Elbasanin/ Pritet zyrtarizimi i…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2023 | 23:47

Pankina dhe aksionet, ditë vendimtare për Elbasanin/ Pritet zyrtarizimi i…

Elbasani nuk po qëndron duarkryq sa u përket lëvizjeve në merkaton e verës. Kanë nisur kontaktet e para me lojtarë që mund të bëhen pjesë e ekipit për këtë edicion. Pas bisedimeve me Kledis Hidën e Tomorit, një tjetër mbrojtës ka dalë në skenë.

AF Elbasani

Bëhet fjalë për Rei Zaimin, 24- vjeçarin që është pjesë e Turbinës dhe që këtë edicion në Kategorinë e Parë luajti plot 22 takime si titullar dhe kapiten i saj. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verdheblu, pohojnë se këto ditë ka pasur një takim me lojtarin dhe janë marrë mendimet e para për një bashkëpunim të mundshëm.

Gjasat janë që palët të arrijnë në një marrëveshje shumë shpejt. Duket se merkatoja e elbasanasve do të nisë pikërisht nga prapavija, sepse bëhet fjalë edhe për dy mbrojtës që janë pjesë e Superiores, që janë gati të veshin fanellën verdheblu, por që ende nuk kanë mbyllur zyrtarisht marrëveshjen me klubet respektive dhe po qëndrohet në pritje. Nga ana tjetër, shumë pak lojtarë nga skuadra aktuale do të arrijnë të “mbijetojnë” në këtë klub, pasi do të largohen.

DITËT VENDIMTARE – 10- ditëshi i ardhshëm shihet si vendimtar për Elbasanin sa i përket sezonit të ardhshëm. Thuhet kështu, pasi verdheblutë presin të zyrtarizojnë trajnerin e ri dhe më pas të nisin merkaton për të përballuar sezonin. Emri më i lakuar vijon të jetë ai i Nevil Dedes, edhe pse për momentin nuk ka ardhur ende zyrtarizimi.

Nga ana tjetër, elbasanasit presin të zgjedhin edhe çështjen e aksioneve, ku një pjesë e mirë e tyre do të shiten te biznesmenë të tjerë, të cilët do të sjellin më shumë financa në arkën e klubit. Aktualisht AF “Elbasani” është 100% në pronësi të Bashkisë së Elbasanit dhe ka ardhur koha që për të krijuar një skuadër pretendente, në lojë të hyjnë edhe investitorë privatë.

Mësohet se palët janë në fazën e diskutimeve dhe këto ditë ndoshta do të mbyllet njëherë e mirë edhe kjo çështje. Objektivi është që të ngjiten menjëherë në Superiore, ndaj nuk duan të humbin kohë, por të nisin menjëherë nga puna për rindërtimin e skuadrës. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t’u parë në ditët në vijim kur edhe të bëhen zyrtarizimet me lojtarët që do të thirren për të qenë pjesë e projektit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"