“Paguhet për fjetje e ushqim, kur ka lojtarë lushnjarë”, Bano: Të shkurtojnë shpenzimet, buxheti është… “i fryrë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2022 | 23:33

“Paguhet për fjetje e ushqim, kur ka lojtarë lushnjarë”, Bano: Të shkurtojnë shpenzimet, buxheti është… “i fryrë”

Artan Bano e quan “të fryrë” buxhe tin e Lushnjës. Me gati 500 milionë lekë, ai mendon se klubi mund ta nisë sezonin edhe me pretendime. E megjithatë, ai sheh një problem në këtë mes. Mungesa e produktit vendës, sipas tij, shton shpenzimet e kota, që ndoshta mund të përdoreshin për tjetër gjë.

bano

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur i verdhejeshilëve i ka bërë një analizë të detajuar skuadrës dhe krejt Kategorisë së Parë. “Duke pasur një buxhet Superioreje, mendoj se kanë bërë një gabim. Kanë hequr dorë nga prodhimi vendës. Janë mbi 7-8 apo 10 futbollistë që luajnë në ekipe të ndryshme të Kategorisë së Parë dhe janë titullarë, në një kohë që te ne mungojnë.

Dhe kjo është sa e papranueshme dhe çudi. Kur financat janë shumë të fryra, gati 500 mijë euro, e ke mundësinë që të shkurtosh ca shpenzime. Duke pasur një futbollist lushnjar me cilësi, eviton fjetjen dhe ushqimin. Drejtuesit duhet të mundohen t’i thithin për të ndërtuar boshtin e ekipit të ri. Unë nuk jam lokalist dhe nuk jam kundër ‘jabanxhinjve’, më kuptoni. Por politikat duhet të ndryshojnë.

Në fillim të fazës së dytë, kur unë drejtoja Butrintin dhe kisha kundërshtar Lushnjën, hasa diçka. Nga 11 futbollistë dhe 5 ndërrime që bën, vetëm portieri Mikel Kaloshi ishte lushnjar. Luajnë 16 futbollistë dhe ka vetëm një produkt vendës, kjo duhet ndaluar. Formën le ta gjejnë drejtuesit.

Unë di të them çfarë bëmë herën e fundit që jemi futur në Superiore, në vitin 2017. Kemi pasur vetëm tre ‘jabanxhinj’: Magani, Mone dhe Branica. Të gjithë të tjerët ishin nga shkolla verdhejeshile. Prandaj shpenzimet kanë qenë më të pakta dhe rendimenti ka qenë shumë i madh. Kjo është ajo që duhet të ketë parasysh Lushnja”, u shpreh fillimisht 56-vjeçari.

APELI – Bano ka edhe një apel për sezonin e ri: “Nëse nuk do të mblidhet shpejt ekipi dhe nuk do të mendojnë shpejt për kampionatin, ka për ta pasur shumë të vështirë.

Jo për t’u futur në Superiore që nuk diskutohet se është shumë e vështirë, por mundet të kesh edhe ndonjë çedim. Ashtu siç i ndodhi në momentet e fundit Pogradecit. Me një ekip të mrekullueshëm, me futbollistë cilësorë dhe në fund fare mund të dalë nga kategoria”.

SKANERI – Nuk kishte si të mos fliste për garën që sapo u mbyll, duke e cilësuar më të fortën. “Kampionati që sapo u mbyll, ka qenë shumë i fortë. Nuk ka pasur disnivel të madh midis ekipeve që u futën në elitë dhe atyre që ranë nga kategoria. Ishte garë e ekuilibruar dhe askush nuk e kishte të garantuar 24 apo 48 orë para ndeshjes nëse do të fitonte apo jo. Ranë ndoshta skuadra që nuk e meritonin. Por, futbolli ky është”, tha tekniku.

GARA – Nëse kampionati i fundit ishte i ekuilibruar, të riun e quan spektakolar. “Do jetë spektakolar, ndoshta më i fortë sesa duhet. Me 14 skuadra dhe me emra si Dinamo, Skënderbeu dhe Flamurtari do ketë vëmendje dhe cilësi. Do kenë ç’të shohin. Rendësi ka që luhet në një grup dhe jo dy”, ka përfunduar Bano.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"