Osmani me grup të plotë, Vllaznia bën gati kthesën me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 14:55

Osmani me grup të plotë, Vllaznia bën gati kthesën me Dinamon

Luhatjet e mëdha në rezultate dhe loja jobindëse e ekipit në këto 15 javë kampionat, kanë zhgënjyer jo pak drejtuesit e klubit të Vllaznisë. Mirëpo, pas asaj disfate të thellë në Rrogozhinë ndaj Egnatias, në kampin kuqeblu janë të angazhuar maksimalisht për të bërë kthesën dhe ndeshja e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” kundër Dinamos mund të quhet edhe si prova e së vërtetës.

ytuy

Kuqeblutë presin një skuadër që prej gjashtë ndeshjesh radhazi merr rezultate pozitive në kampionat dhe për më tepër, në katër takimet e fundit nuk ka pësuar asnjë gol. Në fazën e parë, në sfidën e luajtur në fushën asnjanëse të Elbasanit, Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Dinamos. Gjithsesi, këtë të diel në orën 17:00 në “Loro Boriçi”, shkodranët janë të dënuar për të triumfuar, në mënyrë që të mos komprometojnë edhe më shumë vazhdimësinë e tyre. Një lajm i mirë për trajnerin Qatip Osmani në prag të kësaj ndeshjeje është rikthimi i të gjithë lojtarëve, të cilët kanë pasur dëmtime në javët e fundit, pikërisht Esat Mala, Millosh Stojanoviç dhe Rejan Alivoda. Në seancën e djeshme, si kurrë më parë, trajneri i ka pasur të gatshëm të gjithë futbollistët.

Në dy ndeshjet e fundit ndaj Teutës dhe Egnatias, vlen për t’u theksuar se pjesë e skuadrës kanë qenë edhe mbrojtësit Xhelil Asani dhe Kostandin Çeshmedjiev, të cilët vijnë nga dëmtime që i lanë disa javë jashtë fushës. Madje maqedonasi luajti disa minuta në Durrës, ndërsa Asani nuk aktivizohet me kuqeblutë që prej 23 shtatorit. Një rikthim i rëndësishëm për të shtuar alternativat në mbrojtje është edhe ai i shkodranit Flori Spahija, i cili gjithashtu prej një muaji ka qenë jashtë prej dëmtimit dhe tani ka nisur stërvitjen me grupin. Në ndeshjen e fundit në Rrogozhinë, një problem fizik pati edhe mbrojtësi Gledjan Pusi, por edhe ky i fundit mësohet se është kthyer me grupin dhe nuk e rrezikon sfidën ndaj Dinamos.

Në këto kushte, duke parë edhe lajmet e mira që vijnë nga infermieria shkodrane, e cila tashmë është boshatisur, trajneri Osmani do të mundohet të përzgjedhë formacionin ideal në ndeshjen me blutë e kryeqytetit. Stafi teknik ka më shumë alternativa në dispozicion dhe kjo natyrisht që rrit edhe konkurrencën në skuadër për një fanellë titullari ndaj Dinamos. Sipas të gjitha gjasave, Osmani pritet të ndryshojë skemën, duke hedhur në fushë një Vllazni më sulmuese. Me shumë mundësi do të sakrifikohet për formacionin njëri prej mesfushorëve të qendrës, duke qenë se Osmani kërkon një skuadër ofensive, që luan më tepër nga krahët.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"