Optimist për objektivin, presidenti Ali Kasa: Shkumbini, gati të mposhtë edhe Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 22:36

Optimist për objektivin, presidenti Ali Kasa: Shkumbini, gati të mposhtë edhe Luftëtarin

Shkumbini do të përballet këtë fundjavë me Luftëtarin, kryesues i Grupit B. Për presidentin e peqinasve, Ali Kasa, matematika u lejon të pretendojnë ende për vendin e parë. Për “Panorama Sport”, presidenti Kasa pohoi se fitorja e këtij takimi mbetet detyrë kryesore.

ali kasa shkumbini

Sa e keni vlerësuar përballjen ndaj Luftëtarit?  

Kemi dy javë që punojmë për këtë sfidë dhe besoj se e kemi përgatitur maksimalisht. Pushimi na krijoi mundësinë të stërvitemi më shumë dhe na ka shërbyer edhe për rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar.

A besoni se një fitore hap rrugën për kreun?

Ne jemi përpjekur që në fazën e dytë të ndërtojmë një ekip sa më kompetitiv për të përballuar kampionatin. Besoj se kemi dhënë maksimumin në Pogradec edhe pse lamë dy pikë. Në ndeshjet e tjera kemi marrë maksimumin dhe ndaj gjirokastritëve do të hyjmë në fushë për fitore. Për sa kohë matematika na jep të drejtën të besojmë, do të luajmë për të mos bërë asnjë hap fals, por kjo të ndodhë te rivalët.

A keni një mesazh për tifozët peqinas?

Ata gjithnjë kanë qenë lojtari 12 për ne, ndaj besoj se edhe në këtë takim do të jenë mbështetja jonë kryesore. I ftoj ata të vijnë në stadium të mbështesin ekipin, të tregojnë kulturë dhe qytetari e të kënaqen. Besoj se ekipi do të na bëjë krenar dhe do të fitojë për vete dhe për tifozët tanë të mrekullueshëm.

LULZIM RESULI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"