U futën si gjeneralë në fushë dhe dolën si ushtarë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 22:26

U futën si gjeneralë në fushë dhe dolën si ushtarë…

Nga NEPTUN BAJKO 

neptun bajko

Në futboll mbahet mend fillimi dhe fundi i ndeshjes, ndërsa unë mbaj mend vetëm golin e Uzunit. Sa për pjesën tjetër, fatkeqësisht m’u duk se lojtarët tanë hynë si gjeneralë në fushë dhe dolën si ushtarë. E kundërta me Izraelin, që u futën si ushtarë dhe dolën si gjeneralë…

MESFUSHA DOLI JASHTË LOJE

Loja në pjesën e parë tregoi që ekipi nuk ishte përgatitur për të përballuar një duel të këtij niveli. Ne vazhdimisht flasim për detajet që bëjnë ndryshimin e madh, por përjashto 10 minutat e para, kur ekipi po funksiononte me kujdes dhe me veprime të qarta për të dalë në veprime sulmuese, pjesa tjetër ishte një mungesë organizimi dhe lënie territori për kundërshtarët. Edhe rastet që pati Broja erdhën si pasojë e veprimeve intuitive dhe individuale, por në fund u nxitua. Pra, ekipi tregoi që skuadra ishte futur me mendimin për t’i dhënë rëndësi aspektit mbrojtës.

Kjo i dha mundësi Izraelit që të dilte në lojën e tij. Loja e kundërshtarëve bazohej te sulmi në të dy krahët. Ne jo vetëm që nuk morëm masa, por nisëm aplikimin e topave të gjatë, çka nxori jashtë loje repartin e mesfushës. Mesfushorët tanë ishin vazhdimisht në vështirësi të merrnin topin nga izraelitët, duke bërë që të ulej rendimenti i tyre si në organizim, ashtu edhe në mbështetje të veprimeve sulmuese. Asnjë top i rrëmbyer nga mbrojtja jonë nuk merrej nga mesfusha apo sulmi. Kjo ishte një e metë tepër e madhe, gjë që rivalët e kishin një armë plus.

SHQIPERIA 3

GABIMI I HYSAJT DHE PASOJAT MBI BROJËN

Kapiteni bëri një veprim që nuk i falet, sepse edhe në klubet e tij, nëse vendos ta largojë topin me shpinë, kritikohet. Përveç kësaj, edhe loja e paqartë dhe disi e plogësht e Asllanit, por edhe ngarkesa psikologjike mbi Brojën, e çuan këtë djalosh që të shpërdoronte episodet, të cilat shpesh ka ditur t’i shfrytëzojë.

Mungesa e rendimentit të tij erdhi edhe për faktin se ekipi izraelit i kishte marrë masat mirë për ta mbuluar nga afër në çdo moment, por edhe sepse skuadra nuk luajti për të. Po ashtu edhe loja në “trekëndësh”, një element tjetër që e dallon një ekip profesionist nga ai amator, la shumë për të dëshiruar. Izraeli na dha një shembull me lëvizshmëri, kombinime dhe me një teknikë e aftësi të admirueshme. Nuk ka shumë rëndësi skema taktike, 4-3-1-2 apo 5-3-2, por detyrat e çdo reparti, çdo lojtari dhe harmonizimi i lojës me top apo pa top.

PROBLEMI I SULMIT

Ne luajtëm me dy sulmues, me konstrukt prej atletësh, me forcë dhe gjatësi të admirueshme, teknikisht të zotët, që ndoshta nuk i kemi pasur asnjëherë vitet e fundit. E megjithatë, ata nuk u shërbyen as nga qendra dhe as me pasime nga krahët. Po them pasime, jo topa “parashutë” që janë të lehtë për kundërshtarët. Përfundimi: vetëm një goditje me kokë e Cikalleshit…! Për fat të keq konstatova se loja pa top, që është shumë e rëndësishme, nuk njihet nga shumë prej lojtarëve tanë. Lëvizin pak, rrëmujshëm dhe nuk e bëjnë këtë si trup i vetëm.

IZRAEL SHQIPERI ARMANDO BROJA

LOJA NË KRAH

Duhet thënë se në aspektin mbrojtës, Balliu dhe Hysaj ishin në më të shumtën e kohës jashtë funksionit, ku u pa qartë se kundërshtarët pikërisht aty e kishin ndërtuar lojën e tyre sulmuese. Aspekti psikologjik dhe përgatitja në këtë drejtim la shumë për të dëshiruar. Sa për ilustrim: po të shikoje psikomoralin e lojtarëve: Ajeti, Asllani, Broja dhe dy mbrojtësve anësorë BalliuHysaj, ishin të rënduar psikologjikisht. Pse? Mendoj se mungonte forca e grupit. Pra, në ekip nuk kishte ndërveprim me njëritjetrin, për ta shkundur skuadrën dhe për t’i dhënë edhe zemër në momente të vështira.

IZRAEL SHQIPERI SOKOL CIKALLESHI

UZUNI DHE NXITIMI NË FUND

Kryevepra e Uzunit rriti shpresën, shtoi emocionet e ankthin dhe u mendua për një çast që mund të fitohej një ndeshje ku nuk kishim luajtur mirë. Por nxitimi, tensioni dhe stresi i atyre minutave solli gabimin e dytë në mbrojtje, që na kushtoi edhe humbjen. Spostimi i Asllanit dhe Hysajt jashtë rolit, por mungesa e shpejtësisë nga krahët me një lojtar të tipit Roshi që edhe pason bukur, na bëjnë të lexueshëm. Themi gjithmonë, madje edhe Reja e përsërit, se vuajmë nga gabime të vogla, por këto nuk janë gabime të vogla, kur përsëriten në çdo ndeshje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"