Gjithçka me meritë, Berisha është lideri i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2023 | 16:41

Gjithçka me meritë, Berisha është lideri i Shqipërisë

100 kujtime të mëdha nuk vlejnë më shumë sesa një shpresë për të ardhmen dhe këtë shpresë ky ekip dhe ky trajner na i dhuroi. Unë kam vetëm një fjalë: MERITË. Po, sepse ishte një arritje e lojës kolektive. E taktikës kolektive. E frymës kolektive dhe disiplinës kolektive. E them këtë sepse mbi të gjitha ra në sy edhe zbatimi i detyrave individuale.

MixCollage-19-Nov-2023-04-40-PM-2028

Një nga sekretet e suksesit të ekipit tonë kombëtar, ndoshta edhe në planin moral e shoqëror, është besimi. Besimi trajnerstaf teknik me skuadrën, e cilësoj si një nga vlerat më të mira të kësaj skuadre. Mënyra e lojës ka ndryshuar, por gjithmonë është mbajtur parasysh në funksion të cilësive të lojtarëve dhe planit taktik të paracaktuar nga trajneri. Kjo, e lidhur në varësi të çdo ndeshjeje që ka specifikën e vet. Për mendimi tim pjesa e parë tregoi një ekip me personalitet, që e dinte se si do të luante, që asnjëherë nuk u pa të vihej në vështirësi nga kundërshtari dhe kjo krijoi atë vijueshmëri të lojës, sidomos në pjesën e parë që ekipi do ta kalonte me sukses këtë ndeshje tepër të vështirë.

Dua të cilësoj në mënyrë të veçantë vetëm një lojtar dhe ky është portieri Berisha. Ai pasqyroi forcë, siguri dhe besim. Këta elementë ishin shumë të rëndësishëm në këtë ndeshje për moralin dhe qetësinë psikologjike të skuadrës. Po pse e vlerësoj unë atë kaq shumë? Sepse në futboll mjaftojnë disa minuta të mungesës së vëmendjes dhe të panikut në aspektin e lojës, siç edhe u pa, edhe ndeshja mund të merrte një kthesë tepër të rrezikshme për arritjen e këtij suksesi. Pikërisht në ato momente u shfaq përvoja dhe madhështia e portierit Berisha. Shpeshherë merremi vetëm me sulmuesit, mesfushorët ose mbrojtjen, por harrojmë ose nënvlerësojmë rolin e portierit. Ai për mendimin tim ishte një shembull që tregon vlerat e mëdha profesionale dhe shoqërore.

SUGJERIME Do të ishte e vrazhdë që në një moment si ky dhe në një arritje kaq të madhe të merreshim me gabimet. Prandaj,  dua të them se këto janë vetëm sugjerime. E kam fjalën për ato gjëra që nuk më pëlqyen në pjesën e dytë. Pashë një skuadër që vuajti për afro 35 minuta dhe kjo është shumë, për çfarë na ka mësuar Shqipëria e këtij edicioni. Natyrisht, edhe Moldavia do t’i kishte minutat e veta të mira, por është arritje edhe të dish të vuash, pa rrezikuar aq shumë. Dhe e dyta, pashë që Shqipëria vuajti duelet në ajër më shumë se asnjëherë tjetër.

Pa i hequr meritën kundërshtarit, madje pa harruar edhe rastin e artë që krijuam në portën e tyre 3 minuta para se të pësonim golin e barazimit, unë mendoj se duhen zgjidhur këto gjëra në të ardhmen. Në fazën finale, ku kundërshtarët janë edhe me agresivë, edhe më cilësorë, por edhe më me përvojë, nuk mundet ta zgjasim aq shumë agoninë. Ndoshta duhet punuar për një plan B, pra për një mënyrë loje që na jep më shumë siguri kur jemi në vështirësi, sesa duke improvizuar dhe duke u vendosur ashtu si te goli që pësuam. Dhe ndërkaq, stafi e ka të qartë se deri në qershor duhet të mbahen nën vëzhgim 27 deri në 30 lojtarë, sepse sezoni është i gjatë dhe nuk dihet si shkojnë gjërat deri në qershor.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"