Asllani si Demollari, Duka dhe trajneri kanë kusht kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 22:00

Asllani si Demollari, Duka dhe trajneri kanë kusht kualifikimin

Nga NEPTUN BAJKO

bajko

Ndeshjet kanë si qëllim edhe ak tivizimin e lojtarëve të rinj, të cilëve u jepet një rast shumë i mirë për të treguar aftësitë e tyre. Në këtë aspekt mendoj se ndeshja me Armeninë ishte pozitive, pavarësisht se niveli dhe forca e ekipit kundërshtar nuk ishte në lartësinë e rivalit të mëparshëm…

LOJTARËT E KAMPIONATIT

Nuk dua të analizoj taktikisht më shumë sesa “surprizën” që pamë me lojtarët e kampionatit tonë dhe disa të rinj të tjerë që luajtën me shumë personalitet. Mendoj se ia vlen ta analizojmë këtë me kujdes, pasi është një pikë shumë e rëndësishme.

Skuka, qoftë me Italinë dhe aq më tepër kundër Armenisë, tregoi se është një lojtar me kapacitet dhe me aftësi të mira si rrallëherë në zonën e rreptësisë kundërshtare për të manovruar me qetësi dhe intuitë të jashtëzakonshme. Gjithashtu është për t’u vlerësuar aktivizimi i Bajramit, Hadrojit, Çokajt dhe Carës. Ajo që më pëlqeu te këta lojtarë ishte lehtësia e veprimeve, nuk patën ndrojtjen e fanellës kuqezi dhe luajtën krejtësisht me aftësitë e tyre. Pra të gjithë kanë vlerësim pozitiv.

POR, PSE U VONUA AKTIVIZIMI I TYRE?

Është pyetja që kanë bërë shumë njerëz pas ndeshjes me Armenisë… Unë mendoj se lojtarëve të kampionatit shqiptar u vjen radha të fundit ngaqë ekipi kombëtar udhëhiqet vetëm duke bërë eksperimente gati në çdo ndeshje. Kjo është gabim. Besoj se kampionati shqiptar në drejtim të talenteve duhet të ishte ndjekur më me vëmendje para shumë kohësh. Nuk kishin pse të na binin në sy tani dhe të themi “Ua sa mirë që i paskemi edhe këta djemtë gati për Kombëtaren”.

ASLLANI NË GJURMËT E DEMOLLARIT

Mendoj se veç atyre që përmendëm është edhe loja e Asllanit. Ai është lojtar me vizion dhe dimension të një lojtari me një perspektivë të qartë për të ardhmen. Zotëron që në këtë moshë kontroll dhe ekuilibër trupor me top dhe pa top.

Kontroll dhe ndjeshmëri të lartë të topit. Një cilësi e veçantë që e dallon klasin e tij nga të tjerët. Vizion dhe saktësi, kolektivitet dhe lëvizshmëri. Besoj se një talent i tillë që përsëritet pas shumë vitesh, mund të ecë në gjurmët e Sulejman Demollarit, Bledar Kolës e Shkëlqim Muçës në radhët e Kombëtares. Nuk ka pasur asnjë lloj arsyeje të injorohej, edhe pse nuk është më shumë se 21 vjeç. Me thjeshtësinë e tij ai nuk ankohet për asnjë gjë. Do vetëm të luajë për të shprehur më mirë pasionin e tij, futbollin.

MJAFT ME EKSPERIMENTET!

Duhet thënë mjaft eksperimenteve. Këtej e tutje duhet të udhëhiqemi nga përgjegjshmëria dhe profesionalizmi në shkallën më të lartë. Pra me një fjalë, opinioni këtej e tutje duhet të dijë se: kush është ekipi që do të përfaqësojë Shqipërinë në ecurinë drejt kualifikimit europian.

Ekipi kombëtar dhe stafi i tij me trajnerin Reja në drejtim është tani para dilemës: të vazhdojë edhe më tej për kualifikueset e Europianit me të vetmin objektiv i panegociueshëm: kualifikimin. Apo të thotë “Basta!”. Sepse vazhdimi ka vetëm një çmim: kualifikimin. Asnjë justifikim tjetër!

Qoftë me Rejën, apo edhe me një trajner të ri ky objektiv duhet të jetë i panegociueshëm dhe kjo vlen për të dy: presidentin e FSHF-së dhe stafin e tij, si dhe për trajnerin dhe stafin. Shqipëria sot ka lojtarë të mirë, por ka edhe shumë të mirë. Punohet në kushte të shkëlqyera, kemi edhe sportdashës e tifozë të jashtëzakonshëm. Tani është koha që dikush të marrë përgjegjësi për hapat që do të hidhen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"