Bastet, drafti dhe Edi Rama

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 21:32

Bastet, drafti dhe Edi Rama

Nga GERT ÇARÇANI

Carcani

Bastet “online” të gjendura tashmë nën “darën” e një drafti, që nuk ka kënaqur askënd deri më tani, si dhe nën një proces të konsultimit publik dhe të palëve të interesit, pritet të prodhojnë draftin final që do të kalojë fillimisht në qeveri e më pas në komisionet kuvendore, përpara seancës plenare për rikthim ligjor të adrenalinës koeficientuale në treg, të cilën tani e ofron me okë tregu informal.

Që nga 1 janari i 2019-ës (mbyllja definitive ligjore, por jo faktike e basteve) e deri më sot ajo që gëlon më shumë është pikërisht tregu i “USERAVE” pafund, që presupozohet të kenë provokuar një rritje me mbi 50% të qarkullimit të parave që luhen në baste në raport me vitin 2018, si matësi i fundit për sa kohë ishin hapur.

ylli-rama-780x405-1

Mbyllja me ligj dhe de jure nuk e frenoi kurrë një proces të tillë, duke e shtuar ritmin e lojtarëve, që në një mënyrë apo tjetër, të gjithë u shndërruan me qejf si operatorë bastesh. Nga studime bazike shifra (jo zyrtare) që qarkullon tani në rang kombëtar në vit për para të luajtura në baste shkon me një projeksion të përafërt deri në 1.5 miliardë USD.

Arsyet janë shumë, por mbi të gjitha komoditeti dhe pasja e gjithkujt e një “useri” edhe “online” 24 orë, natyrisht që shtoi ritmet e çdo klikimi. Tashmë jemi në fazën e letrave sërish për të bërë “Un locked” një proces që në fakt nuk u mbyll kurrë, edhe pse tashmë shteti presupozon të ndërtojë ligjshmërinë e kthimit të këtij procesi në zonën “online”.

Shteti ka nisur edhe proceset e dëgjimit me faktorët dhe aktorët e procesit në një kohë që sporti është me sy e veshë, nga premtimi i kahershëm publik dhe i përsëritur i KM-së që këto para do të shkojnë për kulturën, sportin dhe inovacionin.

Dhe në një situatë të tillë askush nuk orientohet në projeksion për asgjë se çfarë pritet të prodhojë në shifra një situatë e tillë.

Diskutohet që do të merren para, pa ditur sa mund të mblidhen, pra po delirohet për një situatë brilante, duke mos njohur shifra, shtuar këtu edhe faktin që KMP-ja (artifica e ngritur ne ligj, kundërshtuar nga palët si Këshilli për Mbrojtjen e Projekteve) të kapet me stil dhe elokuencë “nga leshtë e kokës” për ndarjen e parave që, sërish, pritet të kenë një vullnet konstant: Atë të kryeministrit, që edhe në këtë situatë sërish posedon (siç ligji dikton) shumicën që do të miratojë projektet. Po kjo është muzikë tjetër, për një tjetër moment.

Pikë së pari, kultura, sporti dhe inovacioni nuk dinë realisht se sa para mund të jenë në dispozicion të tyre që do të vijnë si produkt i akumulimit të taksës mbi lojën (jo tatimit mbi fitimin 15%, që është gjë tjetër), e që varion nga 15% deri në 25%. Dhe këtë shumë s’ka se si ta dinë. Në anën tjetër kemi vetëm një shifër që qarkullon, nëpërmjet presidentit të KOKSH, Fidel Ylli, që në çdo dalje publike thekson që viti i dytë i projektit 5 milionë USD të fëmijëve në shkolla, ka të salduar 2.5 milionë USD pikërisht nga bastet.

Pra, lekët qenkan ndarë? Logjika e një konfirmimi të tillë të çon në këtë argumentim… Diametralisht tjetër tezë propozon futbolli që kërkon një specifikim të saktë përqindjeje në dispozicion të sportit, nga këto të ardhura, duke mos mbetur në evazivitetin dhe vullnetin e një komisioni të tillë.

Një përqindje fikse nga këto të ardhura për sportin (e specifikuar në ligj), e që natyrisht më pas t’i nënshtrohet domosdoshmërish projekteve se për çfarë do të përdoren këto para që gjithsesi vijnë nëpërmjet kanaleve fiskale shtetërore, por që nuk do të futen në buxhet, duke kaluar direkt nga kompanitë e licencuara, te llogaria e AMLFsë, Autoritetit të Lojërave të Fatit.

Si KOKSHi edhe FSHF-ja e kërkuan inicimin e basteve, e ku natyrisht një diçka e tillë mund dhe shërbeu edhe si “asist” për Ramën për rikthimin e basteve, por në një situatë të tillë, KOKSH-i e FSHF-ja ndahen në pikën e specifikimit. Nuk dihen ende se sa para do të ndahen, sa do të grumbullohen, si do të grumbullohen, por projekt-drafti parashikon se kush do t’i ndajë. Dhe pikërisht ky komision në një mënyrë apo tjetër do të jetë nën ndikimin e KM-së.

Përtej faktit që Rama hoqi nga shpina dhe nga buxheti qendror një pjesë të konsiderueshme neto parash nga tatimi i lojës, dhe ia targetoi si të mirë sportit, kulturës e inovacionit, sërish komisioni ka shumë kontent-shteti brenda. E kryeson zv.kryeministri (sipas draftit), në rastin konkret zonja Balluku, e më tej në përbërje, zonja Kushi, zonja Hoxha e zonja Manastirliu (përkrahja sociale) e në fund janë edhe presidentët respektivë të futbollit dhe KOKSH-it.

E në një situatë të tillë, çdo fond, projekt apo para ta quajmë publike do të shkojë në vullnetin e këtij këshilli. Në çdo rrethanë, vullneti është i diktuar, në një kohë që FSHF-ja kërkon specifikim të përqindjes për sportin. Madje, pse jo akoma më tej, edhe specifikim për futbollin. Këto para do të vijnë nga bastet e futbollit e që natyrisht një saktësim i tillë do të evitonte shumë përplasje. Natyrisht jo ato të “librit të shtëpisë…”.

Në këtë fond pranë këtij komisioni natyrisht do të vijnë edhe para të tjera presupozohet të taksës nga kazinotë etj, por mungesa e deritanishme e një specifikimi për gjithkënd do të prodhonte edhe ndarjet preferenciale, të pakontestueshme dhe lehtësisht të votueshme edhe në këtë këshill. Por, kjo është faza e mjaltit, e cila gjithsesi në këtë kohë konsultimi të draftit kërkon një korrektim dhe konturim më logjik në mënyrë që të shmangen shumë alibi apo edhe paragjykime që gjithsesi janë thjeshtësisht të perceptueshme edhe tani.

KOKSH-i nuk është shprehur ende për një specifikim fiks të shifrës për sportin, teksa FSHFja me anë të presidentit e ka transmetuar qartë si zyrtarisht, por edhe publikisht. Ndërsa ana tjetër dhe dilemat e mëdha janë në lidhje me mënyrën se si do të jetë procesi i grumbullimit të këtyre parave, nëpërmjet shifrës së taksës së lojës apo një taksë fikse, propozuar edhe kjo.

Në mënyrë që nesër mos të përfundojnë thërrime në këtë pritshmëri të madhe të asgjësë së momentit, dhe ku tre “peshkaqenë” përfitues: SPORTI-KULTURA-INOVACIONI do të kërkojnë të gëlltisin pjesët e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"