Ngjashmëritë e disa lojtarëve shqiptarë me yjet ndërkombëtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 19:31

Ngjashmëritë e disa lojtarëve shqiptarë me yjet ndërkombëtarë

Nga EDUARD ZALOSHNJA
Një nga bisedat më të shpeshta që bëjnë të apasionuarit pas futbollit janë ato ku krahasohet një futbollist me një tjetër më të shquar. Më poshtë po ofroj disa krahasime individuale, të bazuara në dekada të ndjekjes së futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar

.zaloshnja

NEDIM BAJRAMI – një Platini shqiptar
Fantazisti shkëlqyer para zonës së rreptësisë, shpërndan topa rreth e rotull, jep asiste për gol, penetron dhe shënon edhe vetë. I rrezikshëm me goditjet e dënimit. Po vazhdoi si deri më sot, do ta meritojë epitetin “Platinija shqiptar”.

JASIR ASANI – një Roben shqiptar
Mëngjarash që luan në krahun e djathtë të sulmit, është i paparashikueshëm: do të shkojë deri në fundore dhe do të krosojë, apo do të bëjë një kthese të befasishme majtas, e do të bëjë një gjuajtje të fortë të harkuar drejt portës? Po vazhdoi si deri më sot, do ta meritojë epitetin “Robeni shqiptar”.

BERAT GJIMSHITI – një Zaneti shqiptar
I gjatë, i shpejtë, i fortë me të dyja këmbët dhe me kokë, apozicional në mbrojtje dhe pjesëmarrës në sulme, sidomos në gjuajtje standare të ekipit të tij, Gjimshiti mund të quhet pa frikë Zaneti shqiptar.

MARIO MITAJ – një Kabrini shqiptar
I sigurt në mbrojtje dhe shumë kombinativ në daljet përpara, të kujton Kabrinin (Kampionin Botëror të 1982-shit).

AMIR ABRASHI – një Tardeli shqiptar
I kudondodhur në fushë (gjithnjë rekord për kilometrat e përshkruara në ndeshje), Abrashi ishte i gatshëm për të marrë çdo pasim të shokëve, apo për të ndërprerë pasimet e kundërshtarëve. Një bulldog i vërtetë! Në momente decizive,sulmonte me befasi edhe zonën e rreptësisë kundërshtare…

ARBEN MINGA – një Zlatan shqiptar
Nuk ishte sulmuesi më teknik i brezit të tij, por i gjatë e i fortë si Zlatan Ibrahimoviçi, i tërhiqte zvarrë mbrojtësit kundërshtarë, duke shënuar gola me të dyja këmbët, me kokë, me gjoks, e me të tjera… (pyesni mbrojtësit belgë që luajtën kundër tij më 1984-ën, të tregojnë se ç’hoqën me të).

SUL MEMA – një Pirlo shqiptar (ose Modriç ose Çalhanoglu)
E filloi karrierën futbollistike si sulmues dhe eventualisht shkëlqeu si regjisor i mesfushës. Dukej sikur kishte një shqisë të gjashtë, që s’e kishin të tjerët (shihte 360 gradë se ku duhej të pasonte ose se nga mund t’i vinte rreziku mbrojtjes së Tironës). Rreth 90 % të goditjeve të dënimit afër zonës së rreptësisë i kalonte sipër barrikadës kundërshtare dhe drejt e në rrjetë!

FATMIR FRASHËRI – një Trent Alexander-Arnold shqiptar
Shumë dekada para se të shihte dritën e diellit Trent Alexander-Arnold, gjërat që bën ky i fundit sot, i bënte dikur Fatmiri. Nuk ishte mbrojtësi më i fortë i Shqipërisë, por shquhej se ishte njëkohësisht shumë i mirë edhe si mbrojtës, edhe si sulmues krahu. Një mbrojtës jashtëzakonisht modern për kohën kur luajti. (Shënim: Të njëjtat fjalë mund të thuhen edhe për dishepullin e tij, Millan Baçin)

VASILLAQ ZËRI – Një Leo Mesi shqiptar
Shumë dekada para se Guardiola ta poziciononte Mesin tek Barcelona si një 9-fals, trajneri Jareci e vendosi Zërin në një pozicion të ngjashëm tek Dinamo në vitet 70’-80’. Me një kontroll të habitshëm të topit në zona të ngushta, Zëri driblonte, pasonte e shënonte, si Leo Mesi i ditëve tona…

Dhe bakllavaja në fund: Panajot Pano – një Pele shqiptar
E quaj veten me fat si futbolldashës që kam arritur ta shoh Panajotin në stadium duke luajtur (edhe pse ishte në vitet e fundit të karrierës së tij të ndritur). Bashkëmoshtar me Pelenë, Pano shkëlqeu në Shqipëri, ndërkohë që Pele shkëlqeu në mbarë botën. Nëse Panajoti do të kishte patur mundësinë të luante në arenën ndërkombëtare, kush e di, ndoshta, ndoshta mund të ishte bërë i famshëm ndërkombëtarisht si bashkëmoshatari i tij…

Shënim 1: Për Maradonën nuk gjej dot një krahasim shqiptar – ai i përkiste një planeti tjetër…
Shënim 2: Ka edhe shumë futbollistë shqiptarë të sotëm e të së shkuarës që mund të ngjasojnë me yje ndërkombëtarë, por sa më e gjatë të bëhet lista, aq më shumë mund të çalojë krahasimi…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"