Ndryshimi i skemës, tani futbolli i shërben “lekut”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2023 | 21:39

Ndryshimi i skemës, tani futbolli i shërben “lekut”

Nga EDUARD PRODANI

Formula e re e kampionatit është dhe çudia e re e fut bollit shqiptar. Ajo na hoqi vëmendjen edhe nga vapa afrikane. Në pamje të parë, shumëkush e shikon si një përpjekje të dëshpëruar për të kthyer në jetë një futboll në “koma”. Do të ishte mirë sikur të ishte kështu, sidoqoftë kjo sjell pashmangshmërisht pyetjen: a mundet të prodhojnë formula për të shëruar futbollin ata që e sollën në këtë derexhe? Dyshoj. Do të ishte si një përpjekje “xherahësh” për të bërë një ndërhyrje në tru.

1641573063_thumbnailEduardProdaniishsekretariiprgjithshmiFSHFs

Të tjerë mendojnë se kjo bëhet që FSHF-ja të marrë ca para më shumë, duke shtuar të ardhurat e “Air Albania”- s. Në fakt të gjithë e dinë që futbolli ka nevojë për para që të zhvillohet. Pra, ka nevojë për para që t’i vërë në funksion të nevojave të tij. Mirëpo, për arsye që ca i dinë dhe ca i marrin me mend, në federatën tonë paraja ose “leku”, si e kanë zakon ta thërrasin, është bërë fetish. Në vend që “leku” t’i shërbejë futbollit, është futbolli që i shërben “lekut”. Sa më shumë “lekë” aq më mirë janë punët. Federata është shndërruar de facto në një makineri që grumbullon “lekë” nga të katër anët. Po edhe sikur arsyeja e vërtetë të ishte për më shumë “lekë”, a do t’ia vlente që të bëhet një eksperiment diletantesh për të grumbulluar ca para, që nuk do të mjaftonin as për të mbuluar shpenzimet e keqmenaxhimit me tapetet e “Air Albania”-s?

Mos vallë i shërben forcimit sportiv të kampionatit dhe meritës sportive? Të mendosh këtë duhet të pranosh që ndjek garat e qenve apo të ndonjë sporti tjetër, por jo futbollin europian. Sepse sot është shumë evidente që kampionatet më kompetitive fitohen nga ato skuadra që arrijnë të mbajnë gjendjen më të mirë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kampionatit. Është parë qartë po ashtu se klube të caktuara këtë e arrijnë nëpërmjet blerjeve të mjaftueshme e cilësore dhe aftësive të trajnerëve dhe stafeve të përgatitjes atletike. Planifikimi i përdorimit efikas të lojtarëve dhe zbatimi i strategjive për përballimin e garës, shpesh e kemi parë të bëhet në nivel vërtet shkence dhe arti. Kjo bën që përveç të mëdhenjve me buxhete qindra milionëshe, të ndodhë që edhe klube të vogla të arrijnë të na dhurojnë spektakël, duke mbajtur ritmin deri në “finish” po aq mirë sa gjigantët dhe shpesh edhe më mirë se ata. Dhe këtë e favorizojnë formulat e atyre kampionateve që imponojnë performancë me luhatje sa më vogla dhe vlerësim të çdo jave e çdo kundërshtari në kampionat. Po çfarë ofron formula e re e Superiores? Mos vallë fton që ca të bëjnë “pallë” tërë kampionatin dhe të futen për të luajtur futboll serioz në 2 javët e fundit kalendarike? Duhet të jesh optimist i pandreqshëm ose të mos kesh parë kurrë futboll shqiptar këto 20 vite që ta mendosh këtë. Atëherë mbetet të mendojmë se formula e re është një çomage tjetër kokës së futbollit shqiptar, një lloj “Panuçi” i radhës.

Do të rritet integriteti i garës, do të thonë me siguri apologjetë e federatës. Këtu ironia bëhet tamam therëse. Sepse një kampionat që vuan reputacionin e një gare që manipulohet në fushe dhe jashtë fushe në 36 javë apo në 180 ndeshje, nuk mund të menaxhohet me integritet në 3 javë apo ato 3 ndeshje të famshme shtesë. Një gabim “artistik” nga ata që shohim rëndom të bëjnë arbitrat në 4 fazat e rregullta dhe që shpesh sjellin impakte të pariparueshme në rezultatet finale të garës, do të ishte dhjetë herë më shumë përcaktuese në ato pak ndeshjet e fundit. Apo mendoni se federata ka gjetur çelësin magjik dhe do të garantojë që këto lloj gabimesh “artistike” nuk do të ndodhin më?! Këtë e ka të vështirë ta besojë edhe macja e komshiut tim.

Dhe po e mbyll këtë reagim të çuditur me ato që kam dëgjuar nga gojët e liga. Ato thonë se kjo formulë është si kalimi nga faza e fundit e kapitalizmit, që sipas Marksit është imperializmi në komunizëm. Në “komunizmin” e futbollit tonë klubet do të punojnë sa kanë mundësi dhe do të marrin sa kanë nevojë. Këtë do t’ua garantojë shteti, domethënë federata. Pra, do të jetë një lloj kooperative futbolli. Faza shtesë duhet për të shmangur ca bezdi të vogla, si ato që u krijuan në fund të kampionatit që sapo mbaroi, që rrezikonin të prishin rezultatet e planit 5-vjeçar. Sepse të pabindur dhe kokëfortë që të prishin planet ka pasur gjithmonë. Nuk ka më njeri nerva dhe moshë në federatë që të merret me ta. Po këto ishin gojët e liga. Ato nuk duhen dëgjuar. Por po të lëmë mënjanë gojët e liga, ngjarjen e miratimit të skemës së re të kampionatit, mendja ma shikon si ngjarjen e budallait që hodhi gurin në ujë dhe që i vuri të gjithë të mendojnë se përse vallë ai e bëri. Vetëm se ndoshta do të ishte më mirë që në vend të “budallait” për këtë rast të thoshim “shejtanbudallai”.

Ish-sekretar i FSHF-së

Zyrtare/ FSHF ndryshon formatin e Superiores, ja si shpallet ekipi kampion në sezonin 2023-2024

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"