Klubi i futbollit dhe Dinamon që e çojnë në Arbanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2023 | 13:48

Klubi i futbollit dhe Dinamon që e çojnë në Arbanë

Nga EDUARD DERVISHAJ*Collage Maker-01-Sep-2023-01-47-PM-4089

Këto ditë po flitet dhe shkruhet shumë për KS Dinamo, mendova të shkruaj në mënyrë të përmbledhur për të kuptuar esencën e klubit. Si lindën? Çfarë përfaqësojnë dhe përse lidhemi me një klub… Klubet lindën nga dëshira e komuniteti për t’u përfaqësuar, mbasi në thelb klubi është një hapësirë komunikimi dhe shoqërizimi, një ide, një filozofi, një mënyrë të luajturi dhe të qeni. Jo rastësisht në Angli, aty ku filloi futbolli modern dhe u krijuan klubet e para, shumë prej tyre u themeluan në kisha apo edhe në “pube”. Filozofi anglez Simon Critchley, një nga më interesantët e shekullit XXI, në librin e tij “Ëhat ëe think about ëhen ëe think about football”, shkruan: “futbolli është lëvizja e ‘socius’, shoqërimi i lirë i njerëzve. Arsyeja pse futbolli është kaq i rëndësishëm për kaq shumë prej nesh, tregon pikërisht që në thelb të tij është përvoja shoqërore dhe ndjenja e gjallë e komunitetit që ofron. Është kjo një nga arsyet përse kaq shume njerëz ndajnë të njëjtin pasion për një ekip dhe bashkohen me të pavarësisht profesionit, klasës sociale, ideologjisë apo fesë”.

Për këtë arsye, “rrënjët” e tij duhet të jenë të futura thellë në komunitetin që përfaqëson dhe duhet të shërbejnë si qendra të komunitetit, si vendi ku njerëzit mblidhen për të ndjekur ndeshjet, për të ndërthurur historitë personale me historinë e klubit, dhe për të ndarë emocione të përbashkëta të fitores dhe humbjes. Po të lexoni histori të klubeve, shumë interesante dhe himnet e tyre, do të kuptoni se ai nuk është thjesht një klub futbolli, por pjesë e kulturës dhe identitetit të një komuniteti. Mario Benedetti, një nga shkrimtarët uruguaianë me ndikim të madh në futboll, “identifikimin e sportdashësit me klubin e qytetit të tij e ngre në një nivel përtej futbollit dhe e shikon si një lidhje të individit me një kolektiv që i jep kuptim ekzistencës së tij, si ai që e kërkon atë te feja”. Kjo ndjenjë e përkatësisë dhe identifikimit është ajo që bën që lidhja mes tifozit dhe klubit të jetë e fortë dhe e thellë dhe shpjegon përse e mbështesim një ekip. Jo domosdoshmërish sepse fiton, por sepse e ndiejmë që është yni dhe që ne jemi pjesë e tij! Lind pyetja, pse janë themeluar kaq shume klube? P.sh. 42 klube në Londër, rreth 13 në Athinë, vetëm brenda qytetit të Madridit ka 3 klube: Real Madrid, Atletiko e Madridit e Rajo Vajekano, dhe mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po të lexojmë historinë, do të shikojmë se edhe në Shqipëri, në fillim të viteve 1920, shumica e qyteteve kishin jo një, por disa “Shoqëri Sportive”. Mund të vazhdoj pafundësisht me shembuj!

“Kjo ndodh – shkruan A. Ragkousis në artikullin ‘Ëhat is a football club after all?’- sepse komunitete të ndryshme kishin grupe të ndryshme vlerash, që ishin thelbësore për identitetin e tyre kolektiv”. Këto vlera dhe përvoja kolektive u ngulitën në vetë strukturën dhe kulturën e klubeve të futbollit. Po marr si shembull klubin gjerman, që dikur përfaqësonte një distrikt në zonën e Ruhrit: Shalke 04, një nga institucionet sportive më të admiruara dhe më të respektuara në skenën e futbollit europian, një nga klubet europiane me numrin më të madh të anëtarëve. Emri zyrtar i klubit është Fußballclub Gelsenkirchen-Schalke 04 e. V. Në vitin 1924, ata përfshinë në emrin e klubit dhe emrin e qytetit, për t’i dhënë më shumë prestigj qytetit të tyre. Në faqen e Bundesligës, ndër të tjera, shkruhet: “Origjina dhe historia e FC Shalke 04 kanë farkëtuar vlerat e një klubi të lidhur me një shtresë sociale të përcaktuar qartë: minatorët e minierave të qymyrit. Përkushtimi, puna e madhe, këmbëngulja dhe besnikëria, ndër të tjera, janë në ADN-në e klubit të Gelzenkirshen. Ata janë krenarë për origjinën e tyre dhe mbrojnë traditën e klubit me fanatizëm. Një herë në vit i gjithë ekipi zbret në një nga minierat e qymyrit, ende në përdorim, për të përjetuar nga afër çdo ditë një nga profesionet më të vështira në botë. Për këtë arsye motoja e FC Shalke 04 është: “I lindur nga qymyri, i pagëzuar me ujë nga ‘Emscher’ (lumi që kalon pranë)”. Po te ne si mbrohen traditat dhe përfaqësohet komuniteti kur Dinamo (për të cilën do të shkruaj një herë tjetër) e heqin nga kryeqyteti, vendi ku lindi, dhe e çojnë në Pezë dhe andej në Arbanë? Një klub i Durrësit apo dhe i Tiranës ikën për të luajtur në Elbasan? Apo Kukësi, që luan në qytetin e vet dhe stërviten në Tiranë? Po ashtu dhe Laçi! Kur Korabi bredh nëpër Shqipëri, duke kërkuar stadium për të luajtur? Stadiumi i Besës është kthyer në kullotë për bagëtinë…! Kruja…! Etj.

Ndryshimet e shpejta dhe të thella në shoqërinë e sotme, periudha e komercializimit të shpejtë të futbollit dhe interesi ekonomik i kompanive apo individëve të pasur për të blerë klube futbolli, ka ta filluar të vërë në rrezik këtë histori dhe traditë të bukur të klubeve (formati i Superligës është një shembull). Është kjo arsyeja që klubet vazhdimisht përmirësojnë strukturat e tyre dhe punojnë shumë për ta mbajtur dhe forcuar lidhjen me komunitetin dhe transmetuar vlerat e tij. Te “Manifest futbolli për të gjithë”, sociologu i njohur, David Goldblat, iu kujton sheikëve arabë, maniatëve amerikanë, rusë apo kinezë, kësaj “elite të vogël”, që po rrëmbejnë përfitimet e globalizmit, se klubet angleze që ata po blejnë kanë një borxh besnikërie ndaj një komuniteti që iu paraprinë atyre. Futbolli është një aktivitet veçanërisht i bukur, pjesë e kulturës sonë, një trashëgimi e mrekullueshme prej më shumë se njëqind vjetësh, një tërësi identitetesh e solidariteti të fuqishëm, një lojë komplekse e ritualeve kolektive dhe bisedave publike që merret me NE, jo me MUA, në një botë thellësisht individualiste dhe të ndarë. 2. Historia e themelimit të klubeve sportive shqiptare është po aq e ngjashme me atë të klubeve europiane. Klubet tona u formuan nga elita e shoqërisë shqiptare të kohës. Intelektualë të shquar, që kishin studiuar jashtë vendit, si dhe tregtarët që punonin me vendet fqinje.

Po marr si shembull Shkodrën, këtë qytet të bekuar dhe me shumë kontribute në historinë e kulturës dhe artit në vendin tone, ku natyrisht ishte e pamundur të përjashtohej sporti. Shkodra nuk është vetëm porta nëpërmjet së cilës hyri futbolli në Shqipëri, por edhe qyteti ku u krijua dhe shoqëria e pare kulturore-sportive, në vitin 1919, me emrin aq të bukur dhe kuptimplote: “Shoqnia Vllaznia”, pjesë e se cilës ish te dhe futbolli. Anëtarët e kryesisë së Shoqnisë së re ishin emra të shquar të vendit në politike, ekonomi, kulture, art e sport. Nuk po i përmend të gjithë, por sa për t’u kujtuar disave në krye të klubeve se kryetari i parë ishte vetë zoti Hil Mosi, intelektual patriot, politikan dhe publicist. Themeluesit i kishin qëllimet të qarta: “zgjimin e djelmnisë shqyptare në fushën letrare, teatrore, muzikore e gjimnastike”, siç shkruhet në komunikatën e themelimit. Mendoj se ata ishin vizionarë dhe shikonin më larg, jo vetëm për të ngjallur kulturën dhe identitetin e komunitetit lokal. Ata përpiqeshin të plotësonin nevojën për një ndjenjë përkatësie dhe identiteti kombëtar, po të marrim parasysh situatën e vështirë të vendit. Nuk duhet të harrojmë që jemi në vitin 1919, kur Shqipëria ende luftonte për ekzistencën e saj (e kam hasur këtë dhe në historinë e futbollit gjerman)! Themeluesit bënë dhe një akt tjetër të madh historik, Shoqnia e re ishte bashkim i dy shoqërive të mëparshme atdhetare me baza të ndryshme besimi. Sot, sikur të mos kishim mësuar asgjë nga këta kolosë, ka ndonjë klub në Shqipëri që ka përdorur simbolet e një besimi të caktuar dhe që çirren në stadium me thirrje fetare…! Si mund të lejohet një gjë e tillë nga institucionet drejtuese të sportit dhe të futbollit? Është zbatuar ligji i shtetit dhe statut i FSHF-së? Në diktaturë, pa harruar për asnjë moment pasojat e saj tragjike për shqiptarët, duke qenë se institucionet private nuk ekzistonin, shoqëritë /klubet sportive u transformuan në ndërmarrje shtetërore (me buxhet të garantuar nga shteti) dhe për këtë arsye nuk kishin pavarësi të plotë në aktivitetin e tyre. Klubet kishin strukturë shumë të mirë organizative, ku përfshihej: shefi i klubit, inspektori, trajnerët e ekipeve zinxhir, ekonomisti, magazinieri, në shume klube dhe kuzhinieri e këpucari.

Sporti, në rastin tonë futbolli, mori një zhvillim shumë të madh në drejtim të masivizimit dhe cilësisë. Në krye të klubeve ka pasur administratorë shumë të mirë. Po kujtoj vetëm njërin prej tyre: shefin e njërit prej klubeve më të shquar të sportit tonë, SK Tiranës: Lame Konomin. Do ta quaja modelin më të mirë të administratorit të një klubi, pavarësisht formës legale të institucionit. Por, me gjithë funksionimin e mirë organizativ, klubet kishin një problem: lidhjen e tyre me tifozët. Klubi nuk kishte “jetë”. Çfarë dua të them me këtë? Mijërat e shikuesve, që mbushnin shkallët e stadiumeve dhe fushave anekënd Shqipërisë, kur mbaronte ndeshja dhe deri në ndeshjen e radhës nuk kishin më asnjë lidhje me klubin. Në periudhën e diktaturës funksiononin pak organizata dhe ato ishin me karakter partiak dhe të kontrolluara prej saj. Kështu, duke qenë se regjimi nuk lejonte krijimin e shoqatave me dëshirën e lirë të njerëzve, humbëm momentin për krijimin e shoqatave të tifozëve, anëtarësimin dhe teserimin, e cila do t’u jepte atyre mundësinë për të qenë pjesë aktive e funksionimit të klubit dhe të ushtronin, sipas formës legale të klubit, kontroll mbi të.

Vijon me ngjarjet e mbas viteve 1990… *Ish-sekretar i përgjithshëm i FSHF-së

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"