Zotësia dhe “fati i madh” i Kombëtares së Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 16:34

Zotësia dhe “fati i madh” i Kombëtares së Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI
Kështu mendova mbas hedhjes së shortit për finalet e “EURO 2024”. Që këto pak fjalë t’i rreshtoja në rubrikën time të vjetër “10 radhët e mia”. Sepse kisha shumë pak për të thënë, por kisha jo pak për të nxitur…

silvinjo

Dhe mjedisi shqiptar i futbollit që ka kaluar në eufori. Deri aty, saqë të duket që mendon se Shqipëria mund të mbërrijë deri në kampione e Europës. Ia kanë marrë mendtë fitoret e paharrueshme 2-0 e 3-0 me Poloninë e Çekinë dhe harrojnë dy barazimet “platonike”, me dy ndër të fundit e Europës, Moldavi e Ishujt Faroe. Por ajo çka kanë harruar mbi gjithçka, është kjo tjetra që thotë se “topi është i rrumbullakët”.

Dhe shpërthyen me përcaktimin: “Na ra grupi i ferrit”. Çka do të thotë se nuk njohin as Ungjill e as Kuran për të mësuar drejt kuptimin e ferrit. Ndërkohë që mesa duket, nuk njohin as Ferrin e Dantes. E as Parrizin (parajsën).

Është vërtet fort e mërzitshme kur ndiejmë gati përditë pamëshirën e fjalorit të ri të futbollit në Shqipërinë e sotme: “ferr”, “cinik”! E për çka? Për ndeshje futbolli!

Siç e shihni, fjala e parë e titullit të kësaj “trafiletto” times – ndonëse nuk është plotësisht e tillë – është “zotësia”. Sepse edhe unë, si dhe mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë, nuk mund të harroj apo të nënvleftësoj zotësinë e madhe të kësaj Kombëtareje të mrekullueshme që arriti për herë të dytë kualifikimin e bujshëm të saj për në finalet e Kampionatit të Europës.

Por kjo nuk do të thotë që të m’i marrë Zoti mendtë e ta quaj “grup ferri”, atë çka bukur e mirë e përcaktoi shorti i Hamburgut i së të shtunës në mbrëmje. Qartë guxoj ta quaj “fati i madh” i Kombëtares së Shqipërisë. Nuk mund të ketë fat më të madh sesa të jesh në një grup me dy kampione të botës e të Europës. Apo dhe me një nënkampione të botës si Kroacia, e cila për çudi ka një trajner që ka qenë pjesë e kampionatit të Shqipërisë, që është Zlatko Daliç i Dinamos 2008. Vërtet, si mund t’i thuhet “grupi i ferrit” në vend që t’i thuhet “grupi i parrizit” (parajsës)!

Kësisoj, harrohet se Shqipëria do të përballet me ndër më të mirët e historisë së futbollit europian e botëror. Me sa duket paskan dashtë Kazakistanin e Luksemburgun, Islandën, Gjeorgjinë a Estoninë, të cilat janë ende në garë për të ardhur në Gjermani.

Ndërkaq, duke iu kthyer historisë, atij që njihet si “EURO 2016”, ndonëse humbi dy ndeshje dhe fitoi vetëm një, ashtu si në librin “Shqipëria Europiane e Gianni de Biasi-t”, rikujtoj edhe këtu se Shqipëria, që më parë pati fituar deri me Francën, ajo paraqiti një futboll të vërtetë të nivelit europian edhe në finalet. Humbi dy herë, por zhvilloi ndeshje të paharrueshme, përveç të tjerave, edhe për fatin e golave të minutave të fundit…

E pra, ëndërroj që kjo Shqipëri, datuar 2024, të lërë po ato përshtypje të pashlyeshme si në “FRANCË 2016”. Madje tash, përballë dy apo tre korifejve të futbollit europian. Ia uroj me zemër të përsërisë po atë paraqitje. E pse jo, edhe kualifikim. Natyrisht, këtë të fundit, disi me kthjelltësi, pa mbivlerësim e pa nënvlerësim.

Mbi të gjitha, pa eufori, që për çudi sapo ka nisur. Sapo ka nisur te tifozët jashtë e brenda Shqipërisë, të cilët të indoktrinuar, sidomos nga propaganda televizive, ndoshta kujtojnë se Kombëtarja do t’ua përmirësojë deri diku jetën, duke harruar se ajo thjesht do t’i bëjë veç të gëzohen. Dhe ruana zot nga “krenaria”, e shfrytëzuar sidomos nga një qeveri si kjo e sotmja, që sa pak bën për jetën e shqiptarëve. E pra, edhe për futbollin. Shihni kampionatin e rënë kombëtar të Shqipërisë – Rrogozhina 16 pikë më shumë se Shkodra – teksa nuk dihet ku janë Vlora e Elbasani, Berati apo Gjirokastra e Kavaja.

Kështu pra, po na mbyt përditë propaganda, sidomos në televizione që të duket sikur nuk kanë tjetër fjalë veç “krenarisë”. Ose që “ndeshjet i transmeton televizioni ynë”. Kjo e përsëritur njëqind herë. Pa harruar çudinë që na thotë se transmetimin e ndeshjeve e ka blerë një TV që veç me sportin e futbollin nuk pati asnjë lidhje, përveç sundimit në lajmet kryesore të tij të futbollit të kampionateve të shteteve të tjera.

Por të qëndrojmë te futbolli ynë dhe te “fati i madh” i Shqipërisë që do të ndeshet me Italinë dhe Spanjën, e edhe me Kroacinë ballkanike. Ballkanit pra, gadishullit “të prapambetur” që në 24-she të Europës ka plot 6 kombëtare: Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Serbi, Rumani, Turqi, e ndoshta dhe Greqi. Kjo për të mos harruar se nuk jemi vetëm ne. Duke na kujtuar ndërkaq, mendimin e vjetër që thoshte se “futbollin e madh e kanë vendet e varfra”.

Por “të pasurit” Itali e Spanjë na kanë mundur përherë. Punë e madhe, megjithatë! Le të na mundin përsëri. Por tash përmes një futbolli më të vërtetë se kurrnjëherë, përmes një gare që më e pakta uroj të jetë sa më shumë e barabartë. E pse jo, edhe me rezultat.

Dhe të mos harrojmë sentencën që thotë se “futbolli është gjëja më e rëndësishme e dorës së dytë”. Përsëris: “e dorës së dytë”, ndonëse dihet që mrekullitë e dorës së dytë, shpesh janë më joshëse se ato të dorës së parë…

Këtu mbyllet kjo filozofi e “10 radhëve të mia”. Urime Kombëtares së Shqipërisë së vogël që do të matë forcat me të mëdhatë Itali e Spanjë. Nuk ka ku shkon më bukur! Të duket si një “parriz i futbollit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"