Shqipëria moderne e paradoksit të madh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2023 | 23:30

Shqipëria moderne e paradoksit të madh…

Nga BESNIK DIZDARI

Ndoshta është pak t’i thuash “moderne” kësaj Shqipërie. E, disi papritmas, më duhet të pohoj se ajo është më shumë se “moderne”. Pa harruar ndërkohë, krahasimin përmes historisë, e cila na thotë se për të herë të parë – në histori pra – Kombëtarja e Shqipërisë ka pozicionin më të lartë që ka pasur ndonjëherë në pjesëmarrjet e saj për kualifikimet eurobotërore.

silvinjo

Çka do të thotë se po për herë të parë në histori, 3 ndeshje pa mbaruar kualifikueset, në këtë rast të një Kampionati Europian, Shqipëria kryeson grupin e saj. Më tej, kjo do të thotë se as në vitet e pashlyeshme 2015- 2016, kur Shqipëria mbërriti për herë të parë finalet e një Kampionati Europian, ajo nuk ka qenë kaq lart sa sot në ndeshjet e saj kualifikuese. E, për çastin më duhet t’i kthehem një retorike të shkrimit të kaluar.

Është kjo: “…E pra! Do të kemi një Shqipëri që luan bukur futboll, pavarësisht nga rezultati? Do të kemi një Shqipëri si ajo e ‘EURO 2016’, që guxon e shkon në finale? Do të kemi një Shqipëri që do të përmbysë dy fuqi të mëdha të futbollit europian me emrat Çeki e Poloni? E tash, krejt papritmas, edhe një ‘të vogël’ si Moldavia befasuese? Do të kemi një Shqipëri që do të befasojë edhe një herë Europën?…” Dhe mu këtu më duket se merr fund retorika. Nuk ka nevojë më për retorikë. Ka nevojë për realizëm, për prakticitet dhe… o burra!… Shqipëria mposhti radhazi dy fuqi të hershme të futbollit europian. Falë 1-1 Çekisë në Pragë dhe 2-0 Polonisë në Tiranë.

Tash, të duket se i mbetet vetëm edhe një arritje, një arritje e vetme, një ndeshje e vetme përcaktuese, një fitore e vetme dhe Shqipëria shkon në finalet e “Gjermanisë 2024”. Aty ku për përkim të çuditshëm, 40 vjet më parë, në vitin 1983, Shqipëria “e vogël” eliminonte një Gjermani, për Kampionatin Europian të 21- vjeçarëve. Një histori e rrallë, të cilën padyshim do ta ritrajtojmë përmes shkrimeve pak të mëvonshme… Por e tjetër përmasave është kjo situatë e sotme. Ajo na thotë se mjafton fitorja me Çekinë dhe mbas 8 vjetëve Shqipëria pothuajse shkon përsëri në finalet e një Kampionati të Europës. Natyrisht, fitorja ne Çekinë nuk është e lehtë.

kombetarja

Megjithatë, nuk parashikoj  humbjen. Nuk parashikoj humbjen sepse më vjen të pohoj me gjithë forcën e një shkrimi, se asnjëherë në historinë e saj Shqipëria nuk ka pasur një skuadër më moderne se kjo e sotmja. Deri aty saqë, ndërsa kërkoj të gjej lojtarin kyç të këtij 11-shi, nuk ia arrij ta gjej. Kështu, ngaqë kjo Kombëtare, nuk ka një të tillë. Kjo Kombëtare ka 11 lojtarë thuajse të barabartë, të cilët sidomos në dy ndeshjet e fundit, treguan se në çdo çast secili prej tyre mund të zëvendësojë rolin e tjetrit. Ndonëse këtë barazi ma “prishin” paksa vetëm dy shënuesit e dy golave spektakolarë me Poloninë, ata të Asanit dhe të Dakut. Teksa njëri prej të cilit, ai i Asanit, pushtoi faqen e UEFA-s si goli më i bukur i turit. E ndërsa goli i Asanit erdhi krejt prej një veprimi individual, ai i Dakut erdhi prej një veprimi kolektiv. Edhe kjo flet për modernen e kësaj Shqipërie.

Çka do të thotë se kjo Shqipëri, së cilës për njëqind arsye ne përherë i themi “e vogël”, di të jetë sa individuale në interpretime po aq edhe kolektive në universalen që kërkon futbolli modern. Sa interpretative në episodin e një njeriu të vetëm (Asani), por po aq edhe në harmoninë e episodit kolektiv që mbërriti te goli i Dakut.

Ndërkaq, po kaloj tek akti tjetër i modernes së kësaj Kombëtareje. Kështu, kur rezultati me polakët mbërriti në 2-0, ata u hodhën thuajse me “egërsi” për të shkurtuar largësinë e golave. Këtu u shfaq plot forcë tipari tjetër modern i Shqipërisë: tipari i aftësisë për të ruajtur rezultatin. Çudia ishte se edhe spektatorët në këto 20 minuta të fundit sikur heshtën. Donin të çlodheshin edhe ata mbas energjive që kishin konsumuar deri në rezultatin 2-0. Të sigurt ata prisnin vërshëllimën e fundit për të shpërthyer në festën, ndonëse euforike, të rezultatit të madh, i cili tri ndeshje para përfundimit, për herë të parë, e çonte Shqipërinë në krye të renditjes së grupit.

shqiperia

Ajo siguri e 20 minutave të fundit, me gjithë “monotoninë” e saj, më dukej më moderne se e gjithë ajo lojë e rrallë e 70 minutave që do të jepte fitoren përmes dy golave spektakolarë. Kalime të mbajtjes së topit sa anësore aq dhe vertikale midis lojtarëve para portës sonë; madje edhe me ndonjë kundërsulm të rrallë, si për t’u thënë polakëve se mund të shënojmë edhe të tretin. Kjo larmi pasimesh të sigurta vetvetiu i çmobilizonte ata, deri edhe njërin nga më të mirët e botës, Levandovskin. Pa harruar se plot 8 lojtarë të kësaj Polonie vinin nga kampionatet kombëtare më të fuqishme të botës, Angli e Gjermani.

Sigurisht nuk mbërrij deri aty sa ta quaj fitoren e Shqipërisë fitore ndaj futbollit gjermano-anglez. Arrij vetëm sa të përforcoj stilin modern të kësaj Kombëtareje, të një larmie të tërë. Elasticitet në mbrojtje-sulm, mbajtje e sigurt e topit, pasime befasuese, herë të rrufeshme e herë të qeta, gjuajtje të paparashikueshme golash, si dhe një ndërgjegje e lartë loje. Sepse ka edhe të tillë në vetë moralin e kësaj loje. Ajo është një Kombëtare, e cila nuk i ngjasonte përcaktimit tashmë të vjetruar të futbollit të dikurshëm shqiptar që i thoshin “shpirti luftarak”.

Shqiperia

Tash ishte diçka tjetër. Ishte futbolli modern dhe vetëm kaq. Po nga vinte ky futboll modern? Përgjigjja vjen e menjëhershme. Vjen prej një paradoksi të madh. Kur me fjalën paradoks nënkuptohet: absurdja, e pamendueshmja, ekstravagantja, kundërshtuesja e një opinioni të zakonshëm, kapriciozja, origjinaliteti i të menduarit dhe të të vepruarit.

Atëherë, cili nga këto nënkuptime i shkon më për shtat Kombëtares së sotme moderne të Shqipërisë? Mund të veçoj dy prej këtyre nënkuptimeve: të pamendueshmen apo ekstravaganten dhe origjinalitetin e mënyrave të të menduarit e të vepruarit. Në këto më duket se qëndron paradoksi i madh i kësaj Kombëtareje, çka dhanë mundësinë që të mposhten, të paktën tani për tani, dy fuqi të shquara të futbollit evropian, siç janë Çekia dhe Polonia. Mu këtu qëndron dhe paradoksi i paradoksit, që na thotë se nga 24 lojtarët, që trajneri Silvinjo ka aktivizuar në këto 5 ndeshje, vetëm 6 prej tyre i ka lindur si futbollistë toka e Shqipërisë: Cikalleshi, Uzuni, Bare, Muçi, Sadiku, Hysaj 15-vjeçar.

Ky me sa duket, është “rekordi botëror” i formimit, si të thuash, jashtëkombëtar, i një Kombëtareje. Kjo është dukuria thelbësore e modernes së Kombëtares së Shqipërisë. Çka në këtë tregues të mësipërm, ia kaloi edhe asaj të De Biazit, Kombëtarja e të cilit kishte, jo 6, por 10 lojtarë të dalë prej futbollit shqiptar. Dhe me një ndryshim: nuk sundojnë më djemtë vetëm nga Kosova, por tash është bërë një përzierje e djemve të prejardhur nga Kosova po e po, por edhe nga Maqedonia e me djem të Shqipërisë, por që shumica e të cilëve janë rritur e formuar jashtë Shqipërisë.

Ky pra është paradoksi i madh i Kombëtares moderne të Shqipërisë, që kësaj radhe mbërriti te një kulm tjetër i paparë: janë 7 lojtarë të Serisë A të Italisë: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Ramadani, Bajrami, Asllani. E bujshme! Një bujë që na shtyn ta kërkojmë modernen te një stil italian. Këtë nuk e di mirë, megjithatë. Di që në ndeshjet e saj, kjo Shqipëri moderne, shpesh më dukej se më ngjasonte edhe me përdorimin në mënyrë të matur të “catenaccio”-s së Xhani de Biazit. Nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që në 5 ndeshje rresht, pa i hyrë asnjë ndeshjeje miqësore midis tyre, Kombëtarja e Shqipërisë ka luajtur si një skuadër tejet e sprovuar europiane.

Kjo është një befasi e madhe. Më saktë, kjo befasi përforcon paradoksin, po të madh, të një Shqipërie, e cila me futbollin shqiptar ka të bëjë shumë pak. Ose ka të bëjë me faktin që të gjithë këta futbollistë janë të kombësisë shqiptare, që përfaqësojnë Shqipërinë, që rrethohen prej një publiku shqiptar dhe vetëm kaq. Kësisoj, e mbështetur në këtë paradoks, të cilin po guxoj ta quaj “jorepublikan shqiptar”, mund ta çojë Republikën e Shqipërisë përsëri në 24–shen finaliste të Europës. Këtu nuk po më pëlqen ta tjerr më gjatë. Ndoshta edhe me dëshirën për ta lënë për më vonë… Çka do të thotë se nuk më pëlqen të shtjelloj se si Shqipëria mund të kualifikohet, edhe pse është kaq afër këtij kualifikimi.

Ndonëse me llogaritë e mia, qofsha i gabuar, por një humbje me Çekinë, me ecurinë që ka kalendari, befas e shndërron ndeshjen Moldavia – Shqipëria të 17 nëntorit në një finale dramatike! Çudi e madhe vërtet! Nuk duhet të harrojmë pra, se krejt papritmas ka dalë në skenë edhe Moldavia!… Por pse të shkojmë te kësisoj ndeshjesh dhe të mos qëndrojmë fuqishëm te fitorja me Çekinë në shtëpinë tonë?… Le t’i lëmë mënjanë parashikimet e të qëndrojmë te modernia e kësaj Kombëtareje për të cilën mësoj se ajo është një skuadër madje e një moshe të pjekur, ku shumica e lojtarëve, plot 14, janë mbi 25 vjeç dhe ku vetëm tre lojtarë, Asllani, Mitaj e Muçi, janë 20 a 21- vjeçarë.

Kjo nuk është një skuadër në përtëritje. Kjo është një skuadër e moshës më moderne, nëse vërtetë ekziston një moshë moderne. Një skuadër diçka midis pjekurisë, forcës rinore, po aq edhe të asaj të përvojës. Për paradoksin tjetër, atë të “formimit” thuajse rrufeshëm brenda vetëm 5 ndeshjeve kualifikuese, ajo çka e shtrin më tej vetë paradoksin, është kjo pyetje: si është e mundur që, edhe pse të 24 lojtarët e aktivizuar në këto 5 ndeshje, vijnë nga plot 16 klube të ndryshme – Empoli, Brentfordi, Atalanta, Lacio, Lokomotiva, Espanjoli, Leçe, Sasuolo, Interi, Darmshtadi, Koniaspori, Guangju, Grenada, Vorskla, Antverpi, Rubin Kazan – kaq shpejt, ata u harmonizuan në një stil? Sigurisht pa harruar se e pakta nja 5 prej tyre – Berisha, Gjimshiti, Hysaj, Cikalleshi, Uzuni – ka do kohë të mira që luajnë njëherësh te Kombëtarja.

Me sa duket, kjo Shqipëri, te ky braziliano-europian, ka gjetur trajnerin e duhur, i cili di të mbështetet edhe në paradoks. Ndërkaq, duke u frikësuar se po mbërrijmë prapë te retorika, lind pyetja e pyetjeve: si i njohu kaq shpejt, si i sinkronizoi kaq shpejt këta djem, trajneri nga Brazili i largët, por i afërti i Europës, me emrin Sylvio Mendes de Campos Junior, i mbiquajtur Silvinjo? Ai kishte qenë lojtar i Korinthiansit, Arsenalit, Seltës, Barcelonës, Mançester Sitit, por dhe në 6 ndeshje lojtar i Brazilit të parë. E mandej trajner i dytë i këtij Brazili (2016) dhe i parë i Brazilit olimpik (2020). Nuk mbërrij, megjithatë, të pohoj se kjo është një Shqipëri e shkollës legjendare braziliane.

Silvinjo

Ajo që mund të them është kjo tjetra: kjo Shqipëri është në një pozitë më të fortë se asnjëherë. Tash, nuk na mbetet gjë tjetër veçse që thënien e famshme të Faik Konicës: “Ati ynë që je në qiell, …shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit”, ta shndërrojmë kështu: “Ati ynë që je në qiell, shpëtona nga grackat e futbollit dhe nga shtrembërimet e lajthimet e euforisë së futbollit!”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"