Kombëtarja e mrekullueshme e Shqipërisë që nuk ka të bëjë me Kampionatin e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2023 | 19:43

Kombëtarja e mrekullueshme e Shqipërisë që nuk ka të bëjë me Kampionatin e Shqipërisë

NGA BESNIK DIZDARI
Duket si kakofoni ky titull me dy herë emrin “Shqipëri”, por kështu men doj se e theksoj më fort problemin. Kështu pra, sapo kemi shënuar në historinë e arritjeve të Shqipërisë në futboll, kualifikimin e dytë të Kombëtares së saj në finalet e Kampionatit Europian. Madje, kësaj radhe, me një “herë të parë” që kurrë nuk e kishim mbërritur: Shqipëria fituese e grupit të saj kualifikues. Përveç të tjerave, duke lënë mbrapa dy ndër shtetet më futbollistike të Europës që janë Çekia dhe Polonia. Madje duke i lënë mbrapa me dy ndeshje/fitore të bujshme: 2-0 Polonisë dhe 3-0 Çekisë! Nuk ka ku shkon më bukur falë kësaj Kombëtareje të mrekullueshme që ka sot Shqipëria!

shqiperia

Madje një Kombëtare datuar 2023, e cila “përmbys” Shqipërinë 2016 kualifikuese të herës së parë, teksa sot ka në përbërjen e saj të 24 lojtarëve, vetëm 4 lojtarë të asokohe: Berisha, Hysaj, Cikalleshi, Gjimshiti e me vetëm 1 minutë lojë edhe Sadiku. Çka do të thotë se brenda vetëm nja 6 vjetëve e kemi ndërruar thuajse krejt Shqipërinë e “FRANCA 2016”. Dhe për herë të dytë në finalet e Kampionatit Europian, në shpeshtësinë e paimagjinueshme të vetëm brenda 3 edicioneve. Për historinë tonë “të vogël” të Shqipërisë po “të vogël”, po më vjen ta quaj këtë, një arritje fenomenale.

Si gazetar, edhe përmes shkrimeve të mia, e kam ndjekur hap mbas hapi rrugën e suksesit të saj madhështor në këtë vit 2023, dhe për një çast po më duket se nuk kam çka të shtoj më tej. Sidomos kur mendon se dy ndeshjet e fundit të saj 1-1 me Moldavinë dhe 0-0 me Ishujt Faroe, nuk patën shkëlqimin e ndeshjeve të tjera. Deri aty saqë tash, mbas mbarimit të euforisë së kualifikimit, ndiej përreth deri dhe pakënaqësi ndaj nivelit të këtyre dy ndeshjeve. Sidomos kur kujtojnë që gatigati në fund të asaj me Faroet, dramatikisht shpëtuam prej golit të njërës prej Kombëtareve më të fundit të Europës. Vërtet, çka do të thoshim po të humbisnim prej “këtij” goli atë ndeshje? Do të mohonim deri dhe kualifikimin?

Kurrsesi!

E pra, cila nga 8 ndeshjet ishte më e rëndësishmja? Mund të duket si paradoksale por, në fund të fundit, përherë është ajo që siguron apo siglon kualifikimin e madh. Që i takon të jetë pikërisht ajo e barazimit 1-1 në Moldavinë modeste, por tejet e rritur në këtë edicion të këtij kampionati kontinental. Them kështu, sepse ishte ky barazim që i siguroi kualifikimin Shqipërisë. Në fund të fundit, ajo ishte ndeshja, e cila siguroi kualifikimin deri dhe një ndeshje pa mbaruar turneu.

Kështu pra: Shqipëria është për herë të dytë brenda tri edicioneve në finalet e Kampionatit Europian dhe për herë të parë në histori fiton grupin e saj kualifikues.

Është meritë e madhe e këtyre futbollistëve, e trajnerit të tyre Silvinjo, por dhe e vetë Federatës Shqiptare të Futbollit e cila ia arriti të drejtonte apo të mbarështronte me siguri e zgjuarsi gjithë ecurinë në rrugën e vështirë të këtij kualifikimi të bujshëm. Është meritë e sektorit kombëtaras dhe e Komitetit Ekzekutiv të saj me në krye presidentin Armand Duka.

E, ndërkaq, nuk mund të rri pa kujtuar se si qeveritarë, ministra e deri dhe kryetarë bashkie iu sulën këtij presidenti për ta flakur tej, duke shkelur një tufë parimesh, ligjesh e marrëdhëniesh me vetë forumet drejtuese futbollistike të Europës. Dështuan thuajse me turp. Madje sapo u “nënshkrua” ky dështim i tyre kur kujton se edhe në drejtimin e këtij presidenti të FSHF-së, Shqipëria zuri vendin e parë në grupin e saj, e mori kualifikimin, ndërsa presidenti i saj u zgjodh deri zëvendëspresident i UEFA-s, çka ngjet për herë të parë në historinë shqiptare të futbollit.

Kësisoj, thjesht si gazetar, e ndiej për detyrë të ndiej respekt për ata punonjës e të afërt të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët e mbrojtën publikisht presidentin e tyre. Siç do të shtoja se i kanë vënë vetes një notë të dyshimtë ata të tjerët, ndonëse të afërt me FSHF-në, që heshtën e u “fshehën” mbrapa të ashtuquajturit “sundim” qeveritar.

Duke mos thënë asnjë fjalë. E tash me siguri kanë nxituar të urojnë, natyrisht me një shprehje të padyshimtë servilizmi…

Dihet ndërkaq, që autorin e këtushëm, nuk e lidh asgjë vetjake me FSHF-në. Madje për e pakta nja mbi 55 vjet ai është edhe kritik i saj, në kuptimin më të mirë të këtij përcaktimi. Me kuptimin pra, që na mëson se duke qenë në shërbim të publikut, gazetaria sa është informuese, po aq është dhe kritike. Ndryshe nuk është gazetari.

Dhe vijmë te titulli i këtij shkrimi që thotë se:

“Kombëtarja e mrekullueshme e Shqipërisë nuk ka të bëjë me Kampionatin e Shqipërisë”.

Për fat kështu është. E, tema nuk është e re. Për të mos thënë se ajo është disi e vjetër tashmë. Dhe është vërtet e çuditshme se si sapo kaluan nja 60 orë mbas euforisë së suksesit të madh, ja tek mbërriti Kampionati i Shqipërisë dhe stadiumet e ndeshjeve të tij thuajse braktisen prej publikut. Mesatarja e ndeshjeve nuk shkoi as deri në 1000 spektatorë për ndeshje, për të mos thënë më pak se kaq! E pra, kur një Kombëtare e një vendi arrin një asisoj suksesi kaq të madh, merret me mend që kjo duhet të rrisë tejet interesimin sa për vetë futbollin kombëtar në tërësi, po aq edhe për Kampionatin Kombëtar të atij shteti – veprimtari e përjavshme kjo, që përbën thelbin e vlerave dhe të përmbajtjes së sportit të futbollit për një komb.

Nuk ndodhi assesi. Kampionati i Shqipërisë vazhdoi braktisjen e tij. E, kjo na çon te dy konkluzione:
1. Që shqiptarët e sotëm kanë interes vetëm për Kombëtaren.
2. Që jopak prej shqiptarëve, më fort se atdhetarë të vërtetë e futbolldashës të përhershëm, përshkohen prej një lloj snobizmi apo mode tribunash në ngjarje, kësisoj, kombëtarase.

E gjithë kjo me nënkuptimin që na thotë se: “Do të jem edhe unë në stadium kur luan Kombëtarja”. Dhe vetëm kaq.

E përsëris edhe këtu, teksa përjetoja thuajse heshtjen e tribunës qendrore, ku rrinë ata që u quakan “VIP” – “Very important person”. Tribunë kjo, e cila e ndjek ndeshjen edhe duke pirë birrë, por thuajse e heshtur në modën a snobizmin e saj ose me ndonjë duartrokitje të tipit të koncerteve. Kështu, ndërsa tribunat e tifozëve të vërtetë buçasin.

Më ka bërë përshtypje, ndërkaq – sidomos në ndeshjet me Poloninë e Çekinë – numri i madh i njerëzve të ashtuquajtur “të rëndësishëm”, deputetë, ndoshta ministra a kryeministra, të cilët sapo mbaronte pjesa e parë vraponin te një sallon hapësinor, një lloj bari a kafeneje, mu ngjitur me tribunën e gazetarëve. I vëreja teksa pinin kafen apo hanin diçka, ashtu euforikë, të vetëkënaqur deri aty saqë për një çast të dukej se ishin këta që e kishin bërë Kombëtaren, që e kishin rritur e fuqizuar atë.

Dhe bash prej këtu lind pyetja: sa prej tyre ishin në stadiume, ditën e kësaj të enjte dhe të premte të javës së Kampionatit të Shqipërisë? Ndoshta asnjë. Verifikojini.

A keni parë ndonjë prej tyre, që të ndjekin skuadrat e qyteteve ku ata janë zgjedhur si deputetë? E pra, nuk mund të shpëtojnë nga përgjegjësitë për rënien e skuadrave të qyteteve të tyre. Pa shkuar te qytete të tilla, ndër më historiket e futbollit shqiptar, si Elbasani, Vlora, Kavaja, Berati, Gjirokastra, që i kanë skuadrat jashtë Kampionatit Kombëtar.

Dihet: derisa të mbërrijë prapë Kombëtarja, këta “VIP”-a zhduken, e ndoshta mund të kenë filluar të bisedojnë me FSHF-në apo presidentin e saj për të mësuar se si mund akreditohen për në finalet e Gjermanisë. E pra, për hir të ndershmërisë që kërkon mbështetja e futbollit të Kampionatit të Shqipërisë, këta lloj snobësh të Kombëtares së Shqipërisë ia vlen të braktisen. Kësisoj, edhe ngaqë ata as nuk duan t’ia dinë për rënien fort shqetësuese të vlerave të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, për boshatisjen e stadiumeve të ndeshjeve të tij, për nivelin e papranueshëm të tij, në zbehjen deri në skaj të festave të përjavshme futbollistike të një kombi. Shkoni te kampionatet e shumë shteteve të tjera e shihni se ku kanë mbërritur kampionatet e tyre.

Kemi një Kombëtare jashtë këtij kampionati. Një Kombëtare, ku jo vetëm që lojtarët e saj nuk i përkasin Kampionatit të Shqipërisë – e kjo ndodh edhe në shtete të tjera – por te ne ajo është një Kombëtare lojtarët e së cilës as nuk i ka lindur, rritur e formuar Kampionati i Shqipërisë. Deri aty saqë nga të 24 lojtarët e aktivizuar në këto 9 ndeshje, ku hyn edhe miqësorja me Bullgarinë, vetëm 4 prej tyre kanë dalë prej Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë: Cikalleshi, Uzuni, Muçi dhe Sadiku, prej të cilëve titullar i plotë ishte Cikalleshi e deri diku Uzuni.

Shqipëria është i vetmi vend, jo vetëm në Europë, por ndoshta edhe në botë. ku 99.99 për qind të lojtarëve të Kombëtares së saj nuk kanë dalë prej Kampionatit Kombëtar të saj. Plot 20 futbollistë të tashëm të saj janë prodhim i Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Zvicrës, Spanjës, Anglisë. Pra, jo të Shqipërisë. Emrat e qyteteve të klubeve nga ku ata kanë dalë quhen Athinë, Prishtinë, Peschiera del Garda, Ferizaj, Shkup, Londër, Kumanovë, Caldes de Malavella, Majac, Zurich, Mitrovicë, Freiburg, Gjilan…

Mos kujtoni se harrojmë që ata janë shqiptarë të vërtetë, e të një ndjenje kombëtare të fuqishme, çka sa fort na gëzon dhe na bën që edhe kësisoj ta duam fort Kombëtaren tonë. Jo, jo! Të gjithë jemi të bindur se ata përherë do të jenë të mirëseardhur. Pavarësisht se prej kah vijnë e prej ku janë formuar. Shqipëria është përherë edhe e tyre.

Po kjo nuk na bën të harrojmë faktin e madh që na thotë se Kombëtarja sa vjen e largohet tejet nga Kampionati i Shqipërisë, nga skuadrat e qyteteve të Shqipërisë, nga futbolli i përjavshëm i Shqipërisë. Çka na vendos përpara një faqe të bardhë, e cila pret të mbushet me shkaqet e arsyeve të kësaj kontradikte apo dukurie unike në botën e sotme të futbollit.

Nuk mund të mos kujtojmë ndërkaq, se ky sukses i bujshëm i Kombëtares “jokampionale” të Shqipërisë u arrit pikërisht në 40-vjetorin e suksesit të madh të Shqipërisë së 21- vjeçarëve, e cila më 19 nëntor 1983 përmes barazimit të bujshëm 1-1 në qytetin gjerman Trier, eliminoi Gjermaninë, e bashkë me të edhe Austrinë e Turqinë. Ishte një Shqipëri në 8 më të mirat e Europës. Ajo përbëhej nga të gjithë futbollistë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë!

Tash na duhet ta falënderojmë Kombëtaren e mrekullueshme të sotme të Shqipërisë që me suksesin e saj madhështor na e “festoi” në mënyrën e saj më kuptimplotë edhe këtë 40-vjetor të madh 1983-2023.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"