“Fenomeni” i vitit në Europë dhe shqiptari Tim Civeja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 23:16

“Fenomeni” i vitit në Europë dhe shqiptari Tim Civeja

Nga Besnik Dizdari

Javët e fundit e mësova këtë dukuri të bujshme të futbollit në Europë. Është fja la për klubin e kryeqendrës së Saarlandit në Gjermani, FC Saarbrucken.

civeja tim

Skuadër e qytetit me të njëjtin emër me të cilin si gazetar i dërguar i posaçëm i 40 vjetëve më parë, m’u zgjua kujtimi i ndeshjes së Kombëtares së Shqipërisë (1-2 më 20 nëntor 1983), që gati shkaktoi eliminimin e Gjermanisë nga Kampionati Europian në të mirë të Irlandës së Veriut.

Natyrisht ky kujtim më ktheu edhe te ndeshja e madhe e qytetit Trier e një dite më parë (1-1 më 19 nëntor 1983) me kombëtaret “NEN 21”, çka shkaktoi eliminimin e Gjermanisë në të mirë të Shqipërisë. Ngjarje këto që me libra e shkrime të pafund, deri dhe para pak këtu në “Panorama Sport, nuk më ndalin asesi. Tashmë, krejt papritmas po mësoja se skuadra e Saarbrucken kishte arritur të ngjitej në katër më të mirat e Kupës së Gjermanisë, përmes një rrugëtimi të rrufeshëm e të pandalshëm. Pra, që një skuadër e Kategorisë së 3-të arrin në gjysmëfinale, mbasi ka eliminuar 4 klube të mëdha gjermane: Eintraht Frankfurt, Borussia Mynchengladbach, Bayern Munich dhe Karlsruhe.

Tim Civeja

Për ngjarjen e Saarbrucken-it shtypi europian nuk ka heshtur. E, për fat nuk po hesht as “Panorama Sport”. Pa e zgjatur, ndiqni tani se çka ka ndodhë. Ose më saktë, ndiqni rrugëtimin sensacional të Saarbrucke-nit në këtë pjesëmarrje të saj në Kupën e Gjermanisë 2023-2024 në të cilin marrin pjesë 64 skuadra.

1. * Raund

1: SAARBRUCKEN-KARLSRUHE 2-1 (11.08.2023)

GOLAT: 1-1 Civeja 47’, 1-1 Stindl 65’, 2-1 Burnker 90’

Siç shihet, goli i kualifikues arrihet në të 90’, por serinë e ka çelur shqiptari Tim Civeja, i cili ka luajtur si titullar plot 83 minuta dhe është shënuesi i golit të parë për të katër këto kualifikime të Saarbrucken-it. Deri diku ky rezultat ndoshta mund të mos quhet i bujshëm, kur mendon se tani për tani, Karlsruhe luan në Bundesligën 2, ndonëse ka qenë 1 herë kampione e Gjermanisë dhe 2 herë fituese e Kupës.

2. * Raund

2: SAARBRUCKEN-BAYERN 2-1 (01.11.2023)

GOLAT: 0-1 T.Muller 16’, 1-1 Sontheimer 45’+1, 2-1 Gaus 96’

Këtu nis sensacioni i përmasave. Saarabucken eliminon Bayern-in legjendar. Dhe me çudinë që po më pëlqen ta quaj “shqiptare”: 19 minuta para mbarimit hyn në fushë shqiptari Tim Civeja. Interesante është ndërkaq, se ndeshja e fundit midis këtyre dy skuadrave ishte luajtur më 1993 dhe Bayern kishte fituar 6-0. Ishte viti kur Saarbrucken për herë të fundit kishte qenë pjesë e Bundesligës. Por që tashmë bën këtë sensacion duke e eliminuar legjendën Bayern.

civeja

Dhe me episodin, që e shënoj këtu me një nacionalizëm “të sëmurë”, çka nuk është veti e imja: në 19 minutat e fundit pra, luan edhe shqiptari Tim Civeja. Komentatorët e huaj shënojnë se vetëm në pjesën e dytë Bayern ka dhënë 15 gjuajtje në portë, po pa shënuar asnjë gol. Ndërsa Saarbrucken ka gjuajtur vetëm 2 herë në portë dhe në të dy herët ka shënuar, pa iu trembur syri qoftë edhe prej një Bayerni, edhe pse ky e kishte mbajtur topin në këmbët e tij në 70 për qind të kohës. Dhe eliminohet!

3. * 1/8-tat:

SAARBRUCKEN-EINTRAHT FRANKFURT 2-0 (06.12.2023)

GOLAT: Bruncker 64’, Kerber 78’.

Ky eliminim i tretë përmban çudinë vazhduese thuajse si në rastin e Bayernit. Saarbrucken gjuan vetëm 3 herë në portë dhe shënon 2 gola! Fitore 2-0 i Saarbrucken dhe Eintrahti i famshëm kthehet kryelartë në shtëpi.

4. * 1/4-tat :

SAARBRUCKEN-BORUSSIA MYNCHENGLADBACH 2-0

GOLAT: 0-1 Hack 8’, 1-1 Naifi 11’, 2-1 Brunker 93’.

Nuk ndalet Saarbrucken! Eliminon Bayernin me gol në minutën e 96-të, por eliminon edhe Borussian me gol në minutën e 93-të! E edhe këtu na shfaqet shqiptari Tim Civija, i cili luan 23 minuta, që janë minutat e fundit, minutat e fitores. Kjo qenka Saarbrucken, i cili 4 nga 8 golat i ka shënuar mbas minutës së 78-të. Forcë e madhe? Përgatitje e lartë fizike? Fat hyjnor? Befasi e pashpjegueshme? Kapricio e futbollit që shpesh e bëjnë krejt enigmatik këtë sport? Ec e gjeje!

Një komentator europian tha se kështu, Saarbrucken po rivalizon kryesuesin e Bundesligës, Bayer Leverkusen, i cili shumicën e golave i ka realizuar mbas minutës 80 të ndeshjeve të tij. Dhe janë të dyja gjysmëfinaliste të Kupës. Ndërsa mua, që me një guxim pasionesh po më pëlqente të parashikoja një finale të Kupës së Gjermanisë Bayer Leverkusen-FC Saarbrucken. Utopi?… Shkojmë te eliminimi i Borussias. Kjo ka realizuar plot 23 gjuajtje. Ndërsa Saarbrucken vetëm dy gjuajtje dhe të dyja në rrjetë. Për historinë e futbollit ky nuk është një sensacion europian, por botëror.

Nga këto shifra madje kjo është edhe një dukuri e vërtetë botërore edhe në aspektin teknik të futbollit. Dhe e gjitha kjo ka vetëm një emër: Saarbrucken e Saarlandit francez, por sot gjerman. Një vëzhgues tha se “se lojtarët e Saarbruckenit janë betuar për të luftuar deri në fund”. Kundërshtari i saj në gjysmëfinalen e 2 prillit të orës 20.45 do ta kishte emrin Kaiserslautern – katër herë kampione e Gjermanisë.

Është skuadra e Kampionit të Botës (1954) Fritz Valterit legjendar. Stadiumi i klubit mban emrin e tij. I është vënë ky emër kur Valter ishte ende gjallë. Si gazetar, për këtë rast ruaj një kujtim të pashlyeshëm. Ka qenë ndeshja Gjermani-Shqipëri 2-1 për KE, ajo e 19 dhjetorit 1994. Mbasi lexova emrin e stadiumit “Fritz Valter” të skalitur në fasadën qendrore të stadiumit, pashë “dal vivo” Friz Valterin e ulur në krye të vendit të tribunës së personaliteteve. Ka qenë një ndeshje e rrallë e kombëtares sonë me trajner Neptun Bajkon dhe me golin spektakolar të “gjermanit” tonë Altin Rrakllit, që në atë kohë luante të Freiburgu në Gjermani.

Po të shkojmë paksa te historia, na duhet mësojmë se landi Saaras është i kombësisë franceze dhe Saarbrucken ka lindur si klub francez. Kur statusi i Saarlandit ende nuk ishte përcaktuar, skuadra e Saarbrucken luante si skuadër franceze dhe lejohej të luante vetëm ndeshje miqësore ndërkombëtare. “Kjo është skuadra më e çuditshme dhe më interesante e Europës”, e pat cilësuar presidenti i FIFA-s, Joao Havelange. Por shpejt ajo u lejua.

U bë madje skuadra e parë, tashmë gjermane, që fitoi me Realin e Madridit një ndeshje 4-0! Pas kësaj çudie mbërriti të ishte deri klubi i parë gjerman që mori pjesë në kupat e Europës: edicioni i 1-rë i Kupës së Kampioneve 1955-56 me ndeshjet Milan-FC Saarbrucken 3-4 / 4-1. E themeluar më 1903, megjithatë, siç shihet, tash 31 vjet Saarbrucken nuk e ka arritur jo më Kupën e Kampioneve, por as edhe Bundesligën. Kësisoji, ajo mbetet te historitë e vjetra të saj: dy herë Kampione e Gjermanisë (1943, 1952) dhe pesë herë (1956–57, 1957–58, 1984–85, 2019–20, 2023–24) gjysmëfinaliste e Kupës së Gjermanisë. Nuk qenka vetëm sensacioni i këtij edicioni 2023- 2024.

Jo larg, por 4 vjet më parë, më 2019-2020, Saarbrucken ishte përsëri gjysmëfinaliste e Kupës së Gjermanisë, edhe pse ishte skuadër e kampionatit gjerman të kategorisë jo të tretë si sot, por asaj të katërt! Ndonëse ky ishte një kualifikim jo me vlerën e kundërshtarëve të sotëm. Në dy ndeshje u kualifikua me 11-metërsha (Karlsruhe dhe Fortuna Dusseldorf), ndërsa eliminoi po me 3-2 skuadrat Koln dhe Jahn Regensburg.

Në gjysmëfinale u eliminua me 0-3 prej Bayer Leverkusen – gjysmëfinalisti sotëm edhe ky. Por tashmë, pas fitores së 3 prillit 4-0 me Fortuna Dusseldorf, është finalist. Dhe mbërrijmë te suksesi i bujshëm i këtij sezoni. Duket se kemi të bëjmë me një skuadër sfiduese. As me kaq nuk ndalin befasitë e saj. Kështu edhe për faktin se Saarbrucken, e drejtuar nga trajneri Rudiger Ziehl, ka numrin më të paktë të lojtarëve të huaj, me sa duket në gjithë Gjermaninë: vetëm dy të tillë.

Francezin Amine Naifi dhe shqiptarin Tim Civeja. Çka do të thotë se të gjithë lojtarët e tjerë janë gjermanë. Për fat, Saarbrucken na paska pra, edhe pak Shqipëri falë futbollistit “tonë të panjohur” me emrin Tim Civeja. Them “të panjohur”, sepse të paktën unë për vete, në botimet e mia vetëm sa ia kam shënuar emrin në formacionin e Shqipërisë “NEN 21” pa pyetur aspak se çka përfaqëson djaloshi Civeja. E pra, ai ka luajtur dy ndeshje me Shqipërinë e 21-vjeçarëve: paska shkëlqyer në fitoren 3-1 kundër Bullgarisë në miqësoren e 20 qershorit 2023 dhe është stepur në humbjen e thellë 0-5 ndaj Rumanisë për Kampionatin Europian më 17 nëntor 2023.

I lindur në Dakau, me prejardhje nga Berati, Civeja i formuar në klubin FC Augsburg dhe i cili ia ka arritur të veshë deri fanellën e Kombëtares së Gjermanisë NËN 18 dhe NËN 19, ndoshta pret… Kjo, jo thjesht nga ndikimi i tij për arritjen me Saarbrucken, por sepse, siç mësoj, ky 22 vjeçar është një lojtar shumë i mirë. Dhe ja gjysmëfinalja fatale në Saarbrucken. Është 2 prill 2024. Stadiumi i “Shpresës” shqiptare të Zan Rragamit i përjetuar edhe prej meje drejtpërsëdrejti më 19 nëntor 1983 me emrin “Ludvigpark”.

Fiton Kaiserslautern 2-0 (Titter 53’, Toure 75’). E pashë gjithçka te televizioni gjerman. Nuk mund të përshkruhet se çka ngjau. Lotët e Saarbruckenit nuk ndalnin. Po, po, lotët! Në tribuna e në fushë te lojtarë të shtrirë për tokë. Tim Civeja hyn në minutën 67-të. Ishte ndoshta i vetmi i cili në fund të lojës nuk qante, por shkonte t’iu jepte kurajë shokëve të tij të tronditur. Dhe po e mbyll me atë që i thonë “morali i fabulës”, duke i dhënë një përgjigje të shpejtë pyetjes: Përse shkrova për këtë ngjarje të rrallë të futbollit në Europë?

Natyrisht sepse është vërtet fort tërheqëse dhe e bujshme me çka ngjau, që në shtetin me futbollin më të zhvilluar mbase në Europë, një skuadër e Kategorisë së 3-të eliminon klube të mëdha të kësaj Gjermanie dhe arrin katërshen gjysmëfinaliste të Kupës Kombëtare. Doemos e shkrova edhe për faktin se një shqiptar, me origjinë nga Berati, i cili për fat e ka “Tomorin” e tij në Kategorinë e Dytë të Shqipërisë (se e dytë është), ka pra edhe ai rolin e tij të çmuar në këtë arritje gjermane të Saarbrucken. Por e shkrova edhe me synimin që më nxit të them se ka ardhur koha të pyesim vetveten se çfarë temash veçojmë, çka veçojmë apo spikasim pra, qoftë edhe në TV, që dihet, bën ligjin në “propagandë”.

Ngaqë prej vitesh lajmet televizive për sportet tona kombëtare janë zëvendësuar me ato jo kombëtare, pra me ndërkombëtare, shumica krejt të rangut të dytë a të tretë, aspak të vlefshme për Shqipërinë, me dukuritë më të rëndomta të futbollit europian, shitblerje apo me lëvizje trajnerësh, humbje e fitore klubesh krejt të parëndësishëm deri për vendet e tyre e jo më për Shqipërinë. Temë monotone e përsëritur deri në mërzi kjo.

Tashmë po guxoj të them se kjo nuk është as çështje dhe as punë gazetarie. Ma do mendja se duhet të jetë çështje pronarësh të mediave televizive, të cilët me sa duket, nuk kanë njohuritë për të kuptuar universin dhe rëndësinë e sporteve kombëtare në Shqipëri. Dhe nuk arrijnë të ndërhyjnë sado pak. Pa shkuar te ajo tjetra, se çka duhet të përzgjedhin për shqiptarët nga sporti ndërkombëtar, pra ai i shteteve të tjera. E pra, çfarë qe ndeshja e gjysmëfinale Kupës së Gjermanisë, Saarbrücken-Kaiserslautern?

CIVEJA GOL

Dhe të cilën, siç më thanë, ndërsa unë e ndiqja në TV gjerman, e kishte transmetuar përsëmbari edhe Supersporti ynë në ekranin e tij. Përveç “misterit” që na nxisin çuditë me të cilat u përshkuam përmes këtij shkrimi, për ne të vjetrit, mbas 40 vjetëve, vetvetiu ajo qe edhe një ndeshje që na çoi edhe te peizazhi fort emocionues i stadiumit “Ludvigspark” të Saarasfranko- gjermane 1983, ku u kualifikua pra, Shqipëria NËN 21-vjeçare, duke eliminuar, as më pak e as më shumë, por Gjermaninë e Berti Vogts-it!

Na çoj edhe për te Shqipëria, asokohe e të paharrueshmëve Shyqyri Rreli e Medin Zhega, e cila për pak qe duke përsëritur dramën e 0-0 të Gjermanisë 1967 të Loro Boriçit, mitikut tonë. Edhe kështu pleksen përkimet “kapricioze” të historisë së futbollit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"