Duke ëndërruar “ekspozitën” e Riza Lushtës dhe të Naim Kryeziut…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 22:53

Duke ëndërruar “ekspozitën” e Riza Lushtës dhe të Naim Kryeziut…

Nga BESNIK DIZDARI

U riktheva te kjo histori, këto ditë, teksa pashë një ekspozitë të pa sur në Muzeun Kombëtar në Tiranë për futbollistin e madh të Italisë, Paolo Rossi (1956-2020). Madje e nderuar deri me praninë e miqve të shquar të sportit e të futbollit të Italisë, të diplomacisë italiane, e deri të qeverisë shqiptare.

LUSHTA-RIZA-1

Më këto përmasa në Shqipëri për një futbollist të huaj, kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Dhe kujtesa e dhimbja për ndarjen e parakohshme nga jeta e këtij kollosi të futbollit italian e atij botëror, ashtu si të gjithëve, edhe mua vetvetiu m’u bashkuan fort.

Aq më tepër që në botimet e mia si gazetar e autor librash historikë të kësaj fushe, në modestinë time ndjehem i nderuar, ashtu si gjithë gazetarët e botës, që e kam përshkruar dhe evidentuar edhe në shqipet historinë e tij të pashlyeshme. Dhe po shkoj te viti disi i largët 2002. Albaposta e asokohe kishte një koncept të ri, më të kohës dhe madje ajo pat miratuar që të ketë pra, një seri të vazhdueshme për “Figurat e shquara të sportit shqiptar” përmes Filatelisë Shqiptare.

unnamed (2)

Si anëtar i Komisionit të Pullës Postare, propozova që kjo seri, të cilën Albaposta me në krye drejtuesin tejet përparimtar e largpamës, Piro Xhixho, po e themelonte, ta niste me dy sportistët e mëdhenj të Sport klub Tiranës, shqiptarët e Kosovës, Naim Kryeziu dhe Riza Lushta. Çka gjeti njëzëri miratimin. Autorësia më mbeti mua dhe filatelistit të paharrueshëm Ing. Niko Xharo. Kam shkruar shpesh dhe gjatë për Lushtën dhe Kryeziun.

Libri në dorëshkrim për ta është aty, në arkivën time. Po kësaj here, po më nxit edhe përkujtimi i 85-vjetorit historik të ditëve kur ata në dhjetorin 1939, kaluan Adriatikun dhe u gjënden te klubet e Barit e të Romës, për t’u ngjitur thuajse rrufeshëm në majat e futbollit italian – atë vit Kampion i Botës në fuqi. Riza Lushta (1916-1997) dhe Naim Kryeziu (1918-2010) janë futbollistët e parë shqiptarë të përmasave europiane.

unnamed (1)

Ata janë të parët, të cilët jashtë kufijve të Shqipërisë treguan se kjo tokë lind dhe rrit talente të mëdha sportive dhe përmes shpalosjes së artit të tyre futbollistik, ata janë po të parët që i dhanë emër Shqipërisë në Europë. Ndërkaq, në qershorin e vitit 1942, Riza Lushta dhe Naim Kryeziu bëhen fitues të Kupës së Italisë dhe Kampionë të saj, me Juventusin dhe Romën; e çka është më e rëndësishmja, duke qenë protagonistë të spikatur përkrah kampionëve të shquar të Botës.

Mirëpo, ja që për fat, teksa vazhdon mosnderimi i tyre, më duhet edhe të rikujtoj këtu, harkun kohor të 14 ditëve, nga 14 qershori deri te 28 qershori 1942, kur Lushta dhe Kryeziu vunë në gjokset e tyre kurorën e fituesve të Kupës dhe të Kampionit të vendit, ku luhej futbolli më i fortë i Botës.

Pa mënjanuar 85- vjetorin që përkon me vitet 1939-1940, të mbrrijtjes së tyre për te Kampionati i Italisë, Serie A pra, asaj për të cilën sot buçasin në mënyrë të tejskajshme mjetet e informacionit, sidomos televizionet shqiptare!?…

NAIM KRYEZIU I ROMËS, KAMPION I ITALISË

E kam përkujtuar këte arritje të madhe të Kreyziut, edhe këtu në “Panorama Sport” rreth dy vjet më parë (2022). Nuk po dua të përsëris, por vetëm po e ripërmbledh me pak: Ka qenë 14 qershor 1942, dita kur Roma proklamohet për herë të parë Kampione e Italisë.

Mjafton 2-0 kundër Modenas në Romë, humbje e Torinos 0-2 në Firence dhe e Venezia-s po kaq nga Lazio. Kryeziu ka probleme fizike dhe përsëri nuk është në 11-shin e kampiones së re. Ka luajtur 23 nga të 30 ndeshjet – titullar i padiskutueshëm – e çka është më me vlerë, ka shënuar 6 gola tejet të rëndësishëm, gola kthese në ecurinë e kampionatit, ndër më të fortët në historinë e Italisë. “Kryeziu -shkruante Bruno Roghi, drejtor i “La Gazzetta dello Sport” të asokohe, – “është një ‘realizues magjistral’”. E, në të vërtetë, Naimi është një pikë referimi.

kryeziu

Siç përcakton historiani Fracesco Valitutti, “fundi i këtij kampionati rezervoi të reja të rëndësishme që ndikuan thellësisht për të ardhmen e romanistëve: luajnë me sukses Amadeo Amadei që vinte prej një përvoje atalantine dhe sulmuesi i shpejtë i krahut, shqiptari Kryeziu”. Kampionati 1941-1942 ishte ndër më të fortë në histori, çka e tregon vetë rrethi i gjatë i pretendentëve për titullin: Roma, Torino, Venezia, Lazio, Genoa… Por dhe barazpesha e renditjes, sidomos në tre vendet e para:

Renditja P F B H G+/G

1. Roma 42 16 10 4 55-21

2. Torino 39 16 7 7 60-39

3. Venezia 38 15 8 7 40-25

11-shi tip i Romës ka mandej emra të famshëm, ku posti i krahut të djathtë të sulmit roman mbetet gjithnjë pronë e Naim Kryeziut: Masetti, Brunella, Andreoli, Donati, Mornese, Bonomi, Kryeziu, Capppellini, Amadei, Coscia, Panto. Dhe mbi ta trajneri, hungarezi Alfred Schaeffer. Ku kryeshënuesit e kampionatit ishin: 22 gola BOFFI / Milan, 18 GEI / Fiorentina, PIOLA / Lazio, AMADEI / Roma, 17 ISPIRO / Genoa, 16 GABETTO / Torino, 16 LUSHTA / Juventus.

Dhe vështroni: Riza Lushta 16 gola! Eshtë midis 7 shënuesve më të mirë të Kampionatit të Italisë. Por në kampionatin e Italisë 1942-1943, po me fanellën e Juventusit, me 17 golat e tij, mbas Piolas (21), Trevisan (20), Sentimenti III (19), ai do të jetë shënuesi i katërt i Serie A, siç shihet në një ndryshim vetëm prej 4, 3 e 2 golash. Deri më sot të tillë tregues nuk i ka mbërritur asnjë shqiptar tjetër. Pra, as këta të sotmit që janë “grumbulluar” në Serie A, e që janë në finalet e “EURO 2024”. Por për Lushtën ka dhe befasi të tjera të bujshme që do t’i tregoj më poshtë…

Dhe duke e mbyllur me Kryeziun, për të mos përsëritur fort atë çka kam shkruar më 2022, po rikujtoj se në rubrikën e sotme “I Magnifici” të klubit Roma, Naimi është aty, pjestar i Panteonit të 40 lojtarëve më të mëdhenj romanë së bashku me emra të famës botërore si Amadei, Ancelotti, Angelillo, Benardini, Cerezo, Conti, De Sisti, Falcao, Giggia, Serantoni, Voeller…

Një botim përmbledhës i kohëve të fundit në Itali, e përshkruan kështu Kryeziun: “Vinte nga Kosova e Shqipërisë, i lindur në Gjakovë, praktikisht qysh i vogël lojtar i Sportklkub Tiranës ku kishte debutuar qysh 15 vjeç.

Ishte 21 vjeç kur erdhi në Itali për të studiuar në ISEF, periudhë kur federohet me Romën. Ishte viti 1939 dhe gradualisht, tifozët e Romës nisën ta çmonin tejet këte sulmues të krahut të djathtë (“ala destra”) të shpërthimeve befasuese dhe të një vazhdueshmërie të lartë niveli në ndeshjet.

Në vitin e fitimit të titullit kampion prej Romës, ai luajti 23 ndeshje dhe shënoi 6 gola, që të gjithë përcaktues për fitimin e titullit. Vazhdoi me fanellen e verdhekuqve deri në vitet e mbas luftës. Si trajner Kryeziu u kthye në Romë dhe ishte i dyti i saj nga 1962 deri më 1965…”

KUR RIZA LUSHTA I JEPTE KUPËN JUVENTUSIT…

Kështu pra, viti 1942 është kësisoj, viti i madh i Lushtës dhe i Kryeziut. Vetëm dy javë mbasi Naim Kryeziu ishte kurorëzuar Kampion i Italisë, mbërrin Riza Lushta me finalen e tij të paharrueshme. Kishte qenë ndër më të mirët e Serie A edhe në kampionatin e sapopërfunduar të fituar nga Roma e shokut të tij Naim Kryeziu dhe me 16 golat e tij ishte midis golshënuesve më të mirë të Kampionatit.

Do të shkëlqejë edhe më fort në Kupë, madje loja e tij është vendimtare në fitimin e saj nga ana e Juventusit. Kupa e Italisë 1941-42 ka filluar më 5 tetor 1941 me dy ndeshje paraeliminatore. Juventus del në fushën e lojës më 12 tetor 1941 në ndeshjen e parë për të 1/16 në Torino kundër ProPatria-s. Eshtë një 5-0 i papërmbajtshëm, ku shpërthimi i Lushtës shfaqet nën tonet e shënimit të 3 golave të tij mbrenda 11 minutave (75-86). Në 1/8 finale, Juventus ndodhet në një ndeshje tejet të fortë ndaj Genoas dhe 2-1, e të dy golat janë të Lushtës në minutat 12 dhe 81, kjo mbasi Genoa kishte barazuar në të 37’.

VITI 2002. Pulla postare kushtuar Naim Kryeziut

VITI 2002. Pulla postare kushtuar Naim Kryeziut

Kësisoj, goli i Lushtës është përcaktues. Finalet e 1/4-ve luhen më 8 shkurt 1942 dhe Juventus fiton 1-0 me Padova-n. Në gjysmëfinale, Juventus fiton 4-1 me Modena-n më 12 prill. Lushta ndërkaq, është po aq i papërmbajtshëm në ndeshjet e Kampionatit, me gola të njëmbasnjëshëm dhe kur mbërrijmë te dy finalet e Kupës, ato mbajnë firmën e plotë tij.

Milan i udhëhequr nga ylli i futbollit botëror, Giuseppe Meazza, ka mbërritur në finale mbasi ka eliminuar me fitore 4-1 Fiorentinën, 4-2 Lacion, 6-0 Reggianan, 2-1 Venezian. Më 21 qershor 1942 është ndeshja e parë finale në Milano.

Eshtë 1-1 me gola të Capello-s (83’) dhe të Bellini-t (67) të Milanit. Kanë munguar golat e Lushtës dhe ndeshja është vërtet e rrezikshme. Juventus ndodhet në humbje për bukur 83 minuta kur barazon Cappello.

Kthimi dramatik vjen mbas shtatë ditëve në Torino. Këtu është kulmi i Riza Lushtës. E hap ai serinë e golave në të 29’, e çon në dy Sentimenti III me 11-metërsh, shkurton Boffi për Milanin në të 56’ dhe për 13 minuta gjithçka mbetet disi pezull, duke dyshuar në përsëritjen e rezultatit të Milanos. Por Lushta është i papërmbajtshëm dhe mbrenda 3 minutave (69’, 71’) ai shpërthen në dy golat e tjerë të tij që hyjnë në histori: 4-1!

Juventusi fiton një nga kupat më të bukura në karrierë, falë lojës së mrekullueshme të shqiptarit. Entusiazmi mbërrin deri në faqet e shtypit shqiptar të kohës, i cili titullon me bujë: “Juventus fiton Kupën e Italisë tu e mundë Milanin 4-1. Riza Lushta në formë të shkëlqyeshme”. Dhe shkruhet në gegnishten e asokohe: “Riza Lushta bani një lojë të shkëlqyeshme dhe korri me të drejtë komentet ma të mira të shtypit italian.

ROMA - KAMPIONE E ITALISË 1941-‘42. Lart nga e majta në këmbë: KRYEZIU, CAPPELLINI, MASETTI, COSCIA, DONATI, BONOMI, MORNESE. Ulur nga e majta: BRUNELLA, ANDREOLI, AMADEI, PANTO.

ROMA – KAMPIONE E
ITALISË 1941-‘42.
Lart nga e majta në këmbë:
KRYEZIU, CAPPELLINI,
MASETTI, COSCIA, DONATI,
BONOMI, MORNESE.
Ulur nga e majta: BRUNELLA,
ANDREOLI, AMADEI, PANTO.

“La Gazzetta dello Sport” e Milanos tue ba fjalë për ndeshjen e Torinos, në nji titullim “mrekullitë e Lushtës”, shkruan: “Entuzjazmin dhe duartrokitjet i shkaktoi gadi gjithmonë Lushta me mrekullitë e veta në seri, me fintet, me dredhimet, me gjuejtjet, dhe me golat e vet. Nuk e teprojmë aspak po të thomi se qendërsulmuesi bardhezi e ka decidue ndeshjen. Shënoi tre gola – e çfarë golash! – dhe goli tjetër (ai i shkelmit të rreptësis-nënkupto 11-m) asht krijue prej nji veprimi krejtësisht të tij”. 11-shi i Juventusit në finalen e dytë, atë 4- 1 në Milano më 28 qershor 1942, është ky:

JUVENTUS: Peruchetti, Foni, Rava, Depetrini, Parola, Locatelli, Colanieri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini. Golat: Lushta 29’, 69’, 71’, Boffi (M) 56’, Sentimenti III (11-m). Janë emra legjendarë. Janë aty tre Kampionët e Botës 1938:

Foni, Rava, Locatelli. Por dhe Peruchetti, Depetrini, Parola, Varglien të cilët e çojnë në 7 numrin e lojtarëve të Kombëtares së Italisë. Me ta edhe Riza Lushta – golshënuesi më i mirë i Kupës së Italisë 1941- 42 me bilancin: 10 ndeshje dhe 9 gola – duke mbetur deri mësot një nga shënuesit më me kuota në gjithë historinë e Kupës së Italisë.

RIZA LUSHTA, NË PENDEN E TRAJNERIT MITIK TË ITALISË, VITTORIO POZZO

E veçova edhe me nëntitull, sepse është krejt e jashtzakonëshme që sot kemi të marë të ribotuar nga shtypi shqiptar i kohës, portretizimin e Vittorio Pozzo-s, trajnerit legjendar të Italisë – dy herë Kampione e Botës (1934, 1938) – përveç të tjerave, shkrues kritik dhe gazetar në zë asokohe në Itali.

“Dy skuadra, – shkruan Pozzo në “La Stampa”, – që nuk kanë qenë sigurisht në kondidat ma të mira të formës. Dy skuadra të lodhuna. Lojë jo e bukur. Hove-hove lojë të mirë vetëm aty këtu dhe mrekullina të vogla individuale. Në ma të parën rradhë ndër auktorët e këtyne mrekullive individuale, Lushta. Fitimi i Juventus-it në lojën e djeshme, e ka emnin Lushta.

Ndeshja Juventus – Milano ka qenë ndera e nderi i qendërsulmuesit bardhezi. Temperatura e nxehtë dhe gjendja shumë e mirë e fushës e transportuen aty për aty lojtarin shqiptar n’ambjentin ma të përshtatun të punës dhe të frytit të tij. Shkathtësia, zotnimi i topit, aftësija dhe sigurimi i gjuajtjeve, besimi në vetvete ju kthyen si me magji repertorit tekniko – moral të këtij athleti.

Lushta shënoi tre ndër katër golat e skuadrës së tij, shkaktoi të katërtin, ate të shkelmit të rreptësisë (11-m), rrahi shtyllën kur qe i mujtun portjeri, u dha jetë të gjitha veprimeve sulmuese ma të randësishme të vijës së parë bardhezi.” “… Qendërsulmuesi juventin, – vazhdon Pozzo në “Il Calcio Illustrato”, gjithnjë përkthyer në gegnish t- ka qenë njeriu i ditës.

E ka ba çdo gja ai vetë. Vetë ai ka vendosë fatin e përfundimit të ndeshjes. Ka shënue tre gola, ka ba që të shënohet i katërti, do të kishte mujtë me korrë edhe një gol të pestë. Aq sa na bahet me mendue se çdo të kishte ngja, sikur mos t’ishte ndodhë në nji gjendje kaq të ndritëshme. I ban mirë e nxehta. I përshtaten fushat e rregullta”.

Dhe kishte qenë po ky i famshmi Pozzo, i cili e kishte përzgjedhur këte Riza Lushtë në grumbullimin e Kombëtares së Italisë për ndeshjen miqësore Italia-Hungaria 4-0, të 1 dhjetorit 1940, çka vetvetiu për punë muajsh na hyn në një tjetër 85 vjetor përkujtues. Dhe mendoni: Riza Lushta kishte vetëm 12 muaj që i kishte “ikur” Sportklub Tiranës me të cilën sapo kishte fituar titullin e Kampionit të Shqipërisë 1939. Dhe drejtpërdrejt i përzgjedhur për te Italia – Kampione e Botës.

Kjo paska qenë Sportklub Tirana e viteve ’30! Për fat, trajneri Pozzo ia kishte veshur fanellën e “axurve” në ndeshjen stërvitore, ndonëse jo në atë zyrtare. Histori e bujshme kjo të cilën e kam treguar deri në hollësi në shkrime të mëparshme. Ky ishte Riza Lushta, që nuke nderon Shqipëria e sotme!… Ndërkaq, në argumentin tim për skalitjen e emrit të Riza Lushtës në të parën pullë postare shqiptare të një sportisti të shquar, e kam portretizuar kështu:

RIZA LUSHTA (1916-1997) LINDUR NË MITROVICË (KOSOVË).

Futbollist i SK Tiranës, Barit, Juventusit, Napolit, Alessandria, Cannes (Francë). Kampion me SK Tiranën 4 herë (1934, 1936, 1937 dhe më1939 – ende i paomologuar). Golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar në dy edicione: 1936 (11 gola) dhe 1937 (25 gola). Talenti më i madh i futbollit shqiptar të Paraluftës. I pari futbollist shqiptar i përmasave europiane me një karrierë të shkëlqyeshme edhe në Itali. Qendërsulmes dhe golshënues i madh. Dy herë (1942, 1943) golshënuesi më i mirë i lojtarëve të huaj në kampionatin italian.

Fitues i Kupës së parë të Shqipërisë (1938-39) me SK Tiranën. Fitues i Kupës së Italisë më 1942 me Juventusin në finalen 4- 1 kundër Milanit, 3 gola të tij. Luajti si titular i madh me Barin, Juventusin dhe Napolin në 218 ndeshje dhe shënoi 68 gola në 7 kampionate të Serie A të Italisë, duke e mbyllur karrierën më 1955! Themelues dhe lojtari kryesori Kombëtares së Shqipërisë kur ajo doli përherë të pare në fushën e lojës më 1936″.

Dhe natyrisht është po kaq i madh Riza Lushta në kampionatet italiane. Me 80 ndeshje dhe 42 gola të shënuar ai deri vitet e fundit ishte midis 10 shënuesve të huaj më të mëdhenj për të gjitha kohërat në historinë e Juventusit. Ishte në një 10-tëshe midis emrave historikë të futbollit botëror. Kjo ishte 10-tëshja e gjithë kohërave të të huajve të Juventusit, duke dhënë numrin e ndeshjeve dhe të golave të shënuar në kampionate:

1. SIVORI / Arg 215 ndeshje / 134 gola

2. HANSEN J. / Dan 187 / 124

3. CHARLES / Uell 150 / 93

4. ORSI / Arg 177 / 77

5. PLATINI / Fra 147 / 68

6. PRAEST / Dan 232 / 51

7. HIRZER / Hun 42 / 50

8. CESARINI / Arg 129 / 44

9. LUSHTA / Shq 80 / 42

10. ALTAFINI / Bra 74 /25

Me këte statistikë unikale merr fund përjetimi edhe i këtij 85-vjetori të mbërrijtjes të këtyre dy shqiptarëve të mëdhej në kampionatin e Italisë, shtet i cili ishte Kampion i Botës në fuqi. Dhe çudia më e re që na vjen nga Fadil Hoxha, personalitet i madh i luftës dhe udhëheqjes jugosllavo-kosovare, kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës. Në kujtimete tij, kur ndalet te konvikti “Malet tona” ai shkruan:

“Në konvikt ka pasur futbollistë të mirë: Riza Lushta, Mazllum Xërxa, Skender Gjinali, Naim Kryeziu…”. Do të bëheshin ndër më të shquarit e Kampionatit të Shqipërisë edhe Xërxa (Vllaznia) edhe Gjinali SK Tirana, Besa e Vllaznia). E paskan nisur në Shkodër, por mbasi do t’ua përkryente futbollin Sportklub Tirana jonë e famshme, ata do të shfaqeshin për herë të parë në këto ndeshje premierë të tyre në Serie A:

Riza Lushta më 7 janar 1940 në ndeshjen Bari-Venezia 3-0. Naim Kryeziu më 10 mars 1940 në ndeshjen Roma-Bari 4-2 përballë Lushtës, i cili është autor i njërit prej dy golave barez. Çfarë përkimesh të çuditshme, vërtet!

…DHE MOSNDERIMI PREJ SHQIPËRISË SË TYRE

Duke u kthyer përsëri edhe te Shqipëria jonë, më vjen mirë pra, që jam bërë interpret që seria e parë e pullave të postës në historinë e Shqipërisë për “Figura të shquara të sportit shqiptar”, të niste me Riza Lushtën dhe Naim Kryeziun.

Po ndërkaq, sa më vjen mirë, edhe nuk më vjen mirë. Them kështu se deri sot asnjë nderim tjetër nuk iu kemi bërë këtyre kollosëve të futbollit e sportit shqiptar. Mësoni nga Italia që sa bukur di t’i nderojë të vetët.

Dhe mësoni jo duke iu përulur me një lloj ksenomanie gati servile, kushedi se për çfarë interesash, duke harruar në mënyrën krejt joatdhetare të mëdhejtë tuaj të parë. Me media e olimpizëm, me ministri e qeveri, e deri me shtet! Ka vite që i mendoj emrat e tyre të skalitun edhe në stadiume shqiptare të Tiranës, po dhe në Kosovë. Pata shkruar se Federata e Futbollit të Kosovës do ta nderonte veten nëse stadiumet e Gjakovës e të Mitrovicës do t’i titullonte me emrat “Naim Kryeziu” dhe “Riza Lushta”.

E ka realizuar me stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës. Ende jo për Naim Kryeziun… Ndërsa Shqipëria vetëm heshtje. Kanë vërshuar stadiumet me “arena”. Shqipëria nuk di të nderojë. Ajo di vetëm t’iu përulet të huajve dhe kurrë të vetëve. Vërtet: ku është ekspozita e Naim Kryeziut dhe e Riza Lushtës?…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"