Çfarë Kombëtare mund të kemi?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2023 | 22:27

Çfarë Kombëtare mund të kemi?

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

1.

Shpesh të lind kjo pyetje. Sidomos në fillim të një edicioni të ri eurobotëror. Duke ndjekur ndeshjen me Moldavinë, prej aty, tribunës së shtypit, hidhja vështrimin disi poshtë nën të, duke u ndalur te spektatorët e kësaj tribune. Ishte hera e parë, ndoshta në gjithë jetën time të gazetarit, që po e vështroja këtë tribunë gati si në një studim.

Kjo është ajo që ne i themi “tribuna qendrore”. Në të, për vite të dikurshme, në ndeshjet e Kombëtares, zakonisht ndodheshin tifozë intelektualë, natyrisht të rangjeve të dikastereve, specialistë të lartë të profesioneve të ndryshme, zyrtarë të organeve të sportit e të edukimit fizik, futbollistë të vjetër, në mes të të cilëve ishte tribuna e vogël e autoriteteve, ajo që sot i thonë VIP.

kombetarja 1

E vërteta është se kjo tribunë në ndeshjet e Kombëtares ka qenë disi më e qetë, pa thirrje të mëdha, pa hedhje përpjetë. Ndonëse të gjithë ishin dashamirës të mëdhenj të futbollit. Kjo e tashmja ishte diçka tjetër. Si të thuash më “popullore”, kur me këtë përcaktim kujtoj se kjo nuk e ishte një publiku të rangjeve. E megjithatë, në një gjë po më habiste: edhe ajo ishte fort e qetë, pa britma, pa thirrje e mbështetje të fuqishme, e përbërë në të shumtën nga të rinj, për çudi edhe shumë fëmijë, e aty këtu edhe disa futbollistë të viteve të mëparshme të Kombëtares.

Ishte një tribunë me lëvizje spektatorësh, madje edhe gjatë ndeshjes, ulje e ngritje, ngjitje shkallësh në kalimet midis. Për bukuri edhe shumë prej këtyre tifozëve të veshur me fanellën e Kombëtares, por të një lloj “çrregullimi”, siç po më pëlqen ta përcaktoj. Deri aty sa që për një çast më dukej se shumica e këtyre “tifozëve” modernë të sotëm vijnë në stadium më tepër për një lloj snobizmi futbollistik apo të një mode që në Shqipëri nënkupton vetëm ndeshjet e Kombëtares, pa qenë aspak të lidhura këto me ndeshjet e futbollistët e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë.

Tifozët e vërtetë më dukej se ishin atje “larg”, më tepër mbrapa portës veriore të stadiumit, mandej edhe përballë saj, e të kësaj “race”, çuditërisht ata ishin më pak në tribunën “karshi”, siç i kemi thënë dikur. Sidoqoftë, e mira e kësaj pranie, në tërësi, qëndronte te bukur 21.000 spektatorët, të cilët, edhe pse po luhej me një skuadër krejt mesatare si Moldavia, ata kishin ardhur me plot dëshirë e gëzim. Në fund të fundit, i tillë, tejet ftues, është futbolli i Kombëtares.

2.

Çudi vërtet! Ky lloj “peizazhi” i ri në stadiumin modernpër shumëkënd me emrin krejt të papranueshëm “Air Albania”, një “peizazh” fort gjallërues megjithatë, nuk më dukej të ishte i llojit prej ku mund të të lindte përgjigjja e pyetjes se: “Çfarë Kombëtare mund të kemi”? Këtë pyetje këtu po e bëj unë, megjithëse jam i bindur se e bëjnë edhe qindra e mijëra të tjerë.

asllani hysaj kombetarja

“Fatkeqësia” e kësaj Kombëtareje është se kjo mund ta quajë veten si “bijë e denjë” e Kombëtares së vitit 2016 që ishte midis 24 finalistëve të “EURO 2016”, madje duke lënë mbrapa Kombëtare të fuqishme të shteteve të tjera, të tilla si Rumania, Suedia, Çekosllovakia, Austria, Rusia, Ukraina, plot 6, të cilat Shqipëria i la mbrapa. “Fatkeqësia” më e madhe e saj është kjo tjetra, që trysnohet prej idesë që i thotë se “meqë kemi qenë finalistë në ‘EURO 2016’, tash ne jemi si një lloj epiqendre, të paktën e futbollit të Europës Jugore dhe Ballkanike”.

Ka rrezik që të na ndodhë ashtu si me rastin e Kombëtares, e cila fitoi titullin kampione e Ballkanit më 1946, deri aty saqë përherë mendohej se prapë Shqipëria duhej të ishte si ajo e Ballkaniadës 1946.

Andej kah fundi i viteve ‘70 si gazetar i së përditshmes “Bashkimi” e pata çmontuar këtë mendim, i cili më dukej disi marramendës, me një shkrim të gjatë, ndonëse po unë, mbas mbi 30 vjetësh me librin “Ballkaniada 1946 – Shqipëria kampione e Ballkanit në startin e ‘Luftës së Ftohtë’ në Europë”, kam përshtypjen se e kam vënë në vend pa e mitizuar suksesin e Kombëtares 1946. Pak a shumë sikurse edhe tash, përmes librit “Shqipëria Europiane e Gianni de Biasi-t”, përmes të cilit jam përpjekur që të jem sa më realist në vlerësimin e suksesit të madh në “EURO 2016”, pra pa e mitizuar këtë Kombëtare të pashlyeshme.

muci kombetarja

E pra? Ma do mendja se na takon të flakim tej frikën e trysnisë së “EURO 2016” dhe të ndjekim hap pas hapi këtë Kombëtare të sotme, ndonëse për çudi edhe kjo është më shumë “kosovare” sesa “shqiptare”, kur me këto përcaktime nuk krijoj asnjë dasi, por përcaktoj prejardhjen gjeografike të lojtarëve. Në të tria ndeshjet, nga 22 që luajtën, plot 10 ishin shqiptarë të Kosovës (ndonjëri i Maqedonisë). Pa shkuar tek ajo tjetra që nga të 22-ët vetëm 4 prej tyre: Hysaj, Uzuni, Çikalleshi dhe Sadiku, i ka lindur futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë.

Nga sa kemi mundur të përimtojmë, kjo është e vetmja Kombëtare, të paktën në Europë, e mundet edhe në botë, e cila prej 22-shes së saj, vetëm 18 për qind të lojtarëve i ka lindur ajo vetë, pra Shqipëria. Vërtet, çfarë Kombëtare mund të kemi? Dhe? Tri ndeshje 6 pikë. Kur mendon se këto, i përkasin fillimit të një edicioni të ri të Kampionatit Europian menjëherë thua:

“S’ka ku shkon më mirë!” Mirëpo, teksa kujton se këto dy fitore ishin të detyrueshme ngaqë kundërshtarët ishin Moldavia modeste dhe Faroet edhe më modeste, atëherë gjykimi vjen e merr një baraspeshë mendimi krejt realiste. Ndërkaq, dihet fort mirë se pikët e fituara janë pikë. Më 1967-ën ngaqë nuk mori dy pikët e plota me Shqipërinë modeste, Gjermania e madhe – nënkampione e botës në fuqi – u eliminua nga Kampionati Europian në të mirë të Jugosllavisë.

Teoria na thotë se me kundërshtarë të nivelit më të ulët nga ti, gjithnjë duhet fituar. Ndonëse kjo megjithatë, nuk ndodh pra, përherë. Kësisoj, kjo Shqipëri 2023 në tri ndeshjet e para ka fituar 2 herë dhe ka humbur jashtë fushe me dinjitet, 1 herë, me një nga mëtuesit për kualifikim që është Polonia. Dhe në çast të kujtohet mëtuesja tjetër e grupit që është Çekia – elitë e futbollit europian.

KOMBETARJA

Dhe vjen e zgjerohet pyetja: a do të kemi një Kombëtare që mund të mposhtë njërën nga dy pretendentet, Çeki dhe Poloni? Prej ku zgjatemi duke stërpyetur: çfarë Kombëtareje mund të kemi për të arritur që të mposhtim njërën prej tyre? Mirëpo, ja që më duket se është shpejt për të ngritur këto pyetje.

3.

Dhe ja befasia. Shkon e fiton Moldavia 3-2 me Poloninë, duke qenë madje në humbje 0-2! Është po kjo Moldavi, e cila ka barazuar 0-0 me Çekinë. Dhe prej këtyre rezultateve, ja ku mbërrin renditja po befasuese e Grupit E: Çekia 7 pikë, Shqipëria 6, Moldavia 5, Polonia 3, Faroet 1. Askush në Shqipëri nuk e parashikoi se mbas tri ndeshjeve të para, Shqipëria në vendin e dytë do të ndiqej nga Moldavia me vetëm 1 pikë më pak. Kësisoj, mund të themi se synimet shqiptare hyjnë një rrugë tjetër. Kjo do të thotë se për kualifikim ky grup nuk ka vetëm tri skuadra: Çeki, Poloni e Shqipëri, por plot 4: Çeki, Poloni, Shqipëri dhe Moldavi.

Qysh ditën kur u hodh ky short dhe që erdhi trajneri brazilian Silvinjo, më fort se asgjë, dëgjohet të përmendet “kualifikimi”. Jo thjesht dëshira për kualifikim, çka është normale, por me sa kam dëgjuar, parë, lexuar, gati-gati Kombëtarja po trajtohet si diçka e domosdoshme, madje e sigurt për t’u kualifikuar. Gabim. Për mua, natyrisht, duke përmendur mundësinë e kualifikimit, është më mirë të ulet toni. Dhe mandej do të ishte më mirë të ngrihet toni tjetër: ai që na kujton se duhet luajtur futboll gjithnjë e më i mirë, me bindje fitimtari, natyrisht, dhe ndaj të gjitha skuadrave të grupit.

Shqipëria fitoi 2-0 me Moldavinë, një ndeshje ku më shumë se loja, kam përshtypjen se përcaktuan gjuajtjet e bukura. Kjo sa për meritë të shënuesve Asani e Bajrami, e po aq edhe për shkak të brishtësisë së mbrojtjes moldave. Ndonëse duhet pranuar se pjesa e dytë qe më gjallëruese dhe më e qartë në sendërtimin e idesë së madhe të futbollit, ajo që quhet dëshira e fortë për të fituar. Në fund të fundit, shumë bukur. Mandej tri ditë më vonë Faroe – Shqipëria, 1-3. Tri ndeshjet e para dhe dy të fituara! Kjo ndodh për herë të pestë:

1995. për Kampionatin Europian: Shqipëria – Moldavia 3-0, Gjeorgjia – Shqipëria 2-0, por Moldavia – Shqipëria 2-3. Trajner: Neptun Bajko.

2014. për Kampionatin Europian: Portugalia – Shqipëria 0-1, Shqipëria – Danimarka 1- 1, Serbia – Shqipëria 0-3. Trajner: Gianni de Biasi.

2016. Kampionati Botëror: Shqipëria – Maqedonia 2-1, Liehtenshtajni – Shqipëria 0- 2, Shqipëria – Spanja 0-2. Trajner: Gianni de Biasi.

2021. Kampionati Botëror: Andorra – Shqipëria 0-1, Shqipëria – Anglia 0-2, San Marino – Shqipëria 0-2. Trajner: Edi Reja.

2023. Kampionati Europian: Polonia – Shqipëria 1-0, Shqipëria – Moldavia 2-0, Faroe – Shqipëria 1-3. Trajner: Silvinjo

Kombetarja

Këto janë 5 fillimet tejet optimiste e të mbara në kualifikimet eurobotërore për Shqipërinë. Mirëpo vetëm njeri prej këtyre fillimeve të bukura ka ndikuar për kualifikimin e Shqipërisë për në finale. Është ai i edicionit të vitit 2016, që çoi Shqipërinë në finalet e “FRANCË 2016”. Në të tria rastet e tjera, me gjithë këto fillime të bukura, Shqipëria është eliminuar. Natyrisht, ende nuk e dimë se çka do të japë ky fillim i bukur i vitit 2023.

4.

Shqipëria, në rrugën drejt kualifikimit? Sa e parakohshme që është kjo pyetje – dëshirë. Shqipëria duhet të bindet se përballë ka dy kundërshtarë me emrat Çeki dhe Poloni që përherë kanë qenë edhe epiqendra të futbollit europian. Dhe deri më sot, ne kundër tyre kemi fituar vetëm ndeshje miqësore: 3-2 e 2-1 me Çekosllovakinë më 1952 me trajner të paharrueshmin Myslym Alla dhe 2-0 me Poloninë më 1953 me trajner hungarezin e mirënjohur Miklos Vadas.

Të gjitha në Tiranë. Janë fitore të mëdha, ndonëse ndeshje miqësore, po nuk duhet të harrojmë se ende asokohe ndeshjet miqësore kanë qenë të një rëndësie gati-gati si këto kualifikueset e sotme. Ndonëse ndryshimi është kolosal edhe në një dukuri tjetër. Asokohe të gjithë lojtarët u përkisnin klubeve brenda Shqipërisë. Ndërsa sot, siç e u përimtua më sipër, e patë më sipër, se çka qe Shqipëria në tri ndeshjet e fundit: vetëm 4 lojtarë ndër 22, ishin vërtetësisht të dalë prej tokës shqiptare. Kjo është një ShqipëriKosovë, europiane, profesioniste, më shumë se kurrë.

Pata përshtypjen se kulmi i profesionizmit dhe talentit qe goli i tretë i Ernest Muçit të Legias së Varshavës, 21 vjeç djalë dhe vetëm 3 ndeshje me Kombëtaren. U përshkua me topin në një sprint gati 60 metra, pa mundur ta ndalte askush dhe pa dashur t’ia dijë aspak se vetëm disa centimetra e kishte afër vijën anësore që mund të të flakë tej me gjithë topin. Mandej pasim tek Uzuni dhe mjeshtri ynë i ri “iberik” i Granadës – dikur i Tomorit të Beratit të Shqipërisë, prej bukur 10-11 vjetësh i zhdukur prej kampionatit tonë kombëtar – i cili me një pasim të rrufeshëm po për te Muçi, e bën këtë të tundë rrjetën po rrufeshëm me një goditje pa ndalesë.

Them se ky ishte goli që shpëtoi fitoren e Shqipërisë, sepse, për e pakta 20 minuta, Faroet ishin krejt afër barazimit. E megjithatë, të mos nxitojmë. Edhe ndeshja e këndshme me Faroet e dha një paralajmërim. Në 20 minutat e fundit pra, Shqipëria është sunduar nga ky ishull i vetëm 51.000 banorëve, gati në Polin e Veriut, i varur prej Danimarkës, kombëtarja e të cilit sundoi edhe përmes dy rasteve të qarta për gol. Kujtoni dy topat që kaluan krejt “të qetë”, pa u prekur prej asnjë lojtari shqiptar, para syve po “të qetë” të portierit Berisha. Nuk e prekën rrjetën thjesht për kapriçot e topit të rrumbullakët, jo për meritë të shqiptarëve.

Kësisoj, të mos nxitojmë. Në fund të fundit, le të luhet futboll gjithnjë e më bukur, jo duke harruar dëshirën për kualifikim, por duke mos e fetishizuar atë mbi gjithçka. Në këto tri ndeshje, është parë një lojë e shpejtë, fort kolektive, me shumë minuta të një futbolli universal, me pasime të shpejta sa nga krahët, po aq nga qendra, me mbrojtës – sulmues e me sulmues – mbrojtës. Dhe me 5 gola të shënuar, thuajse spektakolarë, të dy ndeshjeve të fundit. E, ndoshta edhe pyetja jonë: “Çfarë Kombëtare mund të kemi?”, nuk është fort e drejtë, ndonëse qëllimi i saj është për të mbërritur te pyetje të tjera të një natyre po tjetër, si bie fjala, këto:

A do të guxojmë të prekim sado pak natyrën europiane, “kozmopolite” të kësaj Kombëtareje, e cila vetëm në tri ndeshjet e saj të para, paraqiti në fushë plot 22 lojtarë, që vinin nga 22 klube të tjera të plot 13 shteteve të ndryshme? Ku zotëron Italia me plot 7 lojtarë që vijnë prej kampionateve të saj. Çka për një çast mendja na thotë se mund të kemi një Kombëtare të italianizuar si asnjëherë tjetër. Mbase me një ndryshim; jo specialiste e mbrojtjes, por e sulmit, të tipit brazilian të Silvinjos!? Kujto edhe një herë episodin krejt brazilian të Muçit. Çfarë Kombëtare do të kemi, pra? Me sa duket, na duhet të pranojmë se do të vazhdohet po në këtë rrugën europiane Kosovë-Shqipëri përderisa po bëhet fort e vështirë të kemi lojtarë të Republikës së Shqipërisë.

E pra! Do të kemi një Shqipëri që luan bukur futboll, pavarësisht nga rezultati? Do të kemi një Shqipëri si ajo e “EURO 2016”, që guxon e shkon në finale? Do të kemi një Shqipëri që do të përmbysë dy fuqi të mëdha të futbollit evropian, me emrat Çeki e Poloni? E tash, krejt papritmas, edhe një “të vogël” si Moldavia befasuese? Do të kemi një Shqipëri që do të befasojë edhe një herë Europën? Sa pyetje interesante që janë, vërtet! Që na i nxit fort edhe kjo renditje e grupit. Shqipëria në dyshe. Kjo pozitë ndodh për herë të parë në histori mbas 3 ndeshjeve të fillimit të një edicioni kualifikues për historinë tonë. Është ende shpejt për gjithçka, megjithatë.

Ndonëse të lind shpresa që kjo Shqipëri do të mund të bëjë edhe më fort për vete edhe spektatorët e të ashtuquajturës të “tribunës qendrore”, që sa fort e tërhoqi meditimin tonë të fillimit të këtij shkrimi. Sigurisht, në ndeshjet e Tiranës, do të ketë prapë 21.000 shikues. Do të vijnë duke u nxehur edhe ata gjithnjë e më fort. Ashtu si kjo Kombëtare e re jona, e cila me mend në krye mund të ëndërrojë rrugën e Shqipërisë 2016, por duke u bindur se është diçka tjetër nga ajo.

Prej 26 trimave të “EURO 2016”, kjo e sotmja ka një trashëgimi të vogël që përfaqësohet me vetëm 5 emra “francezë”: Berisha, Cikalleshi, Gjimshiti, Hysaj, Sadiku. Kjo Shqipëri e sotme, është diçka tjetër, vërtet. Ndoshta “braziliane”. Për hir të së vërtetës, ky përcaktim është i tepërt, edhe pse në krye të kësaj Shqipërie është njeriu me emrin Sylvio Mendes de Campos Junior i mbiquajtur Silvinjo – 6 herë lojtar i Kombëtares më të fortë të historisë së njerëzimit që është Brazili i Pelesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"