Paratë e basteve dhe sporti, një çështje për zgjidhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 23:14

Paratë e basteve dhe sporti, një çështje për zgjidhje

Nga ARTAN SHYTI

Tashmë është publike që bastet sportive do të mund të zhvillohen në mënyrë të ligjshme në Shqipëri. Përgatitja e një projektligji për këtë qëllim është padyshim edhe kontribut i këmbënguljeve të institucioneve sportive.

bastet

Dhe është një lajm shumë pozitiv që ky projektligj parashikon që 15% e fitimit bruto të kompanive të basteve do të grumbullohet, së bashku me të ardhura të tjera nga lojërat e fatit, të cilat do të ndahen nga një komision ku ka disa ministra e njëkohësisht edhe presidenti i FSHFsë dhe i KOKSH-it. Ky është një variant që nuk duhet pranuar si i mirëqenë nga sporti. Është shumë më e logjikshme që paratë, të cilat do të mblidhen si taksë ‘15% mbi fitimin bruto të shkojnë të gjitha për sportin. Ligji i sportit parashikon në nenin 40:

“Pranë ministrisë përgjegjëse për sportin krijohet Fondi Kombëtar i Zhvillimit të Sportit nga të ardhurat që sigurohen nga bastet sportive dhe lojërat e fatit, sipas legjislacionit në fuqi për lojërat e fatit. Kriteret për shpërndarjen dhe përdorimin e Fondit Kombëtar të Zhvillimit të Sportit për organizatat sportive miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Qartë dhe saktë! Prandaj ajo që duhet të kërkojnë institucionet e sportit është që të zbatohet ligji i sportit, neni 40 dhe asgjë më tepër. Çdo tentativë për të bashkuar paratë e gjithë lojërave të fatit në një llogari që do të menaxhohet nga një komision ku sporti është në minorancë, mund të ketë pasoja jo të këndshme për sasinë dhe destinacionin e këtyre parave që mblidhen nga bastet sportive. Me mirëbesimin e sportit është abuzuar shpesh në të kaluarën.

Jemi akoma në kohë për të ndikuar që realisht sporti të përfitojë para të vërteta nga bastet. Përndryshe hapja e basteve për të financuar sportin, siç po trumbetohet, do të jetë thjesht dhe vetëm një alibi për t’i përdorur ato jashtë dhe larg interesave reale të Lëvizjes Sportive Kombëtare. Ndoshta kjo është një frikë e pavend, por aq herë sa ne të sportit jemi djegur nga “qulli” i qeverive, nuk bëjmë keq t’i fryjmë edhe “kosit” të basteve këtë radhë…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"